E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ora e Debatit",korrupsioni sfidë e qeverisë

Një përballje e numrit dy të qeverisë Berisha, Genc Pollo me një panel analistësh ka sjellë në këtë fund viti të vërtetat e betejës kundër korrupsionit, betejë për të cilën maxhoranca fitoi zgjedhjet e përgjithshme në 3 korrik. Lutfi Dervishi, Andrea Stefani dhe Blendi Kajsiu kanë debatuar me Zëvendës Kryeministrin Genc Pollo rreth luftës kundër monopoleve, kundër nepotizmit, kundër konfliktit të interesit dhe rreth rezultateteve të kësaj beteje në këto 3 vjet.Pavarësisht se Zëvedës kryeministri Pollo numëroi një sërë masash të marra në kuadër të luftës kundër korrupsionit, analistët e kanë vlerësuar qeverinë në këtë betejë me notën gjashtë. Kështu gjashtë muaj para zgjedhjeve parlamentare lufta kundër korrupsionit vazhdon të jetë sfida më e madhe e kësaj qeverie që në vitin 2005-së u votua për këtë premtim. Zëvendës Kryeministri Genc Pollo, i cili drejton edhe komisionin qeveritar që ka hartuar strategjinë antikorrupsion u shpreh se qeveria aktuale e ka fituar luftën ndaj korrupsionit. Sipas tij, në sajë të luftës ndaj korrupsionit që është realizuar nga qeveria aktuale është bërë e mundur që paratë që derdh qytetari në buxhetin e shtetit të menaxhohen më mirë, të ardhurat e taksave dhe tatimeve shkojnë vërtetë në buxhet, jo në dorën e taksidarëve dhe policia rrugore nuk është më gjobitëse abuzive. 'Krahasimi i Shqipërisë së sotme me atë të 3 viteve më parë tregon se kemi ecur shumë përpara", nënvizoi Pollo. Zëvendës kryeministri theksoi se "Është gënjeshtër të thuhet se klanet mafioze të korrupsionit kanë kapur qeverinë". Sa i përket luftës që mund ti bëjë sistemi i drejtësisë korrupsionit, Genc Pollo u shpreh "Nuk është investimi në para ai që zgjidh problemin e efiçencës së drejtësisë, por miratimi i një ligji që ti shërbejë realisht drejtësisë në luftën kundër krimit". Sipas Pollos "Ajo që dallon politikanët në raport me korrupsionin është distancimi i tij, andaj ministri përgjegjës me apo pa faj personal në një aferë korruptive të largohet nga detyra". Analisti Andrea Stefani e cilësoi si të dështuar luftën ndaj korrupsionit nga qeveria aktuale. I bazuar në një studim të IDRA-s për korrupsionin ai theksoi se sot formulohen kritikat më të forta për qeverinë për dështim të luftës ndaj korrupsionit. "Kjo qeverisje nuk e mbajti premtimin, as për të krijuar një perceptim tek qytetarët se ka përmirësim të situatës. Kjo qeverisje erdhi në pushtet pasi kishte formuluar akuza të rënda qeverisë paraardhëse, por në fakt kjo qeveri i dha goditje shumë të ulët korrupsionit", tha Stefani. Sipas analistit qeveria nuk ka treguar vullnet për të goditur korrupsionin socialist. Blendi Kajsiu u shpreh se korrupsioni është çështje perceptimi. "Kur flasim për korrupsion flasim për mirëqeverisje apo jo. Është iluzion të mendosh se po u mbushën burgjet shpëtojmë nga korrupsioni, sepse kjo do reflektojë se sa e dështuar është lufta ndaj korrupsionit", nënvizoi analisti. Sipas Kajsiu-t "Suksesi në luftën ndaj korrupsionit do ishte nëse do të tranformohej sistemi politik. Finacimi i partive gjatë zgjedhjeve dhe Gërdeci janë çështje me afera të pastra korrupsioni", përfundoi ai. Analisti Lutfi Dervishi u shpreh se "Një nga gabimet si të maxhorancës së kaluar dhe asaj që drejton sot vendin, është se e kanë mbajtur thjesht si flamur luftën ndaj korrupsionit, dhe nuk janë përpjekur që të ketë gjithëpërfshirje në luftën ndaj këtij fenomeni. Besoj se mazhoranca e këtij viti do të mbahet mend për rrugën Durrës-Kukës". Specialistja e ITA-s, Valbona Dedja nënvizoi se "Nuk ka luftë të suksesshme kundër korrupsionit kur fondi për sistemin e drejtësisë është vetëm 4%" i buxhetit. Në sondazhin e kryer nga "Ora e Debatit", pyetjes nëse është e majta apo e djathta më e korruptuar, 53.4 e votuesve kanë votuar për të majtën dhe 46.6 kanë votuar se është e djathta më e korruptuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›