E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ora e së vërtetës, sot luhet historia

kombetarjaNga Gentian Alinani

Të gjithë me sytë nga Sllovenia. Trajneri De Biazi me dilema deri në momentin e fundit, dy sulmues apo pesë mesfushorë…

Luhet ëndrra… Sot ndaj Sllovenisë kombëtarja e drejtuar nga strategu De Biazi luan një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj. E gjithë vëmendja është përqendruar në tokën kundërshtare ku 11 luanët e përzgjedhur nga trajneri italian do të bëjnë maksimumin për të mbajtur gjallë ëndrrën, deri në ndeshjen e radhës ndaj Islandës.

Kjo epokë që ka nisur kombëtarja e Shqipërisë dhe rezultatet pozitive kanë bërë plot shpresë një komb të tërë që është duke pritur me padurim, orën e së vërtetës. Deklaratat e lojtarëve kanë qenë shpresëdhënëse ndërkohë që tani fjalë u takon futbollistëve. Dëshira për të përsëritur ndeshjen e Tiranës është e madhe, por Sllovenia ka bërë shumë ndryshime dhe këtë herë do të tentojë hakmarrjen. Trajnerët kanë mungesa të shumtë, por kjo nuk do ta zbehë aspak spektaklin dhe emocionet e kësaj ndeshjeje.

Dilemat e De Biazit, dy sulmues apo pesë mesfushorë

Gianni De Biazi shkon në ndeshjen më të rëndësishme të këtyre eleminatoreve me dyshimet në ndërtimin e formacionit. Trajneri italian njihet si skaramantik, dhe për këtë arsye sa herë që i kërkohet formacioni mundohet të mos e bëjë publik, pavarësisht se në mendjen e tij gjithçka është e kristalizuar. Por kësaj radhe situata është krejt ndryshe edhe pse formacioni duke parë seancat stërvitore të ekipit është tashmë i vendosur.De Biazi e ka të ndarë mendjen për sa i përket repartit të prapavijës, ku Berisha mbetet gardiani i padiskutueshëm i portës kuqezi.

Në mbrojtje në mungesë të Mavrajt, do të jetë Admir Teli që së bashku me kapitenin Lorik Cana pritet të formojnë dyshen e qendrës. Në krah Lila dhe Agolli kanë fituar vendin e titullarit. Deri këtu gjithçka është e lexueshme duke parë alternativat në këto pozicione.Dyshimet ishin në mesfushë dhe modulin se si do të rrështohet skuadra aty. De Biazi ishte në dyshim përsa i përket rreshtimit në mesfushë por duket që gjithçka të jetë zgjidhur, duke përjashtuar ndonjë surprizë të orës së fundit.

Basha dhe Bulku do të luajnë përpara mbrojtjes ndërsa pak më të avancuar do të jetë treshja Roshi-Kace-Rama. I vetëm në sulm do të jetë Edgar Çani i cili ka për detyrë të nxjerrë skuadrën përpara dhe të nxjerrë në pah shpejtësinë e Roshit si dhe lëvizjet e Ramës. Në këtë mënyrë duket qartë që strategjia është për të ulur efektivitetin e kundërshtarit që në vijën e sulmit ka lojtarë shumë të mirë teknikisht, por në të njëjtën kohë skuadra të jetë e aftë të niset me shpejtësi në kundërsulm.

Pas Dallkut, mungon edhe Vajushi

Mesfushori sulmues në formë i Litex Lovech është mungesa e radhës që do të ketë selektori i kombëtares shqiptare për ndeshjen me Slloveninë. Armando Vajushi nuk ka udhëtuar me skuadrën për dy ndeshjet e radhës ndaj Sllovenisë dhe Islandës. Lajmi konfirmohet nga Federata Shqiptare e Futbollit, sipas të cilës lojtari ka një dëmtim në shpinë, ndaj nuk do jetë në dispozicion të trajnerit. Me këtë dëmtim, numri i lojtarëve të Kombëtares reduktohet në 23, duke pasur parasysh edhe faktin që edhe Amir Abrashi, Shkëlzen Gashi, Vullnet Basha dhe Agon Mehmeti nuk do të jenë, të paktën për momentin, në dispozicion të trajnerit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›