Shumë mundësi, trajneri De Biazi me dhimbje koke
Role të dubluar dhe mundësi zgjedhjeje, qendra e mbrojtjes mbetet problemi i vetëm
Nëse më parë të gjithë e dinin përmendësh formacionin me të cilin do të luante kombëtarja, tani është shumë ndryshe. Lojtarët e rinj dhe të shumtë që trajneri italian Xhani de Biazi ka sjellë në kombëtaren kuqezi japin shpresë për të arritur rezultate pozitive, por nga ana tjetër vështirësojnë vetë punën e teknikut. Pavarësisht se numri një i kuqezinjve e ka pranuar se kënaqësia më e madhe e një trajneri është atëherë kur ka shumë mundësi zgjedhjeje, këtë herë situata është delikate. Të gjitha repartet, me përjashtim të portës janë në dyshim pasi gjendja që po kalojnë lojtarët është shumë e mirë.
Porta- Është një nga repartet ku De Biazi është shumë i qetë dhe nuk duhet të mendohet shumë për të bërë zgjedhjen. Etrit Berisha është shndërruar në një siguri të madhe për portën kuqezi, ndërsa Ujkani ende nuk është në momentin e tij më të mirë. Ajo që është më e çuditshme është fakti se edhe portieri që ne e konsiderojmë të tretë në kombëtaren kuqezi është i gatshëm për të mbrojtur portën dhe këtë e ka treguar në të gjitha ndeshjet eleminatore në Evropë. Bëhet fjalë për Orges Shehin që përveç se priti dy penallti vendimtare në ndeshjen e fundit të Skënderbeut ndaj Odesas, zhvilloi 90 minuta të shkëlqyera. Megjithatë portieri i Lacios, Berisha duket i sigurt në katërkëndëshin kuqezi.
Mbrojtja- Ky është reparti që ka shumë dilema. Shumë alternative në krahë, por pak në qendër të mbrojtjes. Nga e djathta në të majtë zhvillohet një duel i fortë për një fanellë titullari. Armend Dallku dhe Andi Lila prej kohësh janë në duel të fortë mes tyre. Nëse De Biazi preferon mbrojtësin kavajas, Dallku më parë ka dhënë sinjale se mund të largohet nga kombëtarja edhe pse për të thënë të vërtetën në disa raste bën gafa, por në shumë të tjera është i pakalueshëm.
Lila është më mirë fizikisht dhe vrapon më shumë se Dallku, por gjithçka është në duart e De Biazit dhe ai do të vendosë. Qendra e mbrojtjes është e qetë me të pazëvendësueshmin Cana dhe partnerin e tij Teli. Mungesa e Mavrajt është një problem më vete dhe fanellën e titullarit e diskutojnë mes tyre Osmani dhe Teli edhe pse ky i fundit duket se do të jetë zgjedhja e De Biazit. Në krahun e majtë, Ansi Agolli nuk e diskuton vendin e tij edhe pse lojtarë si Hysaj dhe Arapi duhen përgëzuar për atë që po bëjnë në karrierën e tyre.
Mesfusha- Pikëpyetje të mëdha ka edhe në këtë repart ku duket se vendin e sigurt të titullarit e kanë vetëm Valdet Rama në të majtë dhe Migjen Basha në qendër të mesfushës. Krahu i djathtë dhe ai i shkatërruesit diskutohet mes disa lojtarëve. Situata është kjo, nëse Lila nuk do tia dalë për një vend në mbrojtje atëherë do të tentojë patjetër të duelojë Roshin për në mesfushë. Mesfushori i talentuar fierak është i fundit që u ka shënuar sllovenëve në Qemal Stafa dhe konsiderohet si lojtari më i rrezikshëm në radhët e tanëve. Tjetër duel i fortë bëhet për rolin që qendër të mesfushës ku veteran Bulku ndihet i rrezikuar nga Kaçe dhe Abrashi. Këta të fundit zhvilluan një ndeshje spektakolare në miqësoren ndaj Armenisë e fituar 2-0. Megjithatë deri tani dyshja e mesfushës ka qenë Basha-Bulku dhe këta pritet të jenë sërish.
Sulmi- Dilemat janë dyfish në repartin e avancuar kur përveç se duhet të përcaktojë numrin e sulmuesve duhet të gjejë edhe emrat e tyre. Duket se i vetmi lojtar që garanton është Hamdi Salihi, ndërsa të tjerët do të diskutojnë një fanellë titullari. Me shumë mundësi partneri i tij do të jetë Edgar Çani, por ende nuk dihet skema me të cilën trajneri do të luajë.
