E Diel, 1 Nëntor 2026

Orët në kërkim të helikopterit të humbur në Veri

• Tre helikopterë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë kanë marrë urdhër për fluturim në veri të vendit dje rreth orës 11:53. Autoritetet shqiptare që në mëngjes kishin marrë sinjalin SOS nga një mjet fluturues, mirëpo sipas rregullave ushtarake nuk kishin ndërmarrë operacion kërkim-shpëtimi, pasi sinjali i dhënë duhej verifikuar.Trazhgim Sokolaj Rreth orës 11:00, policia e Shkodrës ka kërkuar nga autoritetet qendrore një helikopter për të bërë verifikime në zonën e Dukagjinit. Aty banorë të zonës pretendonin se kishin dëgjuar zhurmën e shpërthimit të një mjeti fluturues të rrëzuar. Dhënia e lejes së fluturimit të helikopterëve në drejtim të Shkodrës është refuzuar, ndërsa policia e zonës është nisur në drejtim të zonës në rrugë tokësore. Brenda pak orëve u konfirmua se në këtë zonë nuk ishte rrëzuar ndonjë helikopter. Gjatë kësaj kohe, drejtori i Përgjithshëm i Sektorit të Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, tha se sipas koordinatës së sinjalit SOS të dhënë në mëngjes nga Italia, helikopteri dyshohej të ishte rrëzuar në zonën e Tropojës në veri të Shqipërisë. Më pas, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjeneral Luan Hoxha, tha se nuk kishte asnjë informacion përse ky helikopter, që supozohej të ishte rrëzuar, po fluturonte në atë zonë në veri të vendit. Ka qenë ora 11:13 kur autoritetet e pushtetit vendor në Tropojë si dhe disa banorë të zonës, konkretisht banorë të Rragamit, kanë lajmëruar policinë dhe Ministrinë e Brendshme se kishin dëgjuar zhurmë në majën e Jezercës. Banorët dhe pushteti lokal pretendonin për rrëzimin e helikopterit në malin që ndodhet në pjesën perëndimore të luginës së Valbonës, mes fshatrave të Dragobisë dhe Valbonës, në skajin verior të vendit. Pas këtij konfirmimi të dytë për sinjalin SOS të mbërritur nga Roma në orët e mëngjesit, autoritetet shqiptare kanë vendosur të fillojnë operacionin e kërkim-shpëtimit. Mbërritja në zonë në rrugë tokësore ishte e vështirë për shkak të mungesës së rrugës automobilistike. Në veri të vendit nuk gjendeshin mjete të specializuara, të cilat pasi të shkonin në zonë në rrugë tokësore të ofronin ndihmën dhe ndërhyrjen e duhur për viktimat e mundshme të aksidentit ajror. Tre helikopterë të Forcave të Armatosura, të pajisur me mjetet dhe njerëzit e skuadrave të Njësitit të Ndërhyrjes Emergjente dhe Ndihmës së Parë, janë ngritur në fluturim nga regjimenti i helikopterëve në Farkë. Ndërkohë Qeveria shqiptare, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Ministria e Mbrojtjes, kishin hyrë në kontakt me autoritetet e KFOR-it në Kosovë dhe me forcat e NATO-s. Brenda më pak se 30 minutave nga momenti kur janë ngritur në Tiranë, tre helikopterët shqiptarë janë gjendur në veri të vendit, mbi rrethin e Tropojës. Kërkimi për vendin e rrëzimit të helikopterit është bërë sipas një plani fluturimi të paracaktuar. Tre helikopterët kërkues kanë patrulluar zonën nga tre drejtime të ndryshme, në mënyrë që të shikonin nga projeksione të ndryshme terrenin, për të zbuluar gjurmët e mjetit fluturues të rrëzuar. Kërkimet nga ajri kanë vazhduar për më tepër se dy orë dhe më pas janë ndërprerë. Ndërkohë mjete dhe forca të ushtrisë shqiptare si dhe të policisë ishin drejtuar për në vendin e ngjarjes në rrugë tokësore. Rreth orës 14:50 tre helikopterët kanë konfirmuar se nga ajri nuk gjendej asnjë gjurmë e mjetit të rrëzuar. Kërkimet e helikopterëve janë ndërprerë për shkak të mjegullës së dendur në zonën e kërkimit, e cila vështirësonte jo vetëm vëzhgimin, por edhe fluturimin e mjeteve. Operacioni ka vazhduar deri në orët e mbrëmjes, kur edhe kërkimet në rrugë tokësore janë ndërprerë për shkak të errësirës, e cila nuk mundësonte vëzhgimin e zonës.Pilotët që morën pjesë në operacion: Kërkuam për tri orë mbi JezercëPlot tri orë ka zgjatur operacioni i kërkimit të helikopterëve të ushtrisë mbi lartësitë e Jezercës. Terreni i thyer dhe mjegulla e dendur e ka bërë të vështirë manovrimin e pilotëve. Megjithatë kanë fluturuar deri në pasditen e vonë. Misteri për ta nuk ka mundur të zbulohet. Gjithsesi, për aq sa kanë vëzhguar, janë të bindur se nuk bëhet fjalë për një lajm të vërtetë. “Mbi Jezercë, pohon njëri prej tyre me bindje, nuk është rrëzuar asnjë helikopter”. Më tej në rrëfimin për gazetën “Panorama”, piloti Sokol Çuni tregon çastet kur kërkonin në koordinatat 49 21, ku mendohej se ishte aksidentuar helikopteri... Zoti Sokol! Diçka për operacionin e kërkim-shpëtimit që bëtë mbi malësitë e Tropojës...Me marrjen e urdhrit nga komanda u nisëm sipas koordinatave të dhëna që përkonin me lartësitë e Jezercës. Rreth orës 12:00 filluam vëzhgimin nga pjesa perëndimore e malit të Jezercës. Fillimisht nisëm nga lartësitë e Thethit, vëzhguam tërë pjesët e shpateve të maleve që e rrethojnë atë. Në kërkim e sipër në një moment mbetëm në mes të mjegullës. Na u deshën disa çaste për të gjetur një korridor të ngushtë deri sa mundëm të dalim në terren të hapur...Pra, nga ana e Thethit, me sa vëzhguat nuk konstatuat gjë. Po zona tjetër që i përket kuadratit 49 21, u kontrollua nga ju?  Zona rreth e qark vargmaleve që qarkojnë Jezercën është e thepisur, me shumë shkëmbinj e humnera të mëdha. Kontrolluam tërë zonën në juglindje të malit të Jezercës. U bënë disa fluturime mbi këtë zonë. Nuk konstatuam asnjë shenjë të avionit të rrëzuar. I vetmi vend ku nuk mundëm të vëzhgojmë me imtësi ishte kurora e majës së malit, fluturimi për aty ishte i pamundur. Gjithsesi, jemi të bindur se edhe aty nuk kishte mbeturina të ndonjë helikopteri të rrëzuar. Atëherë ju e kontestoni lajmin e dhënë nga zyrat e emergjencave se në zonën 49 21 që i përket pjesës së Jezercës është rrëzuar një helikopter...Nuk di çfarë të them për këtë lajm dhe mënyrën si është dhënë ai. Madje, as që dua ta kontestoj. Por nga përvoja ime dhe e shokëve të mi, e them me bindje se në atë zonë nuk është rrëzuar asnjë helikopter. Këtë bindje na e përforcoi sidomos operacioni në terren. Mbi të gjitha jemi pilotë që kërkonim një kolegun tonë e ky ishte motiv i fuqishëm për të kërkuar në të gjithë rajonin, paçka se kushtet e terrenit dhe të motit ishin shumë të vështira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›