E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet misteri i helikopterit

• Të gjithë kanë menduar se bëhej fjalë për një tragjedi, por në fakt ka qenë vetëm një improvizim. Mëngjesin e djeshëm strukturat e rendit dhe të ushtrisë shqiptare kanë qenë në alarm për rrëzimin e një mjeti fluturues në veri të vendit.“Nga gjurmimet që bëjnë mjetet radiolokative dhe strukturat e thithjes së sinjaleve SOS, që mbulojnë hapësirat ajrore të regjionit të Ballkanit, është raportuar nga RCC Romë në orën 04:25 të mëngjesit një objekt fluturues në koordinatat 49 gradë, 21 minuta dhe 04 sekonda”, tha Ministria e Mbrojtjes. Sipas saj, rreth orës 11:13 të ditës së djeshme, autoritetet e pushtetit vendor dhe banorët e zonës njoftuan se kanë dëgjuar zhurma në afërsi të malit të Jezercës dhe me konfirmim edhe të strukturave dhe organeve të caktuara të Ministrisë së Brendshme, ka marrë njoftim edhe Qendra Operacionale e Ministrisë së Mbrojtjes. Në këtë mënyrë është dhënë alarmi dhe ka filluar operacioni i kërkim-shpëtimit. Ndërsa tre helikopterë të ushtrisë shqiptare fluturonin për në veri të vendit, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në Tiranë në kontakt me NATO-n konfirmoi se asnjë helikopter i Aleancës Veriatlantike nuk mungonte. Këtu përfshiheshin edhe helikopterët e KFOR-it, që sikurse u tha në fillim kishin qenë në fluturim gjatë orëve të mëngjesit në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Me radhë të gjithë organizmat ushtarake ndërkombëtare kanë konfirmuar se nuk mungonte asnjë helikopter i tyre. Operacionet e kërkim-shpëtimit nuk po zbulonin asnjë gjurmë gjatë vëzhgimeve në veri të Shqipërisë.ImprovizimiSinjali SOS dhe gjithçka tjetër që u dyshua si një tragjedi, ka qenë një improvizim gjatë një stërvitje ushtarake të Forcave të Armatosura të Italisë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, të cilat i thanë dje gazetës “Panorama”, se prej dy ditësh, forcat ajrore italiane bënin stërvitje mbi det. Ka qenë Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit në det dhe fatkeqësi, SAR, ai që ka dhënë sinjalin SOS për rrëzim avioni në koordinatat 49 21. Ky është shërbim rajonal dhe në bazë të konventave ndërkombëtare duhet të njoftojnë dhe në rastet kur Forcat e Armatosura improvizojnë situata. Në rastin konkret, gjatë stërvitjes ishte improvizuar në koordinatat 49 21 në orën 04:25 një rrëzim avioni i stimuluar. Ka pasur edhe një njoftim zyrtar, në fakt, se alarmi për rrëzim avioni ishte improvizim, mirëpo pala shqiptare duket se është keqkuptuar duke marrë gjithçka si një situatë të vërtetë emergjence. Në këtë mënyrë, nga një improvizim për rrëzim avioni gjatë stërvitjes, alarmi ka kaluar në një situatë gati reale për autoritetet shqiptare. Forcat e Armatosura të Shqipërisë, rreth orës 16:30 të ditës së djeshme verifikuan edhe njëherë mesazhin e mbërritur dje në mëngjes për rrëzim avioni. Ekspertët dhe specialistët e lexuan dhe e përkthyen drejt atë, duke kuptuar më në fund se bëhej fjalë për një improvizim. Në fakt, gjatë gjithë ditës së djeshme, edhe ata që kanë folur me siguri se një helikopter ishte rrëzuar, asnjëherë nuk përmendën markën e tij apo qëllimet e fluturimit. ReagimiDy zyrtarë të lartë konfirmuan dje njëri pas tjetrit se në veri të Shqipërisë nuk kishte mjet fluturues të rrëzuar. Në orët e drekës, Rasim Borishi, nëndrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Rendin dhe Sigurinë Publike, është shprehur se “nuk ka helikopter të rrëzuar në zonën e Valbonës”. Nëndrejtori i policisë tha se ai vetë kishte shkuar në vendin ku u mendua se ishte rrëzuar helikopteri, ndërsa pohoi se “në zonën e Valbonës, ku është përqendruar kërkimi, nuk është identifikuar asnjë helikopter dhe askush prej banorëve nuk e ka parë atë”. Në orët e mbrëmjes, drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Alfred Olli, konfirmoi në linjë telefonike me gazetën “Panorama” se kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga veriu i Shqipërisë. “Unë kam marrë pjesë personalisht në operacionin e kërkim-shpëtimit. Është verifikuar më shumë se 80 për qind e zonës së dyshuar në veri të vendit dhe nuk është gjetur asnjë gjurmë. Operacioni vazhdon edhe sot, pasi duhet të jemi brenda standardeve ndërkombëtare, por mund të them se deri më tani nuk ka asnjë gjurmë dhe asnjë konfirmim për rrëzim të helikopterit në veri të Shqipërisë”, është shprehur kreu i Emergjencave Civile, Alfred Olli, mbrëmjen e djeshme.         re.kr

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›