Patentat, Drejtoria e Tiranës dy javë pa kartonë
• Që prej më shumë se dy javësh, qytetarët që kanë mbaruar kursin e patentës, nuk kanë mundur të tërheqin kartonin pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit rrugor për Tiranën.Kjo, pasi dëshmitë e aftësive për drejtimin e automjeteve nuk janë sjellë në këtë institucion. Burime brenda tij sqarojnë se materialet vijnë nga Durrësi dhe është kompetencë e tyre. “Ne thjeshtë kemi dosjen dhe plotësojmë dokumentacionin për secilin qytetar, por baza materiale vjen nga Durrësi”, sqarojnë burimet. Dje në Drejtorinë e Transportit rrugor për Tiranën, që ndodhet në Kashar, prisnin një numër i madh qytetarësh. “Kam 10 ditë që vij e interesohem dhe nuk e kam marrë patentën. Përgjigjja që na japin është se nuk ka kartonë dhe do vijnë së shpejti”, thotë një qytetare. Kursi i patentës është kthyer në një makth për qytetarët. Përpara regjistrimit të duhen mbi tri ditë të plota sorollatje në poliklinika për të bërë vizitat mjekësore, në gjendje civile për të marrë certifikatën dhe vërtetimin e vendbanimit, në Ministrinë e Drejtësisë për të marrë dëshminë e penalitetit. As për të marrë pasaportën, që është dokumenti më i rëndësishëm i identifikimit personal, nuk duhen kaq shumë dokumente. I vetmi përmirësim i bërë muajt e fundit është se qytetarët nuk do të bëjnë 7 vizita mjekësore tek çdo mjek specialist, por vetëm ato të syve dhe të veshëve. Të tjerat do t’i kryejnë te mjekët e familjes në ambulancat e lagjeve. z.ll