E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fabrika, asnjë kontroll për kushtet e punës

Detaje rrëqethëse dalin nga fabrika e çmontimit të armëve në Gërdec pas shuarjes së saj. Kushtet e punës së 300 punëtorëve nuk ishin të kontrolluara. Inspektorati Shtetëror i Punës ka deklaruar dje publikisht se "në bazë të ligjit nuk mund të ushtronte kontroll në një repart ushtarak". Sipas tij, inspektime të tilla duhet të bëheshin nga Ministria e Mbrojtjes. Por ky dikaster duket se nuk ka ushtruar asnjë kontroll mbi fabrikën, me qëllim verifikimin e kushteve dhe sigurisë në punë. Po kështu nuk ka qenë e kontrolluar as mosha e punonjësve, ndaj edhe rezultojnë të punësuar minorenë në fabrikë.

Inspektorati Shtetëror i Punës nuk ka asnjë informacion zyrtar për subjektin privat që ushtronte aktivitetin e tij në kontraktim me Ministrinë e Mbrojtjes. Po kështu, ky institucion u shpreh dje për mediat se "nuk ka të regjistruar asnjë subjekt privat me veprimtari çmontimin e municioneve". Siç shihet edhe nga kjo deklaratë zyrtare, inspektorati i vetëm në vend që inspekton punën njerëzore nuk ka qenë aspak në kontakt me afro 300 punëtorët e punësuar në "fabrikën e vdekjes". Dispozitat ligjore bëjnë përgjegjëse Ministrinë e Mbrojtjes, të paktën për pjesën e kushteve në të cilat punonin ata që lanë jetën në punë. "Bazuar në ligjin e ISHP-së, për inspektimin e punës, si dhe duke pasur parasysh faktin se aktiviteti i çmontimit ishte ngritur brenda një reparti ushtarak, inspektorati nuk mund të hynte për kontroll", shkruhet në komunikatën për shtyp.

Gjithashtu, inspektorati sqaron se vetë ligji parashikonte përjashtime. Kështu, në nenin 4 të tij thuhet se "përjashtohen nga fusha e veprimit të këtij ligji institucionet apo veprimtaritë ku hyrja e Inspektoratit të Punës vë në rrezik sigurinë kombëtare". Ndërkohë është Ministria e Mbrojtjes, e detyruar me ligj, të inspektojë marrëdhëniet e punës, sigurinë dhe shëndetin në punë në të tilla subjekte. Ose kjo ministri duhet të udhëzonte me autorizim të posaçëm këtë Inspektorat për të kryer kontrolle.

Dëshmitë e para nga vendi i ngjarjes, ku fabrika e çmontimit hodhi në erë një fshat të tërë, tregojnë se firma kishte të punuar afro 300 punëtorë. Ndërsa ditën e shtunë kur ndodhi tragjedia, në fabrikë ishin vetëm 150 prej tyre, pasi ishte ditë fundjave dhe nuk punohej me kapacitet të plotë. Banorët e zonës tregojnë se të punësuarit kanë qenë në mosha të ndryshme, madje shumë prej tyre në moshë minore, nga 14-18 vjeç. Kjo është një ndër pikat e ligjit që ka shkelur firma "Al Demil", që punonte prej një viti në këtë bazë ushtarake. Ndërkohë organet hetimore pritet që të nxjerrin faktet reale që çuan në këtë tragjedi, përfshirë këtu edhe sigurinë në punë të punonjësve si dhe kushtet e tyre të punës.

Tragjedia e Gërdecit, e ndodhur katër ditë më parë, u shkaktua nga shpërthimi i municioneve ushtarake gjatë punës për çmontimin e tyre. Dhjetëra vetë vdiqën, të tjerë konsiderohen të humbur dhe 290 vetë morën ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak dhe civil të Tiranës dhe atë të Durrësit. Shpërthimi vrau fëmijë dhe të rritur, banorë të Gërdecit, si dhe punëtorë të fabrikës që po punonin në çmontimin e armëve në momentin e shpërthimit të madh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›