E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, digjet në banesë i moshuari, zjarrfikësit vonohen në vendngjarje

>Një 80- vjeçar ka gjetur vdekjen në mënyrë tragjike, pasi është shkrumbuar nga flakët e zjarrit, brenda banesës së tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, në një nga lagjet e vjetra të Shkodrës, ku ka shumë rrugica të ngushta dhe për më tepër të zëna nga automjetet dhe ku ndodhen edhe qindra shtëpi në gjendje që të tillë që mundësojnë që flakët e zjarrit të përhapen me shpejtësi. Sipas policisë, Prekë Gjeloshi, 80 vjeç, ka qenë invalid pasi në banesë është gjetur një karrocë për persona të paralizuar. Në banesë është gjetur nga zjarrfikësit edhe një reflektor pranë viktimës, çka ka lënë të dyshohej edhe shkaku i djegies së banesës dhe vetë të zotit brenda saj. Policia nuk ka sqaruar asgjë për viktimën, por ai ka qenë një nga sportistët më në zë të fillimit të sportit, mbas luftës në Shkodër. Gjithsesi shefi i PMNZH-së së Shkodrës Ilir Kopliku tha se ngjarja është e dhimbshme edhe për ne si zjarrfikës, sepse nuk arritëm të vijmë në kohë. Ai thotë se lajmërimi është bërë me vonesë dhe megjithëse forcat zjarrfikëse kanë mbërritur vetëm për tre minuta, ka gjetur rastin ti bëjë thirrje komunitetit, që rrugicat me një kalim të mos lejojnë parkime dhe sidomos natën. Sipas tij, kjo do të bënte të pamundur mbërritjen në kohë të zjarrfikësve pranë vendit ku është lajmëruar zjarri. Kopliku paraprakisht për shkakun e zjarrit tha se të dhënat e para janë për një pakujdesi të vetë viktimës, por gjithsesi kjo do ti lihet ekspertëve të përcaktojnë pse ka rënë ky zjarr në shtëpinë e 80- vjeçarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›