E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orges Toçe: Ju tregoj botën me këngë

Orges Toçe sapo ka përfunduar punën për një album të ri, të cilin pret ta promovojë në Shqipëri gjatë muajit korrik. Me një titull intrigues, me mllefe ndaj shoqërisë dhe kushteve sociale të saj, Gesi edhe kësaj radhe guxon... ”Bota është një m...!”

Pse është bota një m...? Çfarë dreqin keni ju artistët me botën? Ajo (bota) ju do....

Pse duhet të jetë kjo pyetja e parë? (qesh) Bota është thjesht një m..., sepse mësojmë që jeta është ajo që është e bukur, dhe ashtu është për çdo organizëm, gjallesë apo qenie, mirëpo realiteti zhgënjen, ballafaqimet janë të egra dhe zhgënjyese, të pabesa, dhe jo besnike, të bukura ditën dhe të ndyra natën, ose e kundërta! Albumi ka këtë titull, por në të njëjtën kohë është dhe një “gërthitje”, “çjerrje” për qetësi dhe linjë të drejtë shoqërore-politike, është një provokim me tendenca, thirrje për të reaguar në formë të duhur dhe jo keq (çfarë është mirë dhe çfarë është keq, kjo është pyetja), pra paqe dhe jo ngrënie me njëri-tjetrin për pak pushtet, karrige, post, padrejtësi, egoizëm në profesion e ku dreqin di unë se çfarë tjetër. Këto shqetësime, fraza, mendime dalin jo vetëm nga artistët, por edhe nga të gjithë njerëzit e tjerë. Këto mendime i dëgjon në tavolina, familje, institucione, rrugëve, mes miqsh dhe “pseudo – miqësive”, por..., në fund kur bëhet fjala për këngë, ato duhet të jenë të bukura, Perfect World, pa problem, pa gjëra të thëna troç etj, por gjithashtu bukur! Arti ka marrë fund në momentin që ajo që do dhe bën “konservohet” dhe “kontrollohet”. Kur idetë rrjedhin lirë, atëherë ka mirëkuptim, jo vetëm në art, por edhe në politikë e kudo, atëherë çdo gjë rrjedh përsëmbari, idetë janë të qarta, zhvillimin intelektual as nuk e ndjen që rritet, dëgjohet më shumë dhe flitet pak e drejt në momentin e duhur!

Arti po shndërrohet në një lloj kompromisi me botën... të jesh kundra saj: Është të jesh rebel, “revolucionar”, kundër rrymës apo...realist?

Më kujtohet që para disa vitesh, Andres Calamaro, një Rock-er argjentinas, nxori një album me titull “Salmon”. Personalisht më ka bërë shumë përshtypje për faktin që punk, pop & rock & jazz mund të mendoheshin dhe interpretoheshin ndryshe. Salmon është një peshk që i përshtatet shumë mirë ujit (botës), por ai noton kundra rrymës. Nuk dua të filozofoj shumë mbi këtë gjë, por thjesht desha të them që thirrja për një rrymë të drejtë është relative dhe e lirë, ndryshe konservohesh dhe je një peshk konserve. Në të njëjtën kohë, jam dhe realist. Për fat të keq, realiteti është i vështirë dhe i rëndë dita-ditës, por kjo është jeta dhe jeta është e bukur me këto ndeshje ditore. Pra të notosh kundra rrymës, nuk do të thotë që nuk je realist, mendoj unë! Patjetër që jam realist!

Kjo bota e madhe vjen erë... po bota jote, cila është? Si është?

Unë shoh vetëm një botë, atë të realitetit që ne jetojmë, luftëra, kafshime me njëri-tjetrin, korrupsione, pabesira, banalizma, pabarazira, antisemitizëm, racizëm të çdo lloj ngjyre, shtypje kudo në të gjithë rruzullin, edhe pse nuk dëgjojmë dhe nuk shohim, se jeta na shkon ngadonjëherë përsëmbari fare, lufta për pushtet, pakënaqësira kur në të njëjtën kohë shohim që vdesin fëmijë çdo ditë për një thërrime buke. Diku në Brazil, për shembull, nëna që gatuan zhavorr dhe i thotë fëmijës: - fli se po përgatis bukën dhe pret sa të zgjohet fëmija që t’i thotë: ti hëngre, fjete, por nuk mban mend; qëllimi është gjumi që të harrojë urinë!

Pasiguria në jetën sociale, mish - mashi i politikës e plot të tjera janë “lëndë” e parë për albumin tënd....ç’do të ndodhte nëse bota do ishte ndryshe?

E kush nuk e ka këtë pasiguri sociale, por jeta vazhdon e pamëshirshme dhe tejmase e bukur. Përsa i përket “mish-mashit politik” dua të them vetëm pak fjalë: Jemi në 2011-ën! Duhet me i dhënë pak gaz ditës dhe natës dhe më shumë qetësi, se koha kalon dhe është vërtet turp, gjithë këto pavendosmërira, korrupsione pa masë! Ku po shkojmë? Nuk ma ha mendja se bota do të jetë ndonjë ditë ndryshe, por nëse do të ndodhte kështu, atëherë me siguri gjithçka do të ishte më e hajrit. Ajo botë është e pamundur. Unë nuk jam i pari që po ngre pak zërin për një botë më të mirë. Shpresoj që në Shqipëri një ditë, në të ardhmen, të flitet mbi vetë kulturën e këtij zhvillimi muzikor të vetë vendit tonë! Mundësitë janë dhe nëse jo, ato krijohen, natyrisht duke vjedhur nga krahët e tjera më pak, dhe duke investuar për kulturën dhe artin nga krahu tjetër më shumë, më shumë, më shumë akoma! Ja ku doli llogaria. (qesh)

Si do të jetë e organizuar vigjilja e albumit? A do të ketë një promovim....një koncert intim?

Koncerte do ma kishte qejfi shumë, për faktin që është shqip, unë s’di ndryshe. Të shohim si do të gjenden muzikantët që do të luajnë dhe ku do të luhet. Nuk është planifikuar akoma gjë tani për tani, por besoj se do të bëhet diçka patjetër, ky është qëllimi, që të dëgjohet. Live ose direkt, është akoma më pranë për të thënë më shumë se një cd e mbyllur në plastikë.

Banorët e botës një m... janë ata që do të të dëgjojnë.... si do t’u përgjigjeshe nëse do të të hidhen në fyt, pikërisht se po u kujton se ku jetojnë...

E thashë më parë, që nuk jam as i pari dhe as i fundit që flet mbi këtë temë në historinë e muzikës, por në këtë rast mbase është shumë qartë dhe direkt, nuk e di. Mbase shqetëson kjo gjë, mbase jo. Kjo gjë mbetet pak intrigante për dëgjuesin. Banor jam dhe unë vetë i pari me gjithë familjen time! Kuptimi i këtij albumi është thjesht një thirrje për ndryshim të drejtë dhe mirëkuptim.

Përderisa bën ende muzikë, merresh akoma me të....i bie të ketë dritë në fund të tunelit...Ti e sheh?

Patjetër, ky ka qenë, është dhe do të mbetet qëllimi. Drita është e rëndësishme. Falë saj po tentojmë të shkruajmë disi dhe të krijojmë diçka sado të vogël në këtë dritë të madhe. Albumi është një tunel paksa i zymtë, por i vërtetë që i takon të ketë dhe dritë. Unë dritën e shoh me optimizëm, që në atë moment që mendimet nisin të hidhen në vargjet dhe notat e para. Mbase kjo dritë zbehet pak dhe nga titujt, por sound-i është tepër me dritë. Përgjegjës për përcjelljen e kësaj drite në çdo vepër të artistëve, janë dhe vetë mediat. Nëse drita përcillet nga mediat përsëmbari, atëherë të themi që është një pikë mbi “i” për vetë misionin e çdo vepre. Nëse ndodh e kundërta, kjo vepër mbetet e konservuar, e vogël dhe pa qëllimin përkatës. Unë mund të them vetëm që i gjithë ky mesazh duhet parë si një dritare e madhe plot dritë dhe shpresë. Zymtësia provokon dëshirën për dritë dhe përgjegjës për shpërndarjen e kësaj drite është vetë dëgjuesi ose publiku.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›