Damjano Sopjani, golashënuesi që po spikat te Turbina
Në 12 ndeshje ku është aktivizuar me të rinjtë e Turbinës ka shënuar 16 gola. Është kandidat për kombëtaren U-19
Skeda:
Emri: Damjano
Mbiemri: Sopjani
Datëlindja: 7/10/1994
Vendlinja: Durrës
Ndeshje me të rinjtë: 12
Gola të shënuar: 16
Ndeshje me të rriturit: 1
Pozicioni: Mesfshor i avancuar
Damjano Sopjani është emri më i ri në listën e lojtarëve të talentuar që po spikat në qytetin e Elbasanit. Ai është djali i një prej arbitrave të vjetër të superligës, Mentor Sopjanit. Damjano aktivizohet me sukses tek ekipi i Turbinës U-19, që drejtohet nga trajneri i mirënjohur Ferdinand Bilali. Sopjani, vetëm 17 vjeç, është golashënuesi më i mirë i kësaj skuadre dhe i kampionatit me 16 gola të shënuar në vetëm 12 ndeshje të luajtura për fazën e parë, duke e udhëhequr skuadrën e tij drejt shumë sukseseve në këtë kampionat.
Fillimet në futboll
E ka filluar futbollin qysh në moshën 11-vjeçare në qytetin e Durrësit. Trajneri i parë që e ka stërvitur dhe që i ka qëndruar pranë në hapat e futbollit ka qenë Shpendi Marku. Këtu ka marrë jetë ëndrra e Damjanos për tu bërë një futbollist i mire, i ndikuar edhe nga dëshira e babait të tij, i cili ka qenë vetë futbollist.
Gjatë një viti në Shkollën e Mjeshtërisë Sportive në qytetin e Durrësit është stërvitur nga trajneri Fatos Kuçi, por më pas iu desh të transferohej në qytetin e Elbasanit për shkak të punës së prindërve të tij. Transferimi në Elbasan duket se ka qenë një ogur i mirë për Damjanon, i cili u regjistrua në radhët e ekipit të të rinjve të Turbinës, që drejtohet nga trajneri Ferdinand Bilali. Ai ka qenë një nga pikat e referimit të skuadrës së tij në sulm, duke e nxjerrë shpesh nga situata dhe duke i dhënë fitoren.
Ecuria pozitive
Damjano po kalon një formë të mirë me skuadrën që aktivizohet aktualisht. 16 gola në 12 ndeshje në janë pak për një të ri. Kjo mesatare e lartë tregon se ai është nuhatës i lindur i golit. Mjafton të kujtojmë një “poker” golash në ndeshjen e parë në Skrapar, apo edhe një tripletë që Damjano i shënoi ekipit të Partizanit kryesues në një fitore 3-2 të ekipit të tij. Sopjani nuk është sulmues i mirëfilltë. Atij i pëlqen më shumë të luajë si fantazist prapa dy sulmuesve kryesorë, rol që e mbulon mjaft mirë. Trajneri e aktivizon si një sulmues të parë në rastet, kur skuadra ka vështirësi në gjëtjen e golit gjatë një ndeshjeje.
Ekspert i goditjeve standarde
Përveçse nuhatës i mirë i golit, Damjano është ekzekutues i shkëlqyer i goditjeve standarde. Nuk është rastësi që 6 gola i ka shënuar nga goditjet e dënimit, duke treguar qartë se ka një talent të veçantë për to. Edhe në rastet kur nuk ka mundur të shënojë nga goditje të tilla, gjithmonë i ka vënë në vështirësi portierët kundërshtarë.
Aktivizimi me Turbinën A
Përveç aktivizimit më sukses te Turbina U-19, ky djalosh është aktivizuar edhe tek skuadra e të rriturve të Turbinës. Ai është grumbulluar nga trajneri për ndeshjen e kampionatit kundër Domosdovës. Luajti 30 minuta në atë ndeshje, duke lënë përshtypje të mira te trajneri Engjëll Belshi.
Kombëtarja U-19.
Për shkak të formës së mirë që po kalon, Sopjani është përfshirë në listën e lojtarëve më të mirë të qytetit të Elbasanit, të cilët iu nënshtruan fazës seleksionuese për tri ditë në Kamzë nën urdhrat e Foto Strakoshës. Me shumë mundësi trajneri i U-19-ës do ta përfshijë në listë edhe në grumbullimet e mëpasme.
