E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosi 34-vjeçarin, identifikohet autori

Identifikohet autori, i cili plagosi një nga vëllezërit Allushi rreth 15 ditë më parë. Atentati ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur Shpendi Allushi po kalonte pranë xhamisë në rrugën "Myslym Keta". Burimet zyrtare të policisë së Tiranës bënë të ditur se specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, në lidhje me plagosjen me armë zjarri të shtetasit Shpendi Skënder Allushi, 34 vjeç, ngjarje kjo e ndodhur më datë 10 prill 2009, në sajë të një pune hetimore arritën të kryejnë dokumentimin e plotë ligjor të saj. Nga hetimet rezultoi se autor është Artil Çaushi, 38 vjeç, lindur dhe banues në Mëzez, emigrant në Itali. Dyshohet se autori i mësipërm, më datë 10 prill 2009, pasi ka dalë nga një lokal, pranë vendit të quajtur "Kafja e Rremës", pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar disa herë, me armë zjarri Shpendi Allushin, duke e plagosur në krah. Pas kryerjes së kësaj ngjarjeje, autori i dyshuar është larguar nga Shqipëria për në drejtim të Italisë. Ky person është shpallur në kërkim më 25 prill 2009, sepse akuzohet për veprat penale të "vrasjes së mbetur në tentativë". Në muajin shkurt, familja Allushi pati një tjetër përplasje me armë në Linzë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›