E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oriali: Kampionati i hapur, i tremben Juves e Milanit"

Kampionati nuk është aspak i mbyllur. Edhe në Champions League, kualifikimi është ende për t‘u vendosur. Për sa i përket Santonit e Balotelit, duhet të kthehen në rregull dhe të fillojnë të sillen si djem të rritur. Këto janë mendimet e Gabriele Orialit, konsulentit të merkatos së Interit në lidhje me situatën e aktuale të kuqezinjve. Duket sikur i jep të drejtë arsyetimit të Zhan Klod Blank, presidentit të Juventusit, që një ditë më parë kishte thënë, se lufta për titull është akoma e hapur. Oriali flet për vështirësitë, të cilat që tani e deri në fund të sezonit Interi duhet të përballojë për të mbajtur sërish stemën trengjyrëshe në gjoks, edhe pse ka një diferencë të madhe në pikë ndjekësit: "Për ne kjo nuk është një surprizë, ndoshta është për të tjerët, thotë Oriali. Për ne që i njohim kualitetet tona dhe karakteristikat tona, sigurisht nuk është diçka e re. Ne jemi ‘programuar‘ për të qëndruar në këto nivele jo vetëm në kampionat, por edhe në Champions League, për të luftuar deri në fund për arritjen e objektivave. Do të vazhdojnë në këtë rrugë, nuk kemi bërë asgjë të jashtëzakonshme, sigurisht na pëlqen të jemi në krye, t‘i shikojmë të tjerët pas, por është e qartë që kampionati italian është i vështirë. Pastaj, kemi edhe Juventusin dhe Milanin, që as nuk ta japin mundësinë të ulesh e të reflektosh. Gjithmonë ka konkurrencë, janë dy skuadra shumë kompetitive dhe besoj deri në fund do të japin maksimumin për të fituar kampionatin. Për sa i përket Champions-it, fitorja në Kiev nuk duhet të na bëjë të mendojmë se kualifikimi është arritur. Përkundrazi: nuk duhet të harrojmë që në Kiev ishim në vështirësi të mëdha. Le të themi se askush nuk e priste të arrinim deri në këtë pikë në Champions dhe se do të kishim një klasifikim të tillë, duke luajtur kundër Barcelonës. Rubin Kazan e Dinamo e Kievit nuk janë ekipe të lehta, kanë treguar se janë skuadra shumë kompetitive. Kalimi i turit ende nuk është i qartë, pasi do të luajmë kundër Barcelonës një ndeshje shumë të vështirë, por mendoj se është më e vështirë për ata sesa për ne. Edhe sepse ne kemi një tjetër mundësi në shtëpi kundër Rubin Kazan".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›