E Diel, 1 Nëntor 2026

Orik Shyti: Berisha në vështirësi, thërret “Hakmarrjen për Drejtësi”

Autori i Lajmit: RedaksiaOrik Shyti, i proceduar penalisht në Shqipëri si i përfshirë në krime të së ashtuquajturës “Hakmarrja për Drejtësi” ka hedhur dje akuza ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ai i është përgjigjur me një deklaratë për shtyp debatit të ndezur nga PD-ja, ku kjo e fundit pretendon të ketë zbuluar lidhjet e Arta Dades me Shytin, pasi djali i deputetes socialiste ka nisur dy pako postare në adresë të Orik Shytit. Ky i fundit ka fituar azil politik në Zvicër, por është i dënuar nga drejtësia shqiptare me burgim të përjetshëm, ashtu si dhe anëtarët e tjerë të “Hakmarrjes për Drejtësi”. Ata janë dënuar për 8 vrasje, 17 plagosje dhe 13 vjedhje të kryera gjatë viteve 1992 – 1996.

Deklarata e plotë e Orik Shytit

Përgjigje për Sali Berishën
Nga Orik Shyti
Sa herë që është në vështirësi Sali Berisha thërret në ndihmë “Hakmarrjen për Drejtësi”. E shpiku organizatën kriminale me emrin “Hakmarrja për Drejtësi” në prag të zgjedhjeve lokale të 20 tetorit 1996, vetëm pak muaj pasi kishte vjedhur zgjedhjet e përgjithshme të 26 majit 1996 dhe kur gjithë faktorët ndërkombëtarë po e tregonin me gisht si vjedhës dhe uzurpator të pushtetit. Që nga ajo kohë është ndodhur në vështirësi edhe shumë herë të tjera. Gjithnjë për shkak të bëmave të tij, e ka thirrur në ndihmë bijën e tij ilegjitime “Hakmarrjen për Drejtësi”. Këtë bëri edhe sot, më 28 janar 2010. I ekzaltuar nga “suksesi”, si fillim, nxori zëdhënësen për ti thënë opinionit: “Pak kush na ka besuar, por ja ku janë provat që Partia Socialiste është e lidhur me “Hakmarrjen për Drejtësi”. Provat që demonstron para kamerave janë mandat-postat që një qytetar i lirë, i njohur i imi, postoi kolitë që nuk kishte kush ti postonte. Ato nuk kishte kush ti postonte, sepse familjarët kanë marrë arratinë nga përndjekja e pandalshme, shumëvjeçare e kriminale e Sali Berishës, të afërmit dhe miqtë e hershëm nuk guxojnë se janë të terrorizuar nga banditët që Sali Berisha i ka veshur me pushtet. Qytetari i lirë nuk kishte arsye të fshihte emrin e tij. Ai nuk ka asnjë lidhje me akuzat që Sali Berisha i ka bërë “Hakmarrjes”. Por ka një lidhje që nuk e ka marrë parasysh. Ka nënën deputete të opozitës dhe sipas Sali Berishës fëmijët e kundërshtarëve të tij politik, më e pakta, duhet të jenë të lidhur me krimin. Po sipas tij, vetëm fëmijët e tij duhet të jenë engjëj krenarë se kanë baba Saliun. Ndërkohë, as unë nuk e fsheh emrin tim dhe adresën ku banoj, sepse jam qytetar i lirë në këtë vend, paçka se Sali Berisha i kërkon policisë ndërkombëtare (Interpolit) të më arrestojë për llogari të tij, duke u bërë qesharak sepse gjithkush e di se ku ndodhem. Mandatet postare janë dokumente të ligjshme të shtetit shqiptar dhe kolitë nuk kanë brenda sende të ndaluara nga ligji. Ligjërisht dhe logjikisht nuk jam unë që duhet të ndihem i turpëruar. Ligjërisht dhe logjikisht në bankën e drejtësisë duhet të ishte ulur Sali Berisha që futi në një apartament në qendër të Tiranës armë, dinamit, mina dhe gjithçka që ia mori mendja se duhet të kishte një organizatë kriminale që të besohej se donte ta “rrëzonte me dhunë nga pushteti, ta vriste” etj., pa harruar ti shkruante “organizatës kriminale” platformën dhe në kapakët e saj edhe emrin “Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë”. Dhe të gjitha këto prova gjykatat i kanë shpallur të pavërteta, por të mjerët gjyqtarë, në vend që të shpallnin emrin e falsifikatorit që krijoi prova të rreme për të dënuar një grup njerëzish dhe për të implikuar opozitën, dënuan viktimat. Fjala turp nuk ka vend të përdoret për Sali Berishën. Ai me turpin, shpifjen dhe gënjeshtrën ka vite që krenohet. Jam i sigurt se një ditë drejtësia do të çlirohet nga Sali Berisha dhe ai do përgjigjet para ligjit për krimet që ka kryer ndaj familjes time.

Ky lajm është publikuar: 29/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›