E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e trefishtë vetëgjyqësi, viktima i dënuar për dy përdhunime

Autori i Lajmit: Silvana BalliuVrasja e trefishtë në Durrës dyshohet të ketë si shkak përdhunimin e dy të miturave në vitin 2004, nga njëri prej viktimave.
Policia e Durrësit ka nisur hetimin mbi pistën e larjes së hesapeve, pasi viktima Luan Curri akuzohej për përdhunimin e dy të miturave, e për këtë është dënuar njëherë nga Gjykata e Shkallës së Parë me 10 vjet heqje lirie, bashkë me dy miqtë e tij, edhe ata të dënuar njëri me dhjetë vite burg e tjetri me tetë të tilla. Por me sa duket viktima ka mundur të dalë pa lagur nga e gjithë kjo histori, duke fituar lirinë shumë shpejt. Policia e ka ngushtuar rrethin e investigimit, duke hedhur dhe pistën e parë të hetimit mbi precedentin e mëparshëm të Currit, njërit prej viktimave të dy netëve më parë në një lokal në qytetin bregdetar. Kështu, vrasja duket se ka për shkak një histori të zakonshme vetëgjyqësie, hakmarrje për shkak të vendimeve të organeve të drejtësisë.
Vendimet e gjykatave
Në vitin 2004 policia e arrestoi Luan Currin pikërisht në afërsi të lokalit të tij në lagjen nr.9 në Durrës, më pas filloi ekzekutimi i dënimit, por më pas gjithçka do të ndryshonte. Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës do ta dënonte Currin me dhjetë vjet burg, ndërsa ky dënim do të lihej në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit. Por, ndryshe nga këto dy gjykata, ka qenë Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, ai që i ka dhuruar lirinë Luan Currit. Sipas vendimit të gjykatës së Lartë në lidhje me këtë çështje, dosja penale ndaj Luan Currit, si dhe dënimi i tij me dhjetë vjet burg për akuzën e “marrëdhënies seksuale me dhunë, me të mitur, në bashkëpunim”, u shpallën të pavlefshme. Gjykata e Lartë pushoi dosjen me argumentin se nuk kishte vepër penale. Në vendim thuhet ndër të tjera, se vajzat e mitura, njëra prej të cilave më pas ka bërë edhe denoncimin, e kanë marrë vetë në telefon Currin dhe me dëshirën e tyre kanë pranuar të shoqërohen në plazhin e Durrësit. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Luan Curri u la i lirë.
Rrëfimet
Dëshmitarë në vendngjarje i kanë thënë policisë dje se, në lokal gjendeshin rreth 9 persona, mes tyre edhe tre viktimat, ku Luan Curri dhe nipi i tij Ani Curri kanë qenë në një tavolinë, ndërsa Edmond Shemsi në një tjetër. Dëshmitarët nuk e kanë të qartë se cila ka qenë shënjestra konkrete e autorit, por dinë të thonë vetëm se nëse fishekët në armën tip automatik të autorit nuk do të kishin përfunduar pas 19 shkrehjeve, të gjithë do të kishin përfunduar viktima. “Autori ishte tepër gjakftohtë, shkrehu gjithë fishekët dhe u largua me qetësi. Menduam se do na vriste te gjithëve”, thotë një dëshmitar. Mësohet, se njëri prej viktimave Edmond Shemsi, ishte inxhinier ndërtimi në këtë qytet, dhe pa lidhje me dy viktimat e tjera.
Shoqërohen 15 vetë
Shoqërohen në policinë e Durrësit të dyshuarit e parë për vrasjen e ndodhur mbrëmë në një lokal të këtij qyteti në lagjen nr.9. Burime zyrtare të policisë thanë se gjatë natës dhe në orët e mëngjesit, kanë shoqëruar më shumë se 15 persona që janë verifikuar në Drejtorinë e Policisë nëse kanë lidhje me ngjarjen. Disa prej këtyre personave kanë qenë dëshmitarë të vrasjes së trefishtë pasi ndodheshin në lokal ndërsa pjesa tjetër njerëz të gjetur nga policia në afërsi të zonës së krimit.

Ky lajm është publikuar: 29/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›