E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha, padi në gjykatë për akuzat ndaj Dades

Autori i Lajmit: Redaksia

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama në daljen e tij publike për të përshëndetur projektrezolutën e KE-së i ka treguar edhe njëherë kreut të PD-së dhe Kryeministrit të vendit, Sali Berisha se do të përballet me një tjetër padi në gjykatë për akuzat ndaj deputetes Arta Dade. “I zhytur përditë e më shumë në batakun e një krize që e ka shkaktuar vetë, Sali Berisha ka nisur prej disa ditësh një nga sulmet e tij rrugaçërore ndaj Partisë Socialiste. Pikërisht dje, kur duhet tu kërkonte shqiptarëve ndjesë për marrëveshjen që u rrëzua unanimisht nga Gjykata Kushtetuese pa asnjë votë kundër, ky Esat Toptan i kohëve moderne, akuzonte si antishqiptare opozitën për ngritjen e zërit në Këshillin e Evropës në mbrojtje të vlerave dhe parimeve evropiane të demokracisë”, tha Rama. Ai shtoi më tej se, “Ndërsa sot, Sali Berisha nxori gjuhën për të ndotur me baltën e akuzave të tij kriminale Sekretaren Ndërkombëtare të partisë për faktin se po dëshmon në Këshillin e Evropës të vërtetën e hidhur të krizës së demokracisë në Shqipëri. Padyshim që një tjetër padi e pret për akuzat e sotme ndaj Arta Dades në prokurori e në gjykatë”. Ai shtoi se Sali Toptani nuk njeh kufi në paturpësinë e tij, ditën që rrëzohet për të gjashtëmbëdhjetën herë në Gjykatën Kushtetuese për shkelje të Kushtetutës e të interesave që Kushtetuta mbron, i vërsulet opozitës si rrezik për vendin, duke nxjerrë gjuhën për të bërë pis opozitarët që nuk i emëron dot në delegacionet e parlamentit dhe as i dërgon dot korridoreve të Evropës për të bërë avokatinë e pushtetit të tij të fundosur në llumin e padrejtësive.

Ky lajm është publikuar: 29/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›