Oriku antik vizitohet nga 2000 turistë
TIRANE-Gjatë sezonit veror numri i vizitorëve në qytetin antik të Orikut, 25 km në jug të Vlorës, u rrit pothuajse dy herë më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Drejtori i Parkut Kombëtar Amantia-Orikum, Gëzim Llojdia bëri të ditur dje se gjatë 3 muajve, korrik, gusht dhe shtator, mjediset e qytetit antik të Orikut i vizituan rreth 2000 turistë nga vende të ndryshme të rajonit e më gjerë, si dhe shqiptarë të Maqedonisë, Kosovës e Malit të Zi. Sipas tij, qyteti antik i Orikut është shndërruar tashmë në një destinacion për turistët e huaj, që gjejnë këtu vlera që ngjallin kureshtjen e tyre. Historia komplekse që përfaqëson ky qytet i lashtë dhe që lidhet me momente të rëndësishme të antikitetit dhe të periudhës së mesjetës, përbën sipas Llojdisë, një argument të mjaftueshëm që turistët e huaj të vijnë e të shohin këtë mjedis të lashtësisë. Në këtë drejtim kanë ndikuar edhe masat që janë marrë si dhe lehtësimi i kushteve për hyrjen e vizitorëve, që deri pak vite më parë përballeshin me procedura të shumta për shkak të pozicionit të qytezës që ndodhet brenda territorit të bazës ushtarake të Pashalimanit. Aktualisht, kjo pengesë është hequr dhe vizitorët mund të hyjnë lehtësisht në mjediset e Orikut. Historia e zbulimit të këtij qyteti nisi pothuajse 50 vjet më parë, kur në verën e vitit 1958, një ekspeditë e përbashkët shqiptaro-ruse do të niste gërmimet për të nxjerrë në dritë gjurmët e qytetit të lashtë të Orikut. Akademiku rus, Aleksandër Ballavacki dhe dy arkeologët shqiptarë, Dhimosten Budina e Selim Islami do të shfaqnin në sipërfaqe gjurmët e një historie që shkonte deri në më shumë se 2500 vjet. Ky qytet, i njohur dikur me emrin Jeriko, kishte zgjuar vazhdimisht interesimin e arkeologëve. Por kjo nuk do të vazhdonte gjatë. Interesat strategjike ushtarake të zonës do të devijonin destinacionin e kësaj pjese të bregdetit të Vlorës. Puna e nisur u la në mes dhe zbulimi i kryer i një pjese të teatrit 400- vendësh, i ngjashëm me atë të Trojës së njohur, do të eklipsohej.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)