E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbutet gjuha e fushatës, incidente të vogla

Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim, në raportin e monitorimit të javës së dytë të fushatës parazgjedhore, ka konstatuar një përmirësim në mënjanimin e fjalorit të ashpër dhe dukurisë së dëmtimit të pronave të partive politike.

Përfaqësues të këtij koalicioni thanë se megjithatë ka pasur disa incidente të vogla. Ndërsa edhe këtë javë, sikur javën e kaluar, janë raportuar raste ku personat zyrtarë marrin pjesë në aktivitete zgjedhore, gjatë orarit të punës.

Ismet Kryeziu, udhëheqës i Demokracisë në Veprim, tha se për dallim nga java e parë kur janë vërejtur thyerje të zyrave të partive politike, gjatë javës së dytë të fushatës nuk është vërejtur diçka e ngjashme. Ne vazhdojmë ti adresojmë brengat tona, të cilat përsëriten ose kanë intensitet më të lartë, që nënkupton shqyerjen e posterëve dhe mbulimin e tyre nga partitë e tjera. Kemi pasur dy incidente. Njëri ka qenë ndërmjet simpatizantëve të PDK-së dhe PSK-së në Shtërpcë dhe incidenti i dytë ka qenë një përleshje tjetër në Graqanicë, ka bërë të ditur Kryeziu, në konferencën për gazetarë.

Vërejtje tjetër që është paraqitur, është edhe shfrytëzimi i ndërtesave publike për qëllime partiake. Kështu ky koalicion ka vërejtur se në Prishtinë, Rahovec dhe Deçan shkollat janë përdorur për takime elektorale, në Prishtinë dhe në Klinë janë vendosur posterë nëpër objekte shkollore. Posterë janë vendosur në hapësirat e Komunës në Deçan, kurse
në Klinë janë vendosur në objekte të tjera publike, siç janë tabelat e komunikacionit.

Një shqetësim serioz, sipas Demokracisë në Veprim vazhdon të mbetet përdorimi i të miturve për qëllime partiake. Po ashtu, kjo javë karakterizohet me një varg ankesash nga partitë e ndryshme politike, e disa prej tyre të drejtuara edhe në Komisionin për Ankesa dhe Parashtresa. LDK në Prishtinë është ankuar se janë vendosur reklama në billboarde dhe TV nga ana e PDK-së, me përmbajtje fyese dhe pa autor, thanë drejtuesit e koalicionit.

Në këtë raport është paraqitur edhe monitorimi i mediave për mbulimin e fushatës parazgjedhore. Burim Ejupi, përfaqësues i Demokracisë në Veprim ka vlerësuar se ajo që është vërejtur qartë në këtë fushatë, për dallim nga fushatat tjera zgjedhore në Kosovë, është një kundërfushatë e fuqishme që kandidatët e partive bëjnë kundër njëri-tjetrit. Kjo kundërfushatë, sipas tij, prezantohet në media qoftë përmes spoteve/ reklamave, por edhe përmes raportimeve ku përçohen mesazhet negative që disa liderë i japin për liderët e tjerë.

Derisa sipas Ejupit, është vendim i redaksive të mediave nëse ato do ta përfshijnë fushatën negative në raport, në rastin e spoteve reklamuese që kanë karakter të kundërfushatës, sipas tij, është bërë një shkelje etike, meqë partitë politike nuk po tregojnë se kush po i paguan reklamat.

Televizionet janë të detyruara që të vendosin shirita informativë që tregojnë se një spot politik është i paguar nga një parti e caktuar, nëpër gazeta, sipas Ejupit, kjo mbetet e paqartë.

Ne konsiderojmë që janë partitë politike, dhe jo mediat, ato që duhet përkujdesur për të identifikuar subjektin i cili porositë/ paguan reklama të tilla, ka thënë ky përfaqësues i koalicionit Demokracia në Veprim.

Gjatë javës së parë, monirotimi ka treguar se nga partitë, hapësirë në gazeta ka zënë më së shumti PDK me 51.35 për qind, pason LDK me 42.9 për qind, AAK 31.7 për qind, LDD-AKR 30.75 për qind, e kështu me radhë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›