Orkestra e Akademisë së Arteve zhvillon koncert në Gjirokastër
Orkestra e Harqeve e Akademisë së Arteve në vijim të aktivitetit të saj artistik ka ndaluar dhe në qytetin e Gjirokastrës, për të dhënë koncertin e radhës, të një turi të ndërmarrë në një sërë qytetesh të vendit tonë. Muzikantët si dhe solistët Kastriot Tusha, Lorenc Radovani e Isak Shehu për rreth 60 minuta kanë interpretuar për publikun gjirokastrit pjesë të zgjedhura nga kompozitorë vendas e të huaj, si: Moxarti, Vivaldi, Preng Jakova, këngë popullore të përpunuara etj.
E ndiejmë veten shumë rehat në të gjithë këtë tur, që lidhet drejtpërdrejt me turizmin kulturor. Është një iniciativë e re e Ministrisë së Kulturës Turizmit Rinisë dhe Sporteve, që i jep një shtysë shumë të madhe këtij lloji turizmi dhe shpresojmë të shpërndahet më shumë gjeografikisht, thekson muzikanti Isak Shehu. Ndërsa për instrumentistin e njohur Lorenc Radovani rikthimi në Gjirokastër përbën gjithmonë risi. Ky koncert është në kuadrin e një turi, të orientuar drejt muzikës klasike, por jemi përpjekur të zgjedhim një repertor që të kënaqim të gjitha gustot dhe shijet e publikut, tregon Radovani. Koncerti në Gjirokastër vinte pas atyre të zhvilluara në Berat, Sarandë e Ksamil, ndërsa turi i Orkestrës së Harqeve të Akademisë së Arteve do të vijojë më tej me qytetet e Shkodrës dhe Tiranë