E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Mjedisit pranon ndotjen e rrezikshme të ajrit në kryeqytet

Garuli: Shkaktarët, ndërtimet pa kriter dhe cilësia e ulët e karburanteve 
Tirana mban vendin e parë në listën e zezë të ndotjes së ajrit. Këtë e dëshmon rezultati i monitorimit, i kryer këto dy vitet e fundit nga organizata të huaja ambientaliste, të cilat kanë bërë studime të ndryshme për monitorimin e ajrit në rajon dhe në botë. Organizata si "Eden" apo Unioni Botëror për Ruajtjen e Natyrës UBRN, në studimin më të fundit kanë konstatuar se çdo mëngjes në Tiranë është i barabartë me 150 milionë grimca smogu për çdo frymëmarrje. Ndërkohë, grafiku i publikuar kohët e fundit për monitorimin e ajrit të kryeqyteteve në Evropë dhe në botë, i kryer nga Këshilli Evropian, e cilëson Tiranën si një ndër qytetet me ajrin më të ndotur.Sipas këtij grafiku, kryeqyteti për nga ndotja radhitet i dyti pas Nju - Delhit për sasinë e grimcave të ndotjes (PM10). Një tjetër studim i kryer kohët e fundit edhe nga organizatat rajonale të mjedisit flet ,gjithashtu, për shifra tepër të larta të pluhurit në atmosferën urbane për territorin e kryeqytetit tonë. Si të mos mjaftonte kjo, edhe studimet që kanë kryer shoqatat e tjera ambientaliste, të cilat janë grupim i "Ekolëvizjes", tregojnë se në rajon Tirana mban vendin e parë për ndotje. Banorët e Tiranës jetojnë në qytetin më të ndotur të Shqipërisë. Autoritete mjedisore në vend, deklarojnë se kryeqyteti, është aktualisht në rreth të kuq sa u takon parametrave tregues të ndotjes së ajrit. Sipas zëvendësministrit të Mjedisit Aleksandër Garuli, nga 10 elementët kryesor të ajrit, 2 prej tyre janë mbi normën e lejuar. Niveli i lartë i Pm10, që në gjuhën e përditshme quhet blozë si dhe LNP-ja apo ndryshe grimcat e pluhurit, përbëjnë sot për sot ndotësin më të madh të ajrit në Tiranë. Sipas zëvendësministrit Garuli, shkak i kësaj ndotje të madhe janë ndërtimet pa kriter si dhe karburanti i keq i përdorur për automjetet. Gjatë 2009-ës ministria e Mjedisit i ka vendosur bashkisë së kryeqytetit 14 gjoba, pikërisht për mos zbatimin të kushteve mjedisore në ndërtime.
Grimcat vdekjeprurëse
Plumbi (Pb) është një nga elementet që lëshon herë pas herë grimca të ndotjes në hapësirën tonë, duke rrezikuar seriozisht jetën e njerëzve. Ky element në Shqipëri është mbi normën nga rekomandimet e OBSH-së. Shkaqet kryesore që ndikojnë në rritjen e këtyre grimcave janë shtimi i numrit të automjeteve që përdorin benzinë. Edhe dyoksidi i squfurit (SO2) vazhdon të jetë nën kufijtë e lejuar, për sa i përket kryeqytetit, pasi djegia e lëndëve fosile nga industritë ekzistuese është shtuar ndjeshëm nga djegia e mbeturinave urbane, për të cilat nuk ekziston asnjë impiant i përshtatshëm për përpunimin, apo riciklimin e tyre. Një tjetër grimcë ndotjeje që sa vjen edhe shtohet është edhe dyoksidi i azotit (NO2), i cili lidhet kryesisht me shkarkimet e automjeteve në zonat urbane. Ky element është shtuar ndjeshëm vetëm këto dy vitet e fundit, sidomos në zonën "21 Dhjetori", ose në Elbasan, në zonën e Kombinatit Metalurgjik. Ozoni (O3) është cilësuar nga ambientalistët si një prej grimcave më të rrezikshme të ndotjes, i cili në Tiranë sa vjen e shtohet, por mbetet gjithashtu edhe një dukuri globale për tërë rajonin
Firmat e ndërtimit, shkaku kryesor i ndotjes
Ajri i papastër që thithim është shumë herë më i lartë se sa normat e lejuara. Në zona dhe në akse të caktuara të Tiranës, ndotja shkon deri në 10 herë mbi normat e lejuara. Në kushte të tilla, ARM ka qenë e detyruar të reagojë dhe të marrë masa për parandalimin e këtij skandali që po ndodh në rrugët e kryeqytetit. Kryetari i Agjencisë Rajonale të Mjedisit të Tiranës, Ilir Bala, para pak kohësh ka vendosur ndërprerjen dhe pezullimin e punimeve në tre rrugë dhe dy ura të kryeqytetit, të cilat janë në fazën e rikonstruksionit nga Bashkia e Tiranës. E gjithë kjo vjen, sepse firmat që kanë fituar tenderat për rikonstruksionin e këtyre akseve nuk kanë respektuar aspak kushtet dhe parametrat mjedisorë. Masa ndëshkuese kundrejt këtyre firmave është që janë gjobitur me 300 mijë lekë dhe gjithashtu këtyre firmave do tu kërkohet të ndërpresin kontratat që kanë lidhur me Bashkinë e Tiranës. Për këtë masë ishim të detyruar dhe do të praktikojmë gjoba të tjera nëse këto kushte të vëna nga ne nuk do të zbatohen, - deklaroi Bala. Gjatë rikonstruksionit të këtyre akseve janë vënë re kamionë të mëdhenj të pambuluar, të cilët transportojnë materiale ndërtimi. Përveç faktit që ata krijojnë probleme në bllokimin e trafikut nëpër rrugë, ata ndotin në masë të madhe ajrin me pluhurin që lëshojnë këto materiale. Betoniere me përmasa të mëdha qarkullojnë nëpër rrugët e kryeqytetit, duke ndotur rrugët. Të gjitha këto dëshmojnë qartë mosrespektimin e kushteve mjedisore nga ana e firmave, të cilat nuk kanë plotësojnë asnjë nga parametrat e mjedisit gjatë punës së tyre. Për këtë arsye, Agjencia Rajonale e Mjedisit i kërkon Bashkisë së Tiranës përcaktimin e një vendi, ku të bëhet i mundur depozitimi i mbetjeve inerte, të cilat krijohen si rezultat i punës së kryer gjatë rikonstruksioneve të akseve rrugore. Edhe pse Këshilli Bashkiak vendosi disa rregulla për mënyrën se si do të punojnë firmat e ndërtimit në kryeqytet madje ajo miratoi edhe një sërë gjobash për shkeljet që do të viheshin re nga këto firma. Mirëpo edhe pas këtij vendimi puna e këtyre firmave vazhdon të jetë në të njëjtat kushte duke shkelur të gjitha rregullat e mirëmbajtjes së ambientit.

***********************************************
Zonat më të ndotura në Tiranë
Sipas monitorimit të kryer nga organizatat e grupimit "Ekolëvizja", ka rezultuar se 13 zona kanë një ndotje të përcaktuar si 5 deri në 10 herë më të lartë sesa norma e BE-së. Ndër këto zona më "pikantja" është "21 Dhjetori", me 445 mg/m3, ndërkohë që normat e lejuara nga BE-ja janë 50 mg/m3. Sipas kryetarit "Ekolëviza", z. Sulejman Mato, kjo shifër është marramendëse dhe padyshim shqetësuese, sepse duke ditur normat e BE-së, problemi i shtimit të grimcave të ndotjes bëhet gjithmonë e më shqetësues. Ai sqaroi, përveç të tjerash, se nga monitorimi që është bërë në 3 vitet e fundit rezulton se në këtë zonë ndotja ka ardhur në rritje. Sipas tij, në vitin 2003 ndotja e ajrit nga grimcat e imëta (PM 10) ishte me 483 mg/m3, ndërsa në vitin 2004 u vu re një përmirësim i nivelit të ndotjes nga grimcat e imëta (PM 10) në 432 mg/m3. Përsa i përket vitit 2005, rritja e grimcave të ndotjes u përkeqësua, pasi niveli i ndotjes nga grimcat e vogla u rrit me 13 mg/m3. Edhe gjatë 3 viteve të fundit, niveli i ndotjes, sipas monitorimit ka ardhur gjithnjë në rritje. Ndërsa në vendin e tretë, në këtë katrahurë ndotjeje nga grimcat e imëta (PM 10) vjen "Pazari i Ri", me 110 mg/m3. Pas kësaj zone radhitet zona rreth liceut artistik "Jordan Misja", e cila ka një sasi ndotjeje nga grimcat e imëta (PM 10) me 105 mg/m3. Përsa i takon zonës tek Instituti i Shëndetit Publik, është shënuar një nivel ndotjeje disi më i ulët nga grimcat e imëta me 73 mg/m3, por prapë më e lartë se normat e BE-së, pasi mesatarja e ndotjes nga grimcat e imëta PM-ja duhet të jetë 50 mg/m3. Sipas specialistit Mato, ajo që është më shumë shqetësuese është fakti se niveli i ndotjes po vjen në rritje nga viti në vit, duke shtuar se kjo situatë është akoma më problematike, sepse mesatarja e popullsisë në Tiranë është më e lartë se në çdo qytet tjetër.

Last Updated on Sunday, 12 July 2009 17:37

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›