E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orkestra izraelite, kompozitori nazist

Orkestra Kamertale e Izraelit do të thyejë traditën, duke luajtur veprat e kompozitorit të preferuar të Hitlerit, Richard Wagner, në Bayreuth, të Gjermanisë. Nga Express më 26 korrik 2011 në ora 17:23

Gjatë Festivalit të Wagnerit në Bayreuth, Roberto Paternostro do të dirigjojë të martën pjesën e tij “Siegfried Idyll”.

Është ky një rast i rrallë që muzicientët izraelitë të luajnë veprat e këtij kompozitori anti-semit, që ishte kompozitori i preferuar i nazistëve.

Paternostro pohon se, edhe pse ideologjia e Wagnerit ishte “e tmerrshme”, qëllimi i tij dhe i orkestrës është që “ai të ndahet nga arti i tij”.

Një ndalesë jozyrtare për interpretimin e veprave të Wagnerit ishte prezantuar në vitin 1938, nga ana Orkestrës së Palestinës (e cila sot quhet Orkestra Filharmonike e Izraelit), menjëherë pasi që çifutët në Gjermani ishin sulmuar nga nazistët.

Drejtori muzikor Paternostro thotë se kjo “ishte një rrugë shumë e vështirë, me përplot gurë”, megjithëse “unë për asnjë moment nuk pata mëdyshje për këtë projekt”.
"E ide që kjo gjë nuk pranohet në Izrael”, shton Paternostro, i cili edhe vetë është një çifut, nëna e të cilit kishte arritur të mbijetonte Holokaustin.

"Por, shumë njerëz më kanë thënë se tani është koha që ne t’i konfrontohemi Wagnerit, dhe në veçanti që këtë ta bëjnë gjeneratat e reja”, thekson ai. Sipas Paternostro’s, ishte tepër herët që Wagner të interpretohej në Izrael, kështu që orkestrës iu desh që as punën e as provat të mos i bëjnë atje.

Ovacione të mbështetjes

Hitleri ishte një adhurues pasionant i veprave të Wagnerit - i cili jetoi mes viteve 1813 dhe 1883 – por edhe i teorive të tij lidhur me pastërtinë raciale të Gjermanëve.
Në Fakt, orkestrimi i Orkestrës Kamertale të Izraelit përbënë një pjesë periferike të festivalit, i cili lidhet me festivalin vjetor kushtuar operave të Wagnerit, që mbahet në Bayreuth, dhe i cili filloi të hënën me veprat Tannhauser.

Në korrik të vitit 2001, dirigjenti izraelit Daniel Barenboim ishte ai që gjatë një festivali vjetor izraelit i priu një orkestre gjermane, derisa kjo e fundit po ekzekutonte një pjesë nga opera e Richard Wagner ‘Tristani dhe Isolda’.

Para koncertit të mbajtur në Jerusalem, dirigjenti izraelit Barenboim i tha audiencës se orkestra do të interpretonte atë vepër, dhe se, kushdo që kishte diçka kundër saj mund ta braktiste sallën.

Disa nga shikuesit e lëshuan sallën përplot zemërim, megjithëse në fund të interpretimit të veprës, audienca e mbetur i drejtoi atij dhe orkestrës ovacione në shenjë mbështetje.

Në dhjetor, pianisti Barenboim iu tha gazetarëve se: “Ne na duhet që një ditë ta çlirojmë Wagnerin nga e gjithë kjo barrë”.

Richard Wagner

Richard Wagner (1813-1883), i cili veten e konsideronte si "më gjermani mes burrave" dhe si "një shpirt gjerman", nuk njihet vetëm për 13 opera dhe kompozime të shumta të tjera të tij, por edhe për shkak të ndikimit të tij të pakontestueshëm në të kuptuarit e kulturës dhe historisë gjermane.

Në fakt, Wagner konsiderohej si anarkist dhe socialist dhe, njëkohësisht, edhe si një proto-fashist dhe nacionalist, por edhe si vegjetarian dhe antisemit.

Emri i tij ndërlidhet ngushtë me pothuaj të gjitha synimet historike të Gjermanisë gjatë shekullit të 19 dhe atij të 20.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›