E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orteku, gjendet viktima e fundit e tragjedisë në Restelicë

DRAGASH - Ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë bërë të mundur gjetjen e viktimës së fundit të fatkeqësisë në Restelicë të Sharrit.

Trupi i pajetë i 20-vjecarit Resmin Reka u gjet rreth orës 13:35, ndërsa komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati e shpalli të përfunduar operacionin e FSK-së në këtë fshat.

Fisi Reka jetonte në dy banesa pranë njëri-tjetrit. Dhjetë pjesëtarë të familjes Reka vdiqën brenda një dite. Ata i zuri brenda shtëpive një ortek dëbore i ardhur nga Bjeshkët sipër shtëpive.

Por, mes gjithë kësaj tragjedie ndodhi edhe një mrekulli. Vajza 5-vjeçare e familjes Reka, Amsera u gjet e gjallë nën rrënojat e shtëpisë së shkatërruar nga orteku. Amsera është vajza e Avdullah 30 vjeç dhe Garka 29 vjeç Rekës, të cilët kanë vdekur. Bashkë me ta ka humbur jetën edhe Amari,djali i tyre 2-vjeçar.

Përvec këtyre në këtë tragjedi kanë humbur jetën Fehim, 57 vjec Zekia 54 vjeç, Rexhep 58 vjeç, Fatima 58 vjeç, Seldin 17 vjeç dhe Resmina, 20 vjeç binjake me djalin që u gjet sot i pajetë .

Banorët e Restelicës janë të tmerruar nga ajo që kanë parë të shtunën në mëngjes. Përveç dhimbjes që kanë për fqinjët e tyre ata me të gjitha forcat kanë ndihmuar forcat e FSK-së, policisë dhe KFOR-it që të nxjerrin nga rrënojat trupat e të vdekurve.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›