E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënder Haluci: Futëm në kurth Hekuran Isain për të mbijetuar

Ata ishin disa djem nga Bujani i Tropojës që bënin një bisedë mes shokësh. Vetë mosha adoleshente e tyre ish
te shkak për një debat më se të sinqertë. Gjithsesi në atë moment as që u shkonte në mendje se pikërisht ajo bisedë e bërë aty në thellësi të maleve të Tropojës, do të bëhej shkaku i një kalvari të stërmundimshëm vuajtjesh dhe peripecish. Nuk do të vononte që gjithçka ishte thënë aty të mësohej saktësisht nga sigurimi i shtetit të asaj kohe. As më pak dhe as më shumë por tema e tyre kishte në epiqendër vetë udhëheqësin komunist Ramiz Alinë. Ishte viti 1983 kur ai kishte pak kohë që kishte përfunduar vizitën e bujshme në rrethin e tyre të Tropojës. Çuditërisht, atyre djemve edhe pse të vegjël, e ndjenin se u ishte mërzitur jeta nga sistemi komunist. Megjithëse të rinj dhe duke jetuar shumë larg Tiranës, në kushtet e transportit të atëhershëm, ata e parashikonin dhe e kuptonin se Enver Hoxha numëronte ditët e fundit të jetës. Tashmë sipas tyre, pengesë për rrëzimin e komunizmit ishte vetëm Ramiz Alia të cilin do të kishin bërë mirë që gjatë kohës që kishte kaluar në rrethin e tyre të mund ta asgjësonin. Kaq ide ishte dashur që fantazia e tyre djaloshare të kalonte nga një variant atentati në një tjetër, se si mund të ishte eliminuar Ramiz Alia. As që mund ta mendonin se vetëm me atë bisedë të atyre çasteve ata do të bëheshin të njohur në të gjithë Shqipërinë, madje rreth portretit të tyre në të gjitha krahinat e vendit do të thureshin subjekte me frymëzim legjendash. Ishte momenti kur me shpejtësinë skëterre, u përhap lajmi se "Shoku Ramiz i paska shpëtuar në fije të perit atentateve të mirëorganizuar në Veri të Shqipërisë për t'i marrë atij me çdo kusht jetën".
E çuditshme dhe e pabesueshme ngjarja e ndodhur si në filmat hollivudianë ku në qendër të tyre qëndrojnë heronjtë tragjikë, por në Shqipërinë e vogël që bie shumë larg Hollivudit, subjekti s'ka qenë artistik por një ngjarje e vërtetë.
20-30 djem në prangat e policisë ndërkohë që disa prej tyre morën dënimin kapital "Vdekje me Pushkatim". Dy prej tyre u falën nga dënimi kapital.
Ky ishte pak a shumë bilanci i ngjarjes që pasoi vizitën e bujshme të Alisë në veri-lindje të Shqipërisë, Kukës, Has, Tropojë etj.
Lajmi se në veri kishin funksionuar dy grupe armiqësore shumë të rrezikshme që donin të bënin atentat ndaj udhëheqësit, u bë jo vetëm i besueshëm, por filloi të zgjerohet dhe të lustrohet me episode legjendash. Njëri grup u kap në takimin e Hasit pikërisht kur Alia po hipte në tribunën e mitingut ndërsa tjetri në Tropojë. Të paktën ky është lajmi i përhapur me bujë dhe ai që besuan njerëzit. Por, askush nuk mësoi asnjëherë se ai i Tropojës paskishte qenë vetëm një bisedë të rinjsh të përmendur në fillim të këtij epilogu ndërsa tjetri në Has nga sa mësohet sot paska qenë një konflikt mes dy rivalëve që s'kishin as një lidhje me atentatin për të cilin u akuzuan.
Gjithsesi, dy prej të rinjve të Tropojës të dënuar nga Gjykata e Lartë me "vdekje me pushkatim" u është falur jeta nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, Kryetar i të cilit ishte vetë Ramiz Alia. Ata janë dy kushërinj të parë Isuf dhe Skënder Haluci.
Isufi fatkeqësisht nuk jeton më ndërkohë që kontaktojmë me Skënder Halucin i cili tashmë është dekretuar gjyqtar në Vlorë.
Një ndër shkaqet që Skënder Haluci pranon të flas për opinionin publik është fakti se ndjehet i shqetësuar që sërish vijohet të deformohet dhe të mos dihet mirë e vërteta. Ai merr shkas edhe nga një intervistë të dhënë për atë ngjarje nga vetë sekretari personal i Ramiz Alisë zoti Guro Zeneli i cili sipas Halucit nuk është fare i qartë mbi atë çka ndodhur në të vërtetë në ato ditë terrori mbi popullin e Hasit dhe të Tropojës gjatë dhe pas turit politik të Ramiz Alisë në ato krahina.
Për më tepër le të ndjekim vetë intervistën e zotit Haluci.

(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Haluci, u ndalët goxha nga numri i kaluar në lidhje me përpjekjet tuaja për të mos jetuar në Shqipërinë komuniste. Madje të shkoi edhe mendja se përse nuk i bëtë atentat Alisë gjatë vizitës së tij në Tropojë. Pse kishit aq mllef për sistemin, kishit arsye? E them këtë, se të jesh kaq i betuar, do të thotë se duhet të kesh një shkak më shumë se të tjerët, që të bëhesh kaq i shqetësuar që jeton në atë sistem.
Si thua ti, nuk kisha arsye për ta urryer atë regjim?! Kur unë isha vetëm 5 vjeç, babai im për të shpëtuar nga arrestimi është detyruar të arratiset nga Tropoja, së bashku me mua dhe vëllain tim më të madh që atëherë ishte 9 vjeç dhe ka shkuar në ish-Jugosllavi, në Vuthaj të Malit të Zi tek vëllai i tij, i cili ishte arratisur që në vitin 1952. Kam provuar burgjet komuniste duke filluar në moshën 5 vjeç, disa ditë në Titograd, sot Podgoricë, pastaj pasi na kthyen pas 9 muajsh, kam kaluar disa ditë në burgun e Shkodrës dhe disa ditë në qelitë e tmerrshme të burgut të Bajram Currit. Mua dhe vëllain na lanë të lirë për arsye moshe, kurse babain e dënuan me 15 vjet burgim. Si thua ti, Z. Veliu?!
Sa vjeç keni qenë kur jeni arratisur?
Kam qenë vetëm 5 vjeç. Më mori babai me vete, të shpëtonim nga ai regjim i padurueshëm.
Po si ka mundësi, kur ju u ndodhët sërish në Shqipëri?
Na kthyen komunistët jugosllavë. Sigurimi i shtetit shqiptar kishte marrëdhënie të shkëlqyera me UDB-në Jugosllave dhe pas 9 muajsh na kthyen në Shkodër.
Sa vjet burg bëri babai?
Babai im nuk arriti të dilte më nga burgu. Ai pas kthimit nga Jugosllavia u dënua 15 vjet burg. U ridënua përsëri në vitin 1974, pasi mori pjesë aktive në revoltën e të burgosurve politikë të Spaçit. Ishte vetëm 46 vjeç kur ndërroi jetë në dhjetor të vitit 1975, ndërkohë që vuante dënimin në Burgun e Burrelit. Pas kësaj, unë si u rrita, madje kur isha rreth moshës 20 vjeç, duke mos pasur asnjë të ardhme për jetën, mendoja çdo ditë që të arratisesha nga Shqipëria për të shpëtuar njëherë e mirë nga regjimi.
Nuk kishit prapë frikë nga UDB-ja?
Nuk tentova kurrë më të arratisesha nga kufiri me ish-Jugosllavinë, sepse e dija se përsëri do më kthenin. Në vitet 1982-1983 kam shkuar disa herë në Gjirokastër për t'u arratisur në Greqi, sepse grekët nuk të kthenin. Kështu që ndërsa rrinim në Tropojën e përvuajtur nga komunizmi, edhe pse ishim të njomë mendonim si të mund të shpëtonim prej atij regjimi gjakatar. Dhe këtu dolëm te historia të cilën jua përshkrova pak më lart, kur gjashtë muaj si kishte ikur Ramizi ne diskutonim se kishim bërë gabim që s'kishim ndërmarrë ndonjë lloj atentati ndaj tij dhe kështu që pas vdekjes së Enverit, sipas nesh, do të mund të përmbysej komunizmi.
Dhe thatë se pas asaj bisede ju u arrestuat. Si u mësua?
Ne e dinim se ishim gjithmonë të survejuar nga sigurimi i shtetit. Por, siç e dini, sigurimi i shtetit ka qenë i tmerrshëm atëherë. Ku s'i ka pasur spiunët dhe bashkëpunëtorët. Bisedat dhe veprimet tona ishin të njohura për sigurimin e shtetit dhe përfundimi dihet, një arrestim spektakolar. Një demonstrim force përpara popullit të Tropojës, kur na nisën për në Tiranë, duke na nxjerrë në sheshin kryesor të qytetit të lidhur me pranga dhe me litarë, nga Dega e Punëve të Brendshme deri në mes të sheshit ku ishte autokolona e makinave që do na sillte në Burgun e Tiranës.
Kur u arrestuat?
Ka qenë mesnata e 24 nëntorit 1983-it, pra plot gjashtë muaj pasi Ramiz Alia ishte larguar shëndoshë e mirë nga Tropoja. Arrestimi është një histori më vete. Sepse nuk erdhën sikur do të arrestonin dy të rinj, por sikur po arrestonin super kriminelin e botës. E ngjashme me atë aksionin që dimë për kapjen e Bin La Denit. Ishin forca të tëra speciale të 326-ës së famshme, të mbështetura nga mjete të blinduara dhe lloje të ndryshme armësh duke e rrethuar shtëpinë nga të gjitha anët. Atë natë në shtëpinë time u arrestuam unë dhe djali i xhajës tim, Isuf Haluci, i cili siç mund të keni dëgjuar, është vrarë me 29 shkurt të vitit 1992 në urën e Tragetit të Tropojës, ndërkohë që po përcillte drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratike, të cilët ishin në Tropojë për të hapur fushatën elektorale të kësaj partie për zgjedhjet politike të 22 marsit të vitit 1992.
Po si mendoni ju, përse bënë një "spektakël" të tillë?
Demonstrim force, për të terrorizuar tropojanët, për të thënë se kapëm dhe asgjësuam një grup armiqësor shumë të rrezikshëm. Ti duhet ta kesh dëgjuar që është përmendur shumë "Grupi i Tropojës", që gjoja do të vriste Ramiz Alinë.
Sa muaj hetuesi bëtë?
Plot 26 muaj hetuesi, në hetuesinë speciale në Tiranë, nën tortura çnjerëzore nga një grup hetuesish të zgjedhur në të gjithë Shqipërinë dhe të njohur si hetuesit më gjakatarë që kishte Shqipëria në atë kohë. Disa prej tyre janë edhe sot në organet e drejtësisë, të cilët siç e kam thënë edhe herë të tjera, kanë marrë pjesë aktive në gjurmimin, arrestimin, hetimin, torturimin, dënimin dhe ekzekutimin e shumë shqiptarëve për motive krejtësisht politike. Në përfundim të hetuesisë, një mal me akuza, komplet Kodin Penal të asaj kohe, pjesën "krimet kundër shtetit".
Mundeni t'i kujtoni?
Po përpiqem, "tradhtia ndaj atdheut në formën e kryerjes së porosive të agjenturave të huaja, (CIA-s dhe UDB-së); "agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor"; "sabotimi i ekonomisë socialiste"; "tentativa e arratisjes jashtë vendit"; "armëmbajtje pa leje", si dhe "shkelja e dispozitave mbi arin e valutën" etj.
Hetuesia thatë përfundoi pas 26 muajsh?
Pas 26 muajsh, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë me juridiksion fillestar na dënoi me "Vdekje me Pushkatim". Pastaj gjithë trungu i familjeve tona, plot 18 frymë, do të përfundonin në internim në Kotë të Vlorës, ndërkohë që unë dhe Isufi do të rrinim nën pushtetin rraskapitës të superprangosjes nga duar e këmbë, si dhe me kokën të mbështjellë nga helmeta metalike. Pra në kushtet e njeriut që pret të ekzekutohet.
Por, si arritët t'i "shmangeshit" plumbit të skuadrës së pushkatimit?
Historia e thesarit ishte edhe një përpjekje e fundit për të kthyer situatën në favorin tonë. Nga ana tjetër, Isufi, duket gjatë gjithë zhvillimit të gjyqit e vuante shumë faktin se bashkë më të po shkoja edhe unë drejt dënimit me vdekje. Ishte katër vjet më i madh në moshë se unë. Duket, ndihej përgjegjës. Ndërkohë, unë e kisha vënë re se ai gjatë gjithë zhvillimit të gjyqit, ishte përpjekur që të devijonte akuzat që më përfshinin edhe mua. Saktësisht mohoi të gjitha akuzat, duke i quajtur të montuara, por edhe pohoi gjithashtu, sido që të vinte puna, se Skënderi, pra unë, nuk ishte i përzier me asnjë prej tyre. Mori gjithçka përsipër vetë.
Ju do të thoni se alibia e arit që Isufi hodhi mbi tavolinën e sigurimit në atë kohë nuk ka qenë një ide e momentit, por një veprim i menduar dhe ideuar prej kohësh?
Unë jam i bindur se më shumë se për veten, Isufi e kishte menduar planin e vet deri në imtësi, duke përllogaritur provokim-vëzhgim rezultati edhe kundër-reagimet e kundërshtarëve. Ai kishte menduar t'u jepte një provë të fortë njerëzve, që kishin në duar fatin e jetës së tij dhe jetës sime, me qëllim që ata të nisnin të besonin seriozisht në historinë e legjendës së thesarit.
Fillimisht, që të besonin se e kishte seriozisht për thesarin, Isufi u tha atyre të Sigurimit të Shtetit se ku gjendej një pjesë fare e vogël e tij.
Në të vërtetë, ishte marrë Isufi me flori, që i shkoi mendja te një alibi e tillë, duke ditur se do të besohej?
Me Isufin në atë kohë bënim tregti me anë të florinjve, që i mblidhnim në zonën e Tropojës dhe i dërgonim jashtë vendit me anë të shoferëve të kamionëve të tregtisë së jashtme, të cilët, kur ktheheshin, na sillnin mall, orë e sende të tjera, çikërrima të ngjashme, por shumë të kërkuara në tregun e kohës.
Pra Isufi, në një farë mënyre e njihte floririn dhe se duhet të ketë pasur, ndryshe nuk mund të përdorte një alibi të tillë, apo jo?
Para se të na arrestonin, kujtoj se kishim gjendje 23 monedha floriri, që Isufi i mbante të fshehura në murin e shtëpisë së tij, në Bujan, pas një tulle që duhej hequr. Pas arrestimit tonë, duke e ditur se kishim nëpër duar florinj, policia dhe Sigurimi kontrolluan të gjitha vrimat e mundshme, me mjete të sofistikuara të kohës, përfshi edhe mina apo metalkërkues, madje e mbajtën shtëpinë të rrethuar për një javë, por pa mundur të gjenin ndonjë gjë të vlefshme. Kështu Isufi, në zbatim të planit të tij, u rrëfeu krerëve të Ministrisë së Brendshme të asaj kohe se ku gjendej "një pjesë fare e vogël e thesarit". Ata shkuan në shtëpinë e tij në Bujan dhe i gjetën 23 monedhat pikërisht pasi hoqën tullën që u kishte thënë Isufi. Duket, saktësia e informacionit dhe e vërteta e vërtetuar, bindi krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme që të besonin tek pjesa tjetër, te thesari i Bujanit, i fshehur në një zgavër të lumit Valbonë.
Kështu, më 22 shtator, Krerët e Sigurimit të Shtetit së bashku me Isufin u nisën për në Tropojë.
U rakorduat juve me Alibinë e Isufit? Pra a ju morën në pyetje para se të shkonin për të verifikuar atë çka u sajonte Isufi?
Para se të niseshin për në Tropojë, ata të Sigurimit më morën në pyetje. Ndërsa unë bëra lojën e Isufit, djalit të xhaxhait, që e adhuroja. Më pyetën për thesarin dhe u thashë se nuk dija asgjë. Kështu më kishte mësuar Isufi. Ne, por edhe të gjithë të burgosurit e tjerë, komunikonim ditë e natë me anë të një kodi që ishte shpikur në burg, i ngjashëm me atë MORS, ku një germë e caktuar e alfabetit kishte një numër goditjesh përkatëse në murin ndarës të qelive. Ndërsa ditën e dytë të marrjes në pyetje, duke bërë sikur u theva nga presioni, u rrëfeva xhelatëve se e dija se Isufi kishte një sasi floriri, por u thashë se nuk e dija se ku e mbante të fshehur. Duket ky pohim i bindi përfundimisht ata të Sigurimit dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, se Isuf Haluci nuk i mashtronte për "thesarin".
Pas kësaj, kishin arsye të shkonin?
Shpura e policisë dhe disa krerë të Sigurimit të Shtetit kishin udhëtuar për gjatë gjithë natës për në Tropojë. Isufin e kishin lidhur këmbë e duar me hekura, ndërsa në dy krahët i rrinin dy policët më viganë të Repartit Special nr. 326, një nga të cilët ishte kampion në sportin e mundjes, të cilët i njoh edhe sot dhe më kanë folur për këtë udhëtim.
Siç më tregoi Isufi më pas, dy policët që e kishin marrë përsipër sigurimin e tij, njërën dorë e kishin të lidhur me pranga me dorën e tij. Kështu kishin udhëtuar gjatë gjithë natës me makinë, kështu kishin ecur përgjatë shtratit të Valbonës, kështu kishin parë shfaqjen për gjetjen e thesarit në vendin ku përroi i Shydenicës bashkohet me lumin e Valbonës duke krijuar një zgavër gjigante.
Me të mbërritur te vendi i thesarit, te gropa në lumë, ku Isufi kishte treguar me gisht vendndodhjen e thesarit, një polic, që bënte zanatin e palombarit, ishte zhveshur për t'u veshur me kostumin e zhytjes të stilit të vjetër, të përbërë edhe nga një skafandër që vendosej në kokë. Pasi ishte bërë gati, edhe pse uji ishte i ftohtë brisk, polici ishte zhytur.
Si u kishte thënë Isufi se e kishte fshehur floririn?
Kujtoj se Isufi u kishte thënë se florinjtë, rreth 13 kilogramë, i kishte futur në një arkë metalike dhe se këtë, gjatë kohës së verës, kur niveli i ujit kishte rënë, e kishte lidhur me kavo çeliku pas një shkëmbi në fund të shtratit të lumit, në një tip zgavre.
Pse mendon se u tha se kishte 13 kilogramë dhe nuk u tha për shembull 15 apo 20. Mund të ketë ndonjë domethënie apo kot?
Më pas, këtë shifrën 13 kilogramë e kam peshuar shpesh në mendje dhe gjithmonë rezultati më ka dalë, se duhet të ketë pasur lidhje me 13 akuzat që Sigurimi i Shtetit kishte montuar në adresën tonë. Një profeci e zgjuar e Isufit. Por, le të kthehemi te kërkimi i thesarit. Polici që u fut në ujë ishte nga më të zgjedhurit e më të fuqishmit e Repartit Special Nr. 326. E njihnin të gjithë me emër, Xhiku. Por, u lodh shpejt duke u zhytur. Sepse lumi kishte pasur prurje të mëdha për shkak të shirave dhe për më tepër uji kishte qenë shumë i ftohtë. Për rrjedhojë, polici nuk kishte mundur të kërkonte me kujdes, të eksploronte që të gjitha zgavrat.
Mendon se edhe zgjedhja e një vendi të tillë të paeksplorueshëm për të ndërtuar alibinë nuk mund të ketë qenë rastësisht?
Ashtu është. Unë mendoj se zgjedhja e atij vendi për kërkimin e thesarit, ishte sërish pjesë e mendjes gjeniale të Isufit, pasi në atë zonë të Valbonës edhe në verë, kur ka pak ujë, është e vështirë të shkosh në taban të lumit dhe të eksplorosh të gjitha shpellat e nënujshme.
Pas disa orësh përpjekjeje, polici palombar ishte dorëzuar. Por, ishte dorëzuar, pa u bindur se kishte eksploruar gjithë zonën që Isuf Haluci qarkonte me gisht diku nën sipërfaqen e ujit të Valbonës. Pra, ishte dorëzuar, duke e lënë sërish enigmë të vërtetën e "thesarit".

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›