Në mesin e më të mirëve

Një numër i madh i futbollistëve të rinj kanë dalë në pah në vitin që po përfundon. Njëri prej tyre është edhe futbollisti kosovar, Xherdan Shaqiri, i cili me Baselin e fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Zvicrës, derisa u ftua edhe në përfaqësuesen e Zvicrës, në Kampionatin Botëror Afrika e Jugut 2010.
Federata Ndërkombëtare e Futbollit ka menduar edhe për futbollistët e rinj. Në fakt, përpos çmimit për futbollistin më të mirë në botë, ‘Topi i Artë’, shtëpia e futbollit botëror do ta shpallë edhe futbollistin më të mirë të ri, i lindur pas 31 dhjetorit të vitit 1990.
Në listën e 23 emrave të propozuar nga FIFA për zgjedhjen e futbollistit më të mirë U20 në botë, përpos 19-vjeçarit nga Kosova gjenden emra të njohur të futbollit botëror si Neymar, Coutinho, Wilshere, Canales, Lukaku.
Pikërisht në ndarjen e çmimeve për ‘Topin e Artë’, ku në listë janë Xavi, Iniesta e Messi, do të ndahet një çmim të veçantë për futbollistin më të mirë të ri. FIFA, përmes uebfaqes së vet zyrtare ua jep mundësinë edhe tifozëve që të votojnë për më të mirin. Natyrisht, votat i pret edhe gjilanasi Shaqiri.