E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vorskla llogarit në Januzin

Drejtuesit e Vorsklës i kanë ofruar kontratë të re Ahmed Januzit, i cili pati paraqitje të mira në elitën e futbollit ukrainas. Por sulmuesi vushtrrias nuk dëshiron të ngutet që ta vazhdojë kontratën pasi synon të luajë në Bundesligë. Ai vitin 2010 e vlerëson si të shkëlqyeshëm, pasi debutoi edhe me Kombëtaren shqiptare. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 27 dhjetor 2010 në ora 12:08

Drejtuesit e Vorskla Poltavës dëshirojnë që ta mbajnë në skuadër Ahmed Januzin për një kohë të gjatë. Klubi ukrainas po insiston që ta vazhdojë kontratën me sulmuesin kosovar, pasi ajo do të skadojë në janar të vitit 2012.

Januzi i cili këtë sezon pati paraqitje të mira në futbollin ukrainas, tregon se zyrtarët e Vorskla Poltavës po mundohen ta stimulojnë atë, duke i ofruar kushte akoma më të mira, në mënyrë që ta vazhdojë kontratën.

“Kontrata më skadon më 1 janar të vitit 2012. Zyrtarët e klubit më kanë ofruar kontratë të re, duke më ofruar kushte shumë më të mira. Por, unë kam kërkuar nga klubi që mos të më bëjnë presion për vazhdimin e kontratës. Dua të pushoj, e më pas të mendoj rreth së ardhmes sime. Por, sigurisht që edhe një vit do të mbes aty dhe do të jem i përkushtuar vetëm në ekipin tim”, deklaroi Januzi për Express.

Ai tregoi edhe arsyet sipas të cilave nuk dëshiron të ngutet për ta vazhduar kontratën me klubin ukrainas, ku luan edhe mbrojtësi kosovar, Armend Dallku. Januzi tha se para se të vazhdojë kontratën me Vorskla Poltavën, fillimisht do t’i shqyrtojë mundësitë e tij për t’u transferuar në ndonjë ligë më të fortë evropiane.

“Nuk dua të ngutem për ta vazhduar kontratën me klubin tim aktual, sepse dua t’i shikoj mundësitë për të kaluar në ndonjë ligë më atraktive. Më pëlqen Bundesliga gjermane. Jam në kontakte me disa klube gjermane, por diçka konkrete nuk ka. Mundësinë më të vogël do të mundohem ta shfrytëzoj për t’u transferuar në Bundesligë”, theksoi reprezentuesi i Shqipërisë.

“Por, edhe nëse mbetem në Vorskla Poltavë, nuk është keq. Ndihem mirë aty dhe jam i kënaqur. Nëse nuk ia dal të transferohem në ndonjë ligë më të fort, atëherë me qejf do të vazhdoja të luaj me Vorsklën”, shtoi ai.

Përndryshe, viti 2010 ishte një vit i mbarë për Januzin. Ai pati minutazh të kënaqshëm me ekipin e tij, duke arritur shpeshherë edhe të shënojë gola. Ky vit do të jetë i paharruar për vushtrriasin, pasi ai ka debutuar edhe me Kombëtaren e Shqipërisë.

Por, duhet theksuar se Januzi nuk e kishte të lehtë që t’i tregojë vlerat e tij, pasi ai pati pësuar një lëndim goxha të rëndë, kur e pati thyer dorën.
“Atë lëndim e pësova pas tri xhirove të para të kampionatit, me ç’rast në shtatë xhiro të tjera pushova. Por, kur e kujtoj se çfarë lëndimi i rëndë ishte, shpejt u ktheva në fushën e blertë, duke luajtur bukur shumë, duke shënuar edhe gola, por më i rëndësishëm është fakti që gjatë sezonit nuk pësova edhe ndonjë lëndim tjetër”, tha Januzi.

Andaj, ai pranon se viti 2010 ishte i mirë për të. “Në këtë vit debutova edhe me Kombëtaren e Shqipërisë, andaj ky vit ishte i suksesshëm për mua”, përfundoi Januzi, i cili ndeshjen e parë me Kombëtaren kuqezi e zhvilloi në miqësoren ndaj Maqedonisë, e cila ndeshje pati përfunduar pa gola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›