Azemi, mbret i Prishtinës

Edmond Azemi të dielën mbrëma është shpallur sportisti më i mirë i vitit i kryeqytetit, në ceremoninë e shpalljes së laureatëve të vitit nga ana e Komunës së Prishtinës.
Kjo është hera e dytë rresht që kapiteni i Sigal Prishtinës fiton këtë epitet. Ai ishte njëri prej lojtarëve kryesorë të Sigal Prishtinës, e cila në vitin që po e lëmë pas, fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës në basketboll.
“Është një nder i madh të jem sportisti më i mirë në Prishtinë. Besoj se këtë epitet e kam merituar, pasi kam punuar shumë”, ka theksuar Azemi, i cili tuboi 64 pikë, duke e lënë pas vetes hendbollisten e Prishtinës, Mimoza Xhemailin dhe futbollistin e FC Prishtinës, Behar Maliqi.
Në mesin e dhjetë laureatëve të vitit, ishin edhe Azem Ahmeti, Rrahman Ademaj, Herolind Nishevci, Rita Zeqiri, Xhemile Berisha, Suzana Reçica e Shqipe Kçiku.
Ramiz Krasniqi e ka fituar epitetin e trajnerit më të mirë, pasi ai me sukses po e udhëheq FC Prishtinën, duke u shpallur kampion vjeshtor dhe po duket se Krasniqi sigurt po ecën drejt titullit të kampionit të Kosovës në futboll. Punëtori më i dalluar sportiv i Prishtinës u zgjodh Fahri Buçinca, kurse Ylber Syla, gjyqtari më i mirë.