UET akordon bursa për aktivistët e FRESh-it
Universiteti Europian i Tiranës u ka mundësuar katër aktivistëve të FRESh-it studimet me anë të bursave, si një formë inkurajimi për lidershipin rinor
Aktivistët e FRESh-it kanë marrë mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës, i cili u ka akorduar katër të rinjve të Forumit Rinor Euro-Socialist bursa studimi, si një formë inkurajimi për lidershipin rinor. Të rinjtë e Forumit Rinor Euro-Socialist kishin mbushur dje ambientet e Universitetit Europian të Tiranës për të përgëzuar katër aktivistët që përfituan të drejtën e studimeve me anën e bursave të akorduara nga ky universitet. Gresa Golemit, Entel Agollit, Melina Lleshit dhe Viktor Lagjit iu akordua e drejta e studimeve në Bachelor dhe në Master në Fakultetin e Shkencave Sociale në UET nga një komision i posaçëm, i cili i përzgjodhi mes shumë kandidatëve. “Jam e gëzuar që bëhem pjesë e më të mirëve. Faleminderit Universitetit Europian të Tiranës që u jep të rinjve të FRESH-it këtë mundësi të artë”, - tha Gresa Golemi, studentja më e re që i bashkohet komunitetit të madh të UET-it, e cila do të ndjekë studimet Master në Shkenca Sociale. UET, me filozofinë e një institucioni të hapur dhe me një përgjegjësi të thellë sociale, ka vënë në dispozicion të bursave rreth 10% të numrit të tij të vendeve. Në katër vitet e para, 2006-2010, nga rreth 3200 studentë që janë regjistruar në UET, 255 studentë kanë qenë me bursë të plotë dhe më shumë se dyfishi i tyre me bursë të pjesshme. “Bursat që ne po shpërndajmë sot bëjnë pjesë te bursat e talentit apo të lidershipit, të cilat jepen në bashkëpunim me organizatën politike FRESh, për të inkurajuar formimin sa më të mirë akademik të të rinjve pranë partive politike shqiptare”, - u shpreh gjatë ceremonisë zv.rektori për marrëdhëniet me jashtë, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, duke shtuar se qëllimi i UET-it është inkurajimi i studentëve shqiptarë pavarësisht krahëve politikë, prejardhjes së tyre ekonomike apo statusit të tyre social. Ky është bashkëpunimi i dytë që UET ka me FRESh-in për mundësimin e studimeve të të rinjve të këtij forumi.