Amnistia fiskale, Bashkia: Shlyeni detyrimet për të shmangur penalitetet
Drejtoria e Tatim-Taksave: Në vitin 2012 të gjitha detyrimet e prapambetura do të jenë 100% të pagueshme dhe nuk do të ketë më asnjë falje
Të gjitha subjektet dhe individët tatimpagues që janë debitorë ndaj Bashkisë së Tiranës duhet të shlyejnë borxhin e tyre brenda muajve të mbetur të vitit 2011, ndryshe do të ketë penalitete. Drejtoria e Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës u bën thirrje debitorëve të shlyejnë detyrimet brenda afatit për të shmangur penalitetet. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave Vendore në Bashkinë e Tiranës njofton të gjitha subjektet dhe individët tatimpagues, debitorë ndaj Bashkisë Tiranë, që të shlyejnë borxhin e tyre. “Muajt e mbetur të vitit 2011 janë mundësia e fundit që i jepet biznesit në bazë të ligjit të faljes nr.10418, datë 21.04.2011 “Për Legalizimin e Kapitalit dhe Faljen e një pjese të Borxhit Tatimor dhe Doganor”, për të mbyllur të gjitha detyrimet e tyre, në të kundërt, në vitin 2012 të gjitha detyrimet e prapambetura do të jenë 100% të pagueshme dhe nuk do të ketë më asnjë falje,” - thuhet në njoftim. Nga ana tjetër, Drejtoria e Taksave e Bashkisë së Tiranës kërkon mirëkuptimin e të gjitha subjekteve apo individëve tatimpagues që t’i përgjigjen menjëherë këtij njoftimi. Në të kundërt, nëse nuk do të respektohet ky afat, Drejtoria e Tatim-Taksave shprehet se është e vendosur të zbatojë ligjin. Në këtë kuadër, Drejtoria e Tatim-Taksave bën të ditur se masa e parë që do të merret është publikimi në media i emrave dhe detyrimeve të çdo subjekti apo individi, më tej do të veprohet deri në mbledhjen e borxheve me forcë, siç e parashikon ligji nr.9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në RSH”, nenet 88, 101, 104. Ligji për amnistinë fiskale ka hyrë në fuqi në muajin maj të këtij viti dhe afati i fundit për të përfituar prej tij është data 31 dhjetor 2011. Ligji parashikon faljen e një pjese të borxhit tatimor e doganor, kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore etj.