Lumturi Mërkuri: Kanceri i gjirit mund të kurohet, mjafton të diagnostikohet në kohë
Sot, Dita Kombëtare e Mamografisë. Kanceri i gjirit, 400 raste të reja në vit. Mjekja e ISHP-së tregon gjithçka duhet të dimë për sëmundjen
Çdo grua mund ta shpëtojë jetën e saj, pasi kanceri i gjirit mund të kurohet, mjafton të diagnostikohet në kohë. Këtë duhet ta mbaj mend çdo femër që ka ose jo probleme me gjirin. Rekomandimi jepet nga mjekja e Institutit të Shëndetit Publik, Lumturi Mërkuri, e cila në këtë intervistë shpjegon gjithçka që duhet të dimë për kancerin e gjirit, duke filluar që nga mënyrat për zbulimin e hershëm të sëmundjes, cilat gra preken më shumë, si bëhet vetëkontrolli i gjirit, çfarë është mamografia dhe kujt duhet t’i nënshtrohet këtij ekzaminimi etj.
Çfarë është kanceri i gjirit?
Kanceri i gjirit është një nga llojet më të shpeshta të kancereve tek gratë, sidomos tek ato mbi 35 vjeç. Çdo vit, mjaft gra në botë preken nga kanceri i gjirit dhe mjaft prej tyre vdesin për shkak të kësaj sëmundjeje. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në çdo 9 gra, njëra do të sëmuret prej kancerit të gjirit. Në Shqipëri, kanceri i gjirit është kanceri që haset më shpesh tek gratë, me rreth 400 raste të reja çdo vit, dhe zë vendin e parë ndër shkaqet e vdekjeve tek femrat. Shumica e rasteve me kancer të gjirit tek ne, paraqiten me vonesë tek mjeku, në faza shumë të avancuara.
Cilat gra preken nga kanceri i gjirit?
Nga kanceri i gjirit mund të preket çdo femër. Por një femër duhet të jetë edhe më e kujdesshme në kontrollin e gjirit nëse: nëna, motra apo gjyshja e saj kanë pasur kancer të gjirit; janë mbi 40 vjeç, sepse rreziku rritet bashkë me moshën; periodat i kanë filluar para moshës 12 vjeç apo i kanë ndaluar pas moshës 50 vjeç; nuk kanë lindur kurrë fëmijë; kanë lindur fëmijën e parë mbi 30 vjeç; nuk kanë ushqyer fëmijën me gji; janë mbipeshë; pinë tepër duhan dhe alkool; hanë ushqime të pasura me yndyra shtazore; nuk kryejnë aktivitet fizik. Por në ditët tona, kanceri i gjirit mund të trajtohet me sukses, mjafton të diagnostikohet në kohë. Nëse ndryshimet që ndodhin në gjirin e një femre kapen qysh në fillim, ky është një shans shumë i mirë për një mjekim të suksesshëm.
Si mund të zbulohet shpejt kanceri i gjirit?
Shumë gra janë në jetë sot, sepse ato kanë bërë kontrolle të rregullta për kancer gjiri.
Disa nga mënyrat për të zbuluar herët kancerin e gjirit janë: vetëkontrolli mujor i gjirit; kontrolli i gjirit tek mjeku; mamografia; EKO e gjirit
Çfarë është vetëkontrolli i gjirit?
Vetëkontrolli i gjirit është një mënyrë për të njohur gjinjtë, duke i kontrolluar ata nëpërmjet prekjes me duar. Duke kontrolluar gjinjtë rregullisht, një femër mëson se si është pamja normale e tyre. Kjo gjë do ta ndihmojë të vërë re menjëherë ndonjë ndryshim që mund të ndodhë në gji, dhe të shkojë sa më shpejt tek mjeku. Shumë raste të kancerit të gjirit janë zbuluar nga vetë gratë, të cilat nëpërmjet prekjes së gjirit kanë vërejtur ndryshime, të cilat i kanë detyruar të shkojnë tek mjeku. Vetëkontrolli i gjirit ka rëndësinë e vet, gjithmonë nëse realizohet në mënyrë korrekte.
Kur bëhet vetëkontrolli i gjirit?
Vetëkontrolli i gjirit duhet të bëhet duke filluar qysh nga mosha 20 vjeç, pavarësisht se gjinjtë mund të jenë normalë. Kontrolli i gjirit rekomandohet të bëhet çdo muaj, mbas kalimit të periodave, ose 3-4 ditë mbas tyre. Kjo, sepse gjatë periodave gjinjtë janë të dhimbshëm, të tendosur dhe mund të ngatërrojnë. Në periudhën e menopauzës, vetë kontrolli i gjirit bëhet ditën e parë të çdo muaji. Kjo bëhet me qëllim që gruaja ta ketë më të lehtë për t’u kujtuar. Duke i kontrolluar gjinjtë çdo muaj gruaja bëhet familjare me ta, do të njohë se si janë gjinjtë zakonisht dhe kështu do të kuptojë menjëherë ndonjë gjë të pazakontë në ta.
Si bëhet vetëkontrolli i gjirit?
Është një veprim shumë i thjeshtë që çdo femër mund ta bëjë pa shumë mundim, kur është duke bërë dush, kur është duke ndenjur, kur është duke qëndruar shtrirë, apo duke qëndruar para pasqyrës. Me dorë, lehtë me lëvizje rrotulluese, kontrollohen me radhë gjinjtë. Me dorën e majtë kontrollohet gjiri i djathtë dhe pastaj me dorën e djathtë kontrollohet gjiri i majtë. Indet e gjirit përfshijnë një sipërfaqe më të madhe se gjinjtë, prandaj duhen kontrolluar, prekur dhe parë gjithë sipërfaqja e gjirit duke përfshirë edhe pjesën e sipërme të kraharorit deri tek sqetullat.
Çfarë ndryshimesh në gji duhet të tërheqin vëmendjen?
Një grua duhet të shkojë menjëherë tek mjeku nëse vë re shenja jo normale si: zmadhim apo forcim të gjirit që nuk është normale për të. Zakonisht, shumë gra para periodave kanë gjoks të fortë dhe të dhimbshëm, por kjo është një gjë normale; gjëndra apo kokrra në gji ose nën sqetull; skuqje, mahisje, ënjtje në gjinjtë apo rreth tyre; rrudhosje apo gropëzim të lëkurës së gjirit; njëri gji është më i ulët se tjetri në mënyrë të pazakontë; tërheqje nga brenda e thithave të gjirit ose rrjedhje lëngu apo gjaku prej tyre; dhe çdo gjë tjetër që nuk i duket normale. Por jo të gjitha gjëndrat që mund të dalin në gji janë kancer. Megjithatë, pa frikë apo ankth, gruaja duhet drejtuar sa më shpejt tek mjeku nëse vë re ndonjë ndryshim jonormal tek gjinjtë. Vetëm mjeku mund të bëjë dallimin. Çdo grua duhet të përpiqet ta bëjë zakon bërjen e vetë kontrollit të gjirit 1 herë në muaj! Vetëkontrolli i gjirit zgjat vetëm pak minuta, nuk kushton fare, por të mbron jetën! Vetëkontrolli i gjirit është vetëm një pjesë e kujdesit për gjirin. Ka edhe mënyra të tjera, të cilat kapin në faza shumë më të hershme kancerin e gjirit, siç është mamografia.
Çfarë është mamografia?
Mamografia është një lloj radiografie e gjirit, gjatë së cilës gjiri vendoset midis dy pjatave plastike. Mamografia e kap kancerin e gjirit shumë herët, atëherë kur ndryshimet nuk mund të shihen me sy apo të preken me dorë. Mamografia mund ta dallojë kancerin e gjirit rreth 2 vjet para shfaqjes së shenjave, kur ka akoma shanse për t’u trajtuar me sukses. Gati gjysma e kancereve të gjirit që arrijnë të kapen nga mamografia janë akoma të vegjël dhe mund të trajtohen lehtë (pa hequr gjithë gjirin, pa lënë shenjë e mbi të gjitha pa rrezikuar jetën).
Të gjitha gratë duhet ta bëjnë mamografinë?
Rekomandohet që të gjitha gratë nga mosha 35-40 vjeç e lart duhet të bëjnë mamografinë çdo 1-3 vjet. Rreziqet për kancer të gjirit rriten me rritjen e moshës. Megjithatë, pavarësisht nga mosha, nëse një grua ka ndonjë shqetësim në gji, duhet të paraqitet menjëherë tek mjeku. Mjeku është ai që sqaron se çfarë duhet të bëjë gruaja dhe sa herë duhet të bëjë mamografinë. Mamografia mund të bëhet në çdo kohë, por është mirë që femrat në moshën riprodhuese ta kryejnë mamografinë në fund të periodave. Në periudhën e menopauzës kryhet në çdo moment.
A duhet të bëhet ndonjë përgatitje përpara mamografisë?
Jo. Vetëm nuk duhet të përdoren deodorant, pudër, ose të lyhen me ndonjë solucion tjetër trupor, ditën që gruaja shkon për të bërë mamografinë, sepse kjo ndikon në rezultatin e saj. Gruaja duhet të zhvishet nga mesi e lart, kështu që është mirë të veshë rroba të veçuara, bluza me fund ose pantallona.
A është e dhimbshme mamografia?
Jo, por disa gra mund të ndjejnë një shtypje apo dhimbje të lehtë të gjinjve gjatë mamografisë. Për pjesën më të madhe kjo është e durueshme. Disa prej tyre pijë kokrra që përdoren për dhimbje koke, 1 orë përpara mamografisë, e cila lehtëson dhimbjen.
Një mënyrë tjetër për ta zgjidhur këtë është të mos shkojë për të bërë mamografinë 1 javë para ose gjatë periodave, mbasi në këtë periudhë gjinjtë janë të tendosur dhe të dhimbshëm. Duhet planifikuar një periudhë tjetër për të bërë mamografinë.
Sa shpesh duhet bërë mamografia?
Kjo varet nga mosha. Megjithatë, mamografia rekomandohet të bëhet një herë në 1-3 vjet, sidomos për moshat mbi 40 vjeç. Kanceri i gjirit mund të shfaqet në çdo kohë, madje edhe nga një mamografi tek tjetra. Kështu që mamografia duhet bërë rregullisht. Bazuar në rezultatet e mamografisë së parë, mund të përsëritet nëse mjeku e kërkon këtë. Mamografia nuk duhet bërë vetëm 1 herë në jetë, por në mënyrë të vazhdueshme çdo 1-3 vjet, dhe për gjatë gjithë jetës!
Po EKO e gjirit çfarë është?
EKO-ja e gjirit është një lloj tjetër kontrolli i gjirit që kryet nga mjeku radiolog/onkolog. EKO-ja e gjirit zakonisht rekomandohet për femrat e moshës 20 deri 40 vjeç, por mund të bëhet kur mjeku e rekomandon këtë. Një vizitë tek mjeku apo një ekzaminim klinik i gjirit është një vizitë e thjeshtë e gjinjve nga personeli mjekësor i trajnuar .
ǒfarë duhet të mbajë mend një femër?
Kanceri i gjirit mund të kurohet....mjafton të diagnostikohet në kohë. Çdo grua mund ta shpëtojë jetën e saj!
Gratë më të rrezikuara
Nga kanceri i gjirit mund të preket çdo femër. Por një femër duhet të jetë edhe më e kujdesshme në kontrollin e gjirit nëse:
•Nëna, motra apo gjyshja e saj kanë pasur kancer të gjirit
•Janë mbi 40 vjeç, sepse rreziku rritet bashkë me moshën
•Periodat i kanë filluar para moshës 12 vjeç apo i kanë ndaluar pas moshës 50 vjeç
•Nuk kanë lindur kurrë fëmijë
•Kanë lindur fëmijën e parë mbi 30 vjeç
•Nuk kanë ushqyer fëmijën me gji
•Janë mbipeshë
•Pinë tepër duhan dhe alkool
•Hanë ushqime të pasura me yndyra shtazore
•Nuk kryejnë aktivitet fizik
Si mund të zbulohet shpejt kanceri i gjirit?
Shumë gra janë në jetë sot, sepse ato kanë bërë kontrolle të rregullta për kancer gjiri.
Disa nga mënyrat për të zbuluar herët kancerin e gjirit janë:
•Vetëkontrolli mujor i gjirit
•Kontrolli i gjirit tek mjeku
•Mamografia
•EKO e gjirit