Mbyllen aplikimet me Formularin A3, fituesit më 31 tetor
Mbyllen aplikimet për 3600 vendet bosh në universitete, për të cilat aplikimi u bë nëpërmjet Formularit A3. Sipas afatit të vendosur nga MASH, data 20 tetor ishte afati i fundit i aplikimit, ndërkohë që drejtoritë e shkollave do t’i dorëzojnë Formularët A3, të plotësuar dhe të pa plotësuar, me procesverbal pranë DAR/ZA-ve përgjegjëse. Emrat e maturantëve që do të fitojnë një të drejtë studimi nëpërmjet Formularit A3 do të publikohen në datën 31 tetor. Sipas udhëzimit të MASH, Drejtoria e Pranimeve në AKP pasi të përpunojë të dhënat e marra nga Formularët A3 do të shpallë në datën 31 tetor listën përfundimtare të fituesve, të ndarë sipas programeve përkatëse të studimit, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe sipas preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në Formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara dhe njëkohësisht ta dorëzojë këtë listë në MASH. Regjistrimi i fituesve do të bëhet pranë sekretarive mësimore të universiteteve në datat 1 deri 4 nëntor 2011, nga ora 8.00 deri në orën 18.00.