Policia padit arrogancën e Dobjanit
Uniformat blu u shprehën se ndërhyrja e kryer në ambientet e komisariatit prishi hetimin e tre muajve të fundit
SHKODËR – Ndodh që edhe Avokati i Popullit të jetë nën akuzë sepse tha që policët kanë dhunuar një shtetas të shoqëruar në polici. Drejtoria e policisë së Shkodrës, pas deklaratës së një dite më parë ku i quante arbitrare dhe arrogante veprimet e Avokatit të Popullit Emir Dobjani dhe komisionerëve të tij, të bëra gjatë një inspektimi të befasishëm në policinë e Shkodrës, mësohet se ka shkuar dhe më tej. Kjo drejtori ka depozituar një padi në prokurorinë e rrethit gjyqësor Shkodër, me objekt “pengimin e hetimeve” dhe “veprimeve arrogante ndaj punonjësve të policisë”. Mësohet se padia e bërë ka si të akuzuar vetë Avokatin e Popullit Emir Dobjani dhe personat që e shoqëronin atë të premten në qytetin e Shkodrës, gjatë inspektimit në drejtorinë e policisë së këtij qarku. Në kallëzimin e bërë në prokurori, drejtoria e policisë së Shkodrës paraqiti ato që, sipas saj, janë prova të pengimit të hetimeve për ngjarjen e 1 gushtit 1997 në lagjen “Liria”, ku u vra një person dhe u plagosën katër të tjerë , ngjarje kjo, dosja e së cilës ishte zhdukur dhe policia e kishte rindërtuar. Po kështu, janë depozituar me cilësinë e provës dhe deklarimet e dy oficerëve të policisë dhe një drejtuesi të saj, ku dy të parët shprehen se janë nxjerrë me dhunë verbale nga Avokati i Popullit prej dhomës ku po merrnin në pyetje të shoqëruarit. Po sipas policisë, të shoqëruarit për t’u pyetur për këtë ngjarje, mes të cilëve dhe 20-vjeçari E.A, që ka pretenduar se është qëlluar me pëllëmbë në fytyrë nga policia, ishin në listën e personave për të cilët kishte vendosur prokuroria t’i shoqëronte për t’i marrë në pyetje. Gjithashtu, janë depozituar dhe kallëzimet e efektivave të tjerë të kësaj drejtorie dhe një prej drejtuesve të saj, të cilët kanë qenë prezent në momentin e ardhjes në këto ambiente të Avokatit të Popullit dhe komisionerëve të tij dhe kanë parë situatën e krijuar. Sipas policisë, pyetja e shtetasve të shoqëruar është bërë sipas neneve 155, 160, dhe 297 të Kodit të Procedurës Penale, si persona që kanë dijeni për ngjarjen, ndërsa mohohet që ndaj tyre të jetë ushtruar dhunë, siç dhe ka pretenduar Avokati i Popullit. Sipas policisë së Shkodrës, Dobjani pasi nxori me arrogancë jashtë dhomës ku po merreshin në pyetje të shoqëruarit, dy oficierëtpolicisë E.C. dhe E.R., i ka pyetur të shoqëruarit lidhur me trajtimin e tyre para, gjatë dhe pas shoqërimit të tyre në ambientet e policisë. Burime nga policia e Shkodrës theksojnë se hetimet për ngjarjen e vjetër të 1997-s kishin tre muaj që kishin nisur dhe ndërhyrja e Avokatit të Popullit i ka prishur ato.
Dobjani: Kam respektuar vetëm ligjin
TIRANË – Pas padisë së bërë dje nga Policia e Shkodrës, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Avokatit të Popullit. Dobjani ka mbështetur se veprime të tilla të ndërmarra nga strukturat policore janë qesharake dhe se institucioni i tij ka vepruar vetëm sipas ligjit. Dobjani deklaroi se janë persona të caktuar ata që nxisin të tilla qëndrime, duke mos dashur të përmendë emra konkretë. Ai u shpreh se 20-vjeçari është keqtrajtuar nga policia dhe se kjo e fundit ka shkelur një sërë ligjesh në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut. Sipas kreut të AP-së, në lidhje me ushtrimin e dhunës ndaj 20-vjeçarit ka prova të mjaftueshme, duke e cilësuar nismën e ndërmarrë nga Policia e Shkodrës si të pajustifikuar dhe duke shprehur gatishmërinë dhe besimin e tij se ka vepruar vetëm brenda kufijve të përcaktuar në organikën ligjore të Avokatit të Popullit. “Policia dhe të gjithë të tjerët që kanë të njëjtin qëndrim me të, nuk e njohin aspak ligjin përderisa flasin me një gjuhë të tillë”,- tha Dobjani. Të gjitha hallkat që ka ndjekur AP në këtë vëzhgim, kanë qenë, sipas Dobjanit, brenda kompetencës ligjore që posedon ky ligj në Shqipëri. “Në komisariatin e policisë së Shkodrës hasëm një rast që kishim mendimin se ky institucion po na e fshihte”, u shpreh Dobjani. Ai akuzoi se struktura të policisë shqiptare shpesh kanë ushtruar presion ndaj punonjësve të Avokatit të Popullit duke u bërë pengesë ose duke fshehur fakte që nxjerrin në pah mungesën e transparencës së këtyre strukturave gjatë vëzhgimeve të institucionit të Avokatit të Popullit. Dobjani tha gjithashtu se një reagim i tillë nga Policia e Shkodrës është një veprim qesharak duke shprehur në të njëjtën kohë besimin se Policia e Shtetit nuk do të ketë të njëjtin qëndrim. “Pavarësisht padisë që mund të ngrenë këto struktura, ne jemi të hapur ndaj çdo hetimi, sepse jemi të sigurt që kemi vepruar brenda kuadrit ligjor që na takon”, tha kreu i Avokatit të Popullit. Padia ndaj Dobjanit është bërë nga Komisariati i Shkodrës, ku thuhet se ai ka ushtruar presion ndaj këtyre strukturave.