E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Over there" sot në Teatrin Kombëtar

"Over there" është drama e cila do të shfaqet sot në mbrëmje në Teatrin Kombëtar, në kuadër të edicionit të katërt të Festivalit Teatror të të Rinjve". Me regji të Julia Sinanit, vepra do të ngjisë në skenë aktorët Klodiana Keco, Klodian Hoxha dhe Ledion Zoi. Regjisorja do të sjellë në skenë një histori, e cila përkon mjaft mirë me realitetin shqiptar. E shkruar prej autorit rumun Duro Motok, "Over there", ("Atje") është një vepër e cila gjen vend në të gjitha realitetet, për vetë faktin se të tri personazhet e saj rrëfejnë se duan të shkojnë "atje", secili në mënyrën e vet. Nëpërmjet kësaj vepre regjisorja thotë se dëshiron të përcjellë mesazhin se pavarësisht të gjithave në jetë ne duhet të jemi të kënaqur me aq sa kemi". Regjisorja Sinani ka shpjeguar se autori i kësaj drame e ka shkruar pjesën në mënyrë të tillë, ku vendosjen e ngjarjes, apo edhe vetë biografinë e personazhit t‘ia lërë në dorë vetë regjisorit që do e ngjisë në skenë. Si rrjedhim, në këtë vepër mund të imagjinohet çdo vend dhe çdo kohë për të vendosur veprimin. Pamja, mosha, kostumet dhe veprimet fizike të personazheve, të përcaktuar janë lënë gjithashtu në zgjedhje e në varësi të vetë regjisorit, ndërsa po kaq liri në realizimin e veprës kanë edhe vetë aktorët. Nisur nga kjo, Julia Sinani e ka vendosur këtë dramë në një llogore lufte, aty ku ëndrrat janë më të largëta dhe më të prekshme. Sepse, sipas saj, në luftë mund të flitet për të bukurën, për femrën, për ëndrrat, për absurdin dhe utopinë. Atje mund të kërcehet, mund të bëhet dashuri, mund të ndodhin shumë ngjarje, të cilat mund të duken sa absurde aq edhe konkrete. Personazhet në vepër, edhe pse të ndryshëm nga njëri-tjetri, kanë një qëllim të përbashkët: kërkimin e ëndrrës së pamundur. Ata duan të shkojnë "atje", sepse "atje" ndoshta gjithçka do të jetë ndryshe. "Over there" do të shfaqet në Teatrin kombëtar më 25 dhe 26 tetor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›