E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Viktimat e një çmendurie"

Marta Zaccaron është një fotografe italiane, e cila ka një pasion të pazëvendësueshëm për temat sociale, ndër të tjera ka një dëshirë të madhe të njihet me sa më shumë vende e realitete të panjohura. E kujton shumë mirë fotografinë e saj të parë, babanë që pa u lodhur i jepte ato këshillat e pazëvendësueshme...

Kështu, marsi i vitit 2007 e gjen në Shqipëri. Marta Zaccaron mori përsipër të realizojë një reportazh nga Shqipëria. Me anë të shkrepjeve, syri i kureshtjes ishte gati të dokumentonte nëpërmjet imazheve situatën e vështirë në të cilën fëmijët, viktima të gjakmarrjes, gjendeshin në zonat rurale, kryesisht në Veri të Shqipërisë. Në fotografitë e saj, Marta dëshiron të tregojë një pjesë të Shqipërisë, ku njerëzit vazhdojnë të vriten, ku fëmijë e gra vazhdojnë të ngujohen në emër të Kanunit, ndonjëherë edhe për motive banale. Nëpërmjet këtij dokumentimi me imazhe ajo dëshiron të tregojë se e gjithë kjo dhimbje është e pajustifikueshme. Ngujimi, në fotot e Martës, vjen i hidhur, i trishtë, i pabesueshëm me argumentet e tij, një fenomen i krupshëm, i cili vazhdon të ruhet me fanatizëm në Shqipëri. Zaccaron ka sjellë copëza historish shqiptare, ku vetëdrejtësia është në thelb të gjithçkaje, e ku injoranca shkaktuar prej frikës mbizotëron ngado, edhe te më të pafajshmit.

Marta, si ka lindur ky pasion i yti për fotografinë?

Pasioni për fotografinë është një kërkesë e brendshme, ka lindur tek unë që kur isha fëmijë.

Çfarë është për ju fotografia?

Është një mënyrë për t‘u shprehur, për të rrëfyer ato që unë shoh dhe që më transmetojnë të gjithë njerëzit që takoj.

Të kapësh çastin, sigurisht që është bukur, por të dish ta zgjedhësh këtë çast a është e vështirë?

Sigurisht që është shumë e vështirë... Për të bërë një fotografi të bukur dhe domethënëse, e cila të rrëfejë e të transmetojë mesazhin, është shumë e rëndësishme që ajo të jetë në harmoni të plotë mes syrit dhe mendimit.

Çfarë është një fotoreportazh?

Fotoreportazhi është një rrëfim mes imazhesh dhe për këtë ka një narrativë të vetën, e cila është e ndryshme nga ajo e shkruar, është një rrëfim viziv dhe emocional.

Kam parë se ju keni zgjedhur të rrëfeni nëpërmjet fotoreportazheve tuaja, nga realitetet që keni vizituar, portrete kryesisht të dëshpëruara, përse kjo zgjedhje? Çfarë ju shtyn drejt kësaj ane të medaljes?

Ato që kam parë dhe që më kanë shënjuar më shumë i kam fotografuar. Kam vizituar fshatra të ndryshëm dhe kam takuar njerëzit e atyre anëve, kam shkuar edhe nëpër periferi në të njëjtën kohë. Mendoj se pjesa më e madhe e popullatës jeton në këtë mënyrë dhe se është e drejtë ta themi këtë. Nuk është mirë të mbyllim njërin sy e të bëjmë sikur asgjë nuk ndodh rreth nesh.

Në Itali ka shumë padije në lidhje me Shqipërinë. Gjithë sa njohin është pjesa e emigrantëve. Informacioni që ekziston është mjaft sipërfaqësor.

Si lindi ideja e këtij udhëtimi nëpër Shqipëri?

Një i njohuri im ka udhëtuar shumë nëpër Shqipëri dhe më ka treguar pak për realitetin në të cilin ju jetoni. Më pas duke folur me një gazetare (Francesca Lancini) me të cilën bashkëpunoj shpesh, vendosëm ta bënin këtë udhëtim për të kuptuar pak më shumë rreth vendit tuaj, si edhe të kuptonim njerëzit, të cilët jo pak herë diskriminohen në Itali. Ne erdhëm në Shqipëri në mars të vitit 2007.

Cilat ishin përshtypjet e para?

Është një vend në të cilin ndeshesh ende me shumë varfëri, ku problemet sociale nuk mungojnë. Por ajo që mua më bëri përshtypje është se të rinjtë kanë shumë dëshirë të ecin përpara.

Nëpërmjet fotove, ju keni rrëfyer një Shqipëri që akoma edhe sot ndeshet me gjakmarrjen. A e njihnit këtë fenomen?

Për fat të keq gjakmarrja është një plagë sociale, e cila ende ekziston në shumë vende, edhe në Jug të Italisë e gjen.

Cilat vende vizituat gjatë kohës që qëndruat në Shqipëri. Ǒmendoni për vendin tonë?

Në Shqipëri sigurisht që gjen shumë kontraste. Nga njëra anë janë të rinjtë që kanë shumë dëshirë për të ecur përpara me kohën, për të gjetur veten në këtë modernizëm që na rrethon, ndërsa, nga ana tjetër, janë zakonet, traditat, të cilat ndihen ende shumë të forta, sidomos nëpër fshatra, por edhe në qytete. Ndër të tjera mendoj se shteti nuk është ende shumë i fortë. Ai nuk i zgjidh problemet e popullatës, duke nisur këtu nga ato më të nevojshmet, më jetiket.

Ju me siguri që jeni takuar edhe me familje të ndryshme, gra, fëmijë e burra që vuajnë gjakmarrjen. Si u ndjetë teksa rrethoheshit prej viktimave të gjakmarrjes?

Është e tmerrshme të shohësh që ata fëmijë janë të detyruar të jetojnë të izoluar në shtëpi për vite me radhë, shpesh edhe lindin ashtu. Mendoj se është e tmerrshme të shohësh që prindërit të mos gjejnë një mënyrë, një zgjidhje të këtij problemi, të paktën për të mirën e fëmijëve. Ajo që më shumë më ka goditur është se prindërit, pavarësisht ruajtjes së krenarisë/nderit, i kanë bërë edhe fëmijët pjesë të këtyre vuajtjeve. Ndër të tjera mendoj se është e nevojshme një mobilizim i vetë popullit për ta luftuar këtë fenomen. Të gjithë e dinë, të gjithë e dënojnë, por të paktë janë ata që mundohen të bëjnë diçka. Nëse vërtet do të kishte një dënim nga populli, situata mund të përmirësohej.

A ishte e vështirë të hyje në shtëpitë e tyre për t‘i fotografuar? Sa të gatshëm ishin për të folur mbi jetën e tyre?

Fillimisht ishte disi e vështirë. Megjithatë familjet ishin shumë të sjellshme. Ata kishin dëshirë të flisnin, të takoheshin me dikë. Fëmijët më kanë mbetur në mendje. Viktima të një çmendurie.

Gjakmarrja nga njëra anë dhe Shqipëria rurale nga ana tjetër. Për këtë të fundit, çfarë mund të thoni?

Mendoj se Shqipëria rurale nuk mundet absolutisht të identifikohet me fenomenin e Kanunit. Sigurisht që është një realitet i varfër, në të cilin njerëzit vazhdojnë të ruajnë mentalitetin e vjetër, ku njerëzit mundohen të mbijetojnë si të mundin.

Përse zgjodhe këto dy fenomene?

Zgjodha të rrëfeja gjakmarrjen, sepse për këtë fenomen shumë pak flitet, por mendoj se është shumë e rëndësishme që të gjithë të njihen me të. Fakti që shumë njerëz duan të flasin për të, duan të njihen me këtë problem, mund të sjellë edhe një eliminim të mundshëm të tij.

Cili është personazhi që ju ka bërë të emocionoheni më shumë gjatë reportazheve tuaja?

Nuk di t‘i ndaj, sepse të gjithë ata që takoj dhe fotografoj gjatë udhëtimeve të mia më kanë emocionuar vërtet shumë. Secili prej tyre ka një histori interesante dhe të rëndësishme për të rrëfyer; secili prej tyre transmeton jetë, dhimbje, gëzim, pasion.

Cili është mesazhi që dëshiron të shprehësh nëpërmjet reportazheve të tua?

Me fotografitë e mia dua thjesht t‘i njoh të gjithë ata që i nuk i njohin realitetet e kulturat e tjera. Dëshiroj të tregoj kulturat e ndryshme, vuajtjen dhe gëzimin, mënyrën e të jetuarit ndryshe. Mendoj se duke i njohur këto kultura, ne mund ta kuptojmë akoma më mirë tjetrin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›