“Oxford Brooks”, leksione arkitekture në galeri
“Oxford Brooks University” në Angli ka çelur ekspozitën me projekt diplomat më të arrira në arkitekturë të 10 studentëve më të mirë të këtij universiteti, mbrëmjen e së dielës në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Tiranë, ekspozitë e hapur nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe ministrit të Kulturës, Ylli Pango. Midis pjesëmarrësve ishin dhe tre studentë shqiptarë Genti Gjikola, Andi Kërçini dhe Besnik Bijo, të cilët kanë paraqitur diplomat e tyre në ambientet e kësaj galerie, si studentë që vijnë nga një eksperiencë evropiane 6-vjeçare të Universitetit të Oxford-it. Në galeri ndodheshin të ekspozuar projektet e fituesve të çmimeve më të rëndësishme të arkitekturës në Britani, si të Paul Nicholls, çmimi në bronz dhe Elliot Wingfield çmimi në argjend (Instituti Mbretëror Britanik i Arkitekturës). Ekspozitës, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 31 gusht 2008, i janë bashkangjitur dhe 4 projekt-diploma të studentëve të degës së arkitekturës të Universitetit Politeknik të Tiranës, si dhe piktura të disa artistëve bashkëkohorë shqiptarë.
Pamjet e sjella nga këta artistë ofrojnë projekte, vizatime, makete arkitektonike dhe artistike, skulptura, instalime, pikturë, fotografi dhe video art, të cilat ngrenë problematika që ka sot urbanistika e kryeqytetit.
Në ceremoninë e hapjes, Mark Swenarton, dekani i fakultetit të arkitekturës në Universitetin e Oxford-it, theksoi se “jo pa qëllim ne kemi zgjedhur Tiranën, pasi kryeqyteti juaj është një laborator mundësish për ne. Kryeqyteti juaj ka mjaft probleme evidente urbane, por duhet pranuar se ka dhe mjaft mundësi të jashtëzakonshme për zhvillim. Shpresojmë se kjo ekspozitë do të ndihmojë disi në konsolidimin e ideve për t'i dhënë një imazh tjetër, në një të ardhme jo shumë të largët Tiranës”.
Ndërsa Linda Fitzsimmons, dekania e Departamentit të Arteve të Bukura, një nga themeluesit e këtij projekti, shtoi se aktiviteti kulturor është shembulli më i mirë, i fillimit të një bashkëpunimi shumë të ngushtë midis Universitetit të “Oxford Brooks”, Galerisë së Arteve dhe Universitetit të Arkitekturës në Tiranë.