E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet trofeu “Ndue Shyti”



Instrumentisti nga Vau i Dejës, Tonin Shkoza, u shpall mbrëmjen e kaluar fitues i çmimit "Ndue Shyti" të edicionit të 6-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Rapsodëve dhe Instrumentistëve që u zhvillua në qytetin e Lezhës me pjesëmarrjen e mbi 20 grupe rapsodësh dhe instrumentistësh nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Festivali një ditor u organizua nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me bashkinë e Lezhës dhe TV Lezha. Artistë nga Gjirokastra, Korça, Fieri, Gramshi, Kurbini, Lezha, Kruja, Kosova, Maqedonia, Mirdita, Tirana, Peshkopia, Bulqiza, Mati etj, intrepretuan për 4 orë përpara artdashësve lezhjanë, duke sjellë dhe traditën e trevave të tyre. Juria e përbërë nga profesorë dhe muzikologë të njohur përveç çmimit "Ndue Shyti", dhënë instrumentistit nga Vau i Dejës, nderoi me çmime edhe shumë artistë të tjerë. Çmimin "Rapsodët më të mirë" e morën vëllezërit Zela, çmimin e Karrierës- Rizvan Sinani, çmimin special- Milan Filipoviç, rapsod nga Mali i Zi, interpretuesi më i mirë në Lahutë- Gjokë Kalaj, interpretuesi më i mirë në Çifteli-Sadri Marku, etj. Drejtori i festivalit, Esat Ruka, në përfundim të këtij evenimenti, u shpreh se "pjesëmarrja ishte me të vërtetë mbresëlënëse". Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe shfaqja e dokumentarit kushtuar një prej intrumentistëve më të mirë të vendit tonë "Artistit të Popullit", Ndue Shyti, emrin e të cili mban edhe ky aktivitet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›