E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në mbrojtje të autorit

Mohimi i autorit

Është detyrë e historianit të kulturës që të shpjegojë se si ka ndodhur që në katër dekadat e fundit të ketë ekzistuar një sulm aq i ashpër ndaj besimit të ndjeshëm se teksti e thotë atë që ka dashur ta thotë autori i tij. Në valën më të hershme dhe më të fortë të këtij sulmi (i nisur nga Elioti, Paundi dhe ndihmësit e tjerë të tyre) fushëbeteja ishte letrare: propozimi se domethënia e tekstit është e pavarur nga kontrolli i autorit është shoqëruar me një doktrinë letrare, sipas së cilës thuhej se poezia më e mirë është ajo që është impersonale, objektive dhe autonome; e cila vazhdon jetën e saj në vetvete, pra e vazhdon jetën totalisht e shkëputur nga jeta e autorit. Ky nocion programatik, pra për atë se si duhet të jetë një poezi, është shndërruar në një identifikim se si duhet të jetë e gjithë poezia, bile edhe të gjitha format e tjera te letërsisë. Nuk ishte thjesht e dëshirueshme që letërsia ta shkëpuste vetveten nga trualli subjektiv i mendimeve dhe ndjesive personale të autorit. Kjo ishte më shumë një fakt i padyshimtë se e gjithë gjuha e shkruar mbetet e pavarur nga ky truall subjektiv. Duke rrëshqitur drejt një periudhe tjetër, të mëvonshme, por edhe duke u bazuar në arsye të tjera, i njëjti nocion i autonomisë semantike është avancuar nga Hajdegeri dhe pasuesit e tij. Kjo ide gjithashtu është mbrojtur edhe nga shkrimtarët që besonin në Jungun, pra në mendimin se ekspresionet individuale janë të mundura që thjesht të papërshkrueshme të shprehin domethëniet arketipore, të përbashkëta. Në disa degë të linguistikës, veçanërisht në të ashtuquajturën teori e informacionit, autonomia semantike e gjuhës ka qenë një supozim që ka hyrë vazhdimisht në punë. Kjo teori e ka gjetur edhe një strehë tjetër, kryesisht në veprat e jo-jungianëve, të cilët vetvetiu (siç kishte bërë edhe Elioti më parë) interesoheshin për simbolizmin, dhe këtë e bënin nëpërmjet Kasirerit, emri i të cilit përmendej nganjëherë nga po këta shkrimtarë, për të cilin thuhej se nuk besonte në autonominë semantike të gjuhës. Por, siç thashë, është detyrë e historianit të kulturës që të shpjegojë përse kjo doktrinë kishte marrë vlerë në këtë kohë, por gjithashtu është detyrë edhe e teoricienëve që të përcaktojnë se deri ku mund të shkohet në pranimin e teorisë së autonomisë semantike. Studiuesit e letërsisë shpeshherë pretendonin se teoria e irelevancës autoriale në përgjithësi është me dobi për kritikën letrare dhe për njohuritë në përgjithësi, sepse ajo e ndërron fokusin e diskutimeve nga autori te vepra e tij. Duke marrë besim nga kjo teori, kritiku modern besueshëm dhe nga afër e heton tekstin me qëllim që ta hapë, ta zbulojë, ta hedhë në dritë domethënien e pavarur të tij, në vend të shenjëzimit të supozuar me jetën e autorit. Kjo lëvizje drejt ekzegezës ka qenë shumë e dëshirueshme dhe shumë kritikë do të pajtohen se kjo ndërlidhet me teorinë e autonomisë semantike. Por, kjo ndërlidhje me ekzegezën si lëvizshmëri është bërë për arsye historike dhe jologjike, që kur është kuptuar se nuk ekziston asnjë domosdoshmëri logjike që e detyron një kritik që ta mohojë autorin me qëllim që ta analizojë tekstin e tij. Megjithatë, nëpërmjet asociimit të saj historik me ekzegezat e afërta, teoria thuajse ka çliruar finesa dhe inteligjencë. Fatkeqësisht, në anën tjetër kjo qasje ka inkurajuar një arbitraritet kokëfortë dhe një lloj ekstravagance në kritiken akademike, gjë që është shndërruar një kauzë të rëndësishme të përhapjes së skepticizmit, nëpërmjet së cilit vihet në dyshim mundësia e një interpretimi të vlefshëm objektiv. Këto mospërparësi do të mund të shiheshin si të tolerueshme, nëse teoria do të ishte e saktë. Por, në qarqet dhe çështjet intelektuale skepticizmi shihet edhe si iluzion. Mospërparësitë e teorisë gjithashtu nuk mund të parashikohen lehtë, sidomos në ditët tona kur rregulli i vjetër akademik tashmë thuajse është përmbysur. Në atë kohë, si për shembull, naiviteti i njëanshmërisë pozitiviste në historinë letrare, ecja pas influencës dhe modeleve të rastit, si dhe tërheqja post-romantike me zakonet, ndjesitë dhe eksperiencat që në njëfarë forme e rrethojnë aktin e kompozicionit ishin vënë para sulmit. Ishte bërë tepër e qartë se themelet teorike të kritikës së vjetër ishin të ligshta dhe joadekuate. Mirëpo, nuk mund të thuhet se, teoria e irelevancës autoriale ishte inferiore ndaj teorive apo gati-teorive që i zëvendësonte, por as që mund të dyshohej e mendohej se efekti imediat i mohimit të autorit ishte krejtësisht me përfitim dhe gjallërues. Por, tani, shikuar në një distancë prej disa dekadash, vështirësitë me të cilat përballet teoria e autonomisë semantike janë evidente, megjithëse për një kohë të gjatë kjo teori ishte në fronin fitimtar. Gjendja e skepticizmit akademik dhe rrëmujave të ndryshme, që rrjedhin si rezultat i teorisë së irelevancës autoriale, është një fakt i historisë sonë intelektuale. Prandaj, që kur autori me keqardhje është mohuar si një përcaktues i domethënies së tekstit të tij, kanë dalë në shesh mungesat e parimeve adekuate, nëpërmjet të cilave mund të gjykohej vlefshmëria i një interpretimi.

***

Me anë të një domosdoshmërie të brendshme studimi i asaj se “çka thotë teksti” është shndërruar në studim të asaj se çka thotë një kritik i vetëm. Është bërë modë të flitet për “leximin” e tekstit nga kritiku, ku mëpastaj punimet e tij të dalin edhe si punime apo tituj të veprave shkollore. Por, sipas kësaj del se, nëse është mohuar autori, atëherë gjallë ka mbetur kritiku dhe se “leximi” i tij i ri, origjinal, urban, i zgjuar ose relevant, ka fituar rëndësinë e vet.

Mirëpo, ajo që nuk është hetuar në kohën e entuziazmit të hershëm, pra sa i përket asaj se “çka thotë teksti”, është se, megjithatë, teksti duhet të reprezentojë domethënien e dikujt - nëse jo të autorit, atëherë të kritikut. Është e vërtetë se kjo teori është ngritur në atë mënyrë që domethënia e tekstit është barazuar me gjithçka që bindshëm mund të merret si e thënë. Teoria e autonomisë semantike e ka shtyrë vetveten në formulime të tilla ad hoc dhe të pakënaqshme, sepse në përkushtimin e saj që ta mohojë autorin në të njëjtën kohë ka injoruar faktin se domethënia është një çështje e vetëdijes e jo e fjalëve. Pothuaj se çdo fjalë, nën konventat që i përcakton gjuha, në mënyrë legjitime mund të përcaktojë më shumë sesa një kompleks të domethënies. Sekuenca e fjalës nuk do të thotë asgjë në veçanti, nëse dikush me anë të saj do të thotë diçka me të ose të kuptojë diçka nga ajo. Nuk ekziston një truall magjik i domethënieve jashtë vetëdijes njerëzore. Pasi domethënia është e ndërlidhur me fjalët, një person arrin ta bëjë lidhjen e tyre, dhe në të njëjtën kohë domethënie të veçanta hidhen në to, por asnjëra prej tyre, sipas normave dhe konvencave të gjuhës, nuk mund të shihet si legjitime. Dëshmia se konvencat e gjuhës mund të mbështesin domethënie të ndryshme, që dalin nga e njëjta sekuencë e fjalëve, mbështetet në një fakt për të cilin interpretuesit mund të pajtohen, por edhe të mospajtohen. Por, kur këto mospajtime dalin në shesh, atëherë si mund të zgjidhen ato? Sipas teorisë së autonomisë semantike nuk mund të ketë zgjidhje, që kur, sipas saj, domethënia nuk është ajo që e ka menduar autori, por ”ajo qe e thotë poezia për një numër të ndryshëm të lexuesve të ndjeshëm”. Prandaj, sipas kësaj, një interpretim është i vlefshëm sikur një interpretim tjetër, aq sa të jetë “sensitiv” ose “bindës”. Ende mësuesi i letërsisë, që mbështetet në teorinë e Eliotit, mbetet një ruajtës i trashëgimisë dhe një përcjellës i dijes. Mirëpo, mbi çfarë baze ky mësues do të thoshte se “leximi” i tij është më i vlefshëm sesa leximi i çdo nxënësi? Nuk do të kishte ndonjë themel të fortë këtu. Prandaj, kjo zbrazëti është një shkak parimor i humbjes së durimit që shpeshherë është hetuar, por edhe pranuar nga kritikët akademikë. Një teori ad hoc, e cila ishte nisur t’ia vinte rrethin kësaj demokracie kaotike “të leximeve” meriton një vend të posaçëm, sepse ajo përfshin në vetvete problemin e vlerësimit, që është një problem që i preokupon disa teoricienë modernë të letërsisë. Leximi më i vlefshëm i një teksti është leximi më i mirë. Por, edhe nëse ne do të pranonim se një kritik ka arritur të ketë qasje në një varg kriteresh, nëpërmjet së cilave do të arrinte ta fokusonte dhe përcaktonte leximin më të mirë, ai prapëseprapë do të mbetej midis dy idealeve të njëjta dhe garuese normative - domethënies më të mirë dhe domethënies së autorit. Për më tepër, nëse domethënia më e mirë nuk do të ishte ajo e autorit, atëherë ajo do t’i përkiste kritikut - rast në të cilin kritiku do të ishte autori i domethënies së mirë. Pa marrë parasysh që domethënia i bashkëngjitet sekuencës së fjalëve është e pamundur të ikim nga një autor.

Prandaj, kur kritikët qëllimshëm e kanë mohuar autorin origjinal, ata vetë e kanë uzurpuar vendin e tij, dhe, sipas të gjitha gjasave, kjo ka çuar në konfuzionet teorike të kohës sonë. Më parë nuk kishte më shumë sesa një autor, ndërsa tash dalin shumësi autorësh, secili duke bartur autoritet të njëjtë. Të mohosh autorin origjinal si vendosës së domethënies ishte hap që ta hedhesh poshtë të vetmin parim normativ nëpërmjet të cilit do të rridhte vlefshmëri për ndonjë interpretim. Në të kundërtën mund të ndodhë që të mos ekzistojë një ideal normativ i zbatueshëm që udhëheq interpretimet e teksteve. Kjo do të ndodhte, nëse çdonjëri nga argumentet e ndryshme që ndërlidhen me kundërshtinë ndaj autorit do të mbaheshin gjallë. Atëherë, nëse domethënia e tekstit nuk është e autorit të tij, nuk do të ketë edhe interpretim që mundshëm do të korrespondonte me domethënien e tekstit, që kur dihet se teksti nuk mund të ketë domethënie të përcaktuar apo të përcaktueshme. Nëse një teoricien do që ta ruajë idealin e vlefshmërisë, atëherë ai duhet ta ruajë edhe autorin, dhe mund të themi se në kontekstin e tanishëm, detyra e parë e tij do të duhej të ishte ajo që argumentet rrjedhëse kundër autorit janë të diskutueshme dhe të brishta.

“Domethënia e tekstit ndryshon edhe për autorin”

Në kohën tonë është e gjallë dhe e përhapur, por edhe e pranuar, një doktrinë, e cila thotë se domethënia e tekstit ndryshon. Sipas pikëpamjes radikale historike, domethënia e tekstit ndryshon nga era në erë (në kuptimin e periudhave historike – Shën. i N. K.), ndërsa sipas pikëpamjes së psiko-analitikës, kjo domethënie ndryshon nga leximi në lexim. Mirëpo, në këtë analizë neve më shumë na intereson kjo e dyta, pra pikëpamja e psiko-analistëve. Natyrisht, nëse ndonjëra nga teoritë e përzierjeve semantike cilësohet si e vërtetë, atëherë si rrjedhojë do të kishim edhe legjitimimin e mohimit të domethënies së autorit, shikuar në raport normativ, apo në parim, sa i përket interpretimit të tij. Megjithëkëtë, nëse do të kishim një ndërrim të vazhdueshëm të domethënies, atëherë nuk do të kishim mundësi të niseshim nga asnjë parim, sipas të cilit do të mund të hetonim dallimin midis një interpretimi të vlefshëm dhe një interpretimi false të një teksti.

Mirëpo, këtu na del edhe një problem tjetër, me të cilin ne duhet të merremi.

Neve, këtu, nuk na nevojitet të marrim në shqyrtim dhe të diskutojmë për problemet e përgjithshme normative, të cilat mund të dilnin si pasojë e ndryshueshmërisë së domethënies, por ne do të merremi më shumë me kushtet, të cilat kanë ndikuar që kritikët t’i akuzojnë autorët për këto lëshime. Çdokush që ka shkruar dhe shkruan e di se opinioni (reflektimi) i veprës së tij ndryshon dhe përgjigjja (në kuptimin e qasjes) ndaj tekstit të tij ndryshon lexim pas leximi, pra pas çdo rileximi. Në mënyrë të vazhdueshme e dimë se autorët e ndryshëm nuk pajtohen me mendimet e tyre, shprehësit e tyre, të mëparshme, të shprehura në tekste dhe i rishqyrtojnë e i rishkruajnë tekstet e tyre. Mirëpo, natyrisht, problemi ynë që po e shtrojmë këtu, nuk ka të bëjë asgjë me revizionin, rishqyrtimin e teksteve, e gjithashtu nuk ka të bëjë asgjë edhe lidhur me mundësinë që një autor mund ta shpjegojë ndryshëm domethënien e tekstit në kohë të ndryshme. Kjo përforcohet edhe më shumë kur dihet se autorët konsiderohen si “të paaftë”, nëse i shpjegojnë tekstet e tyre dhe këtë dukuri e ka vërejtur mirë qysh moti edhe Platoni. Bile mund të themi se është jorelevante për problemin tonë edhe nëse autori ka harruar se çka ka dashur të thotë kur ka shkruar. Kjo përforcohet edhe më shumë kur dihet se ka momente kur autori mund të ketë harruar se çka ka dashur të përcaktojë. Prandaj, mund të themi se këto nuk paraqesin ndonjë interes teorik që do të ndërlidhej me qëllimin tonë.

Kur kritikët theksojnë se domethënia e teksteve të autoreve ndryshon, ata i referohen një përvoje që e posedon gjithsecili që në momentin që e rilexon veprën e vet. Përgjigjja (ndjesimi, qasja) ndaj asaj vepre është e ndryshme. Ky është një fenomen që sigurisht se ka rëndësi teorike, megjithëse jo edhe aq të madhe sa theksohet dhe i përngjitet. Fenomeni i ndërrimit të përgjigjes (qasjes) autoriale ndaj tekstit është i rëndësishëm për faktin se nëpërmjet tij ilustrohet diferenca midis domethënies së tekstit dhe asaj që thjesht është përcaktuar si “përgjigje” ndaj tekstit. Ndoshta shembujt më ekstremë të këtij fenomeni janë rastet e mospranimit autorial, siç kishte ndodhur me mohimin publik që Arnoldi i kishte bërë kryeveprës së tij Empedokli në Etna, ose edhe heqja dorë e Shelingut nga të gjitha shkrimet e tij filozofike, të cilat i kishte shkruar para vitit 1809.

Po t’i hetojmë këto raste nuk mund të fillojmë e të dyshojmë se reagimi i mëvonshëm i autorit ndaj veprës së tij është shumë i ndryshëm, apo i ndryshëm nga reagimi i parë, pra ai që vjen menjëherë pas shkrimit të veprës. Por, me kalimin e kohës, në vend që vepra t’i duket e bukur, e thellë ose edhe brilante, po ajo vepër tashmë atij i duket e çorientuar, triviale e ndoshta edhe false, dhe domethënia e saj më nuk i përngjet asaj që autori ka dashur që ajo ta përmbajë. Mirëpo, këta shembuj nuk bëjnë të ditur, nuk tregojnë, se domethënia e veprës ka ndryshuar, por mendoj se e tregojnë një fenomen të kundërt. Nëse domethënia e veprës do të kishte ndryshuar (në vend të autorit dhe pikëpamjeve të tij), atëherë autorit nuk do t’i ishte dashur që t’i mohonte mendimet e tij dhe të mos qëndronte komod, të merrte shqetësime që çojnë deri në mohim. Prandaj, nuk ka dyshim se në masë të madhe për autorin ka ndryshuar kuptimi i veprës, por kurrsesi nuk ka ndërruar domethënia e saj. Ky është kryqëzimi i kësaj çështjeje në raport me të gjitha këto mutacione autoriale me të cilat mund të them se jam shumë i afërt. Nuk është domethënia e tekstit ajo që ndryshon, por është kuptimi i saj në raport me autorin, ajo që ndryshon. Ky distinksion shumë shpesh është injoruar. Domethënia është ajo që përfaqësohet nga teksti, pra ajo është çka ka dashur të theksojë autori me anë të përdorimit të shenjave të veçanta, pra ajo që e përfaqësojnë shenjat. Kuptimi, në anën tjetër, emërzon ndërlidhjen ndërmjet domethënies dhe një personi, koncepcioni apo një situate, si dhe një korpusi vlerash që sundojnë në një kohë, që në mënyrë të qartë dëshirojnë ta shohin veprën në kontekste të tjera. Qartë, ajo që ndryshon në këtë mes nuk është domethënia e veprës, por relacionet në raport me atë domethënie. Kuptimi gjithnjë përfshin në vete edhe relacionet, dhe një pol, një konstantë e vazhdueshme, e këtyre relacioneve është edhe ajo se çka do të thotë teksti. Prandaj, dështimi në përcaktimin e këtyre dallimeve esenciale ka rezultuar me një konfuzion tepër të madh në teorinë hermeneutike. Nëse ne do të besonim se me të vërtetë ka ndryshuar domethënia e tekstit edhe për vetë autorin e tij, do të mbetej vetëm një rrugë nëpërmjet së cilës do të mund ta merrnim vesh këtë: Ai (autori) do të duhej të na tregonte vetë për këtë. Si do të ishte e mundur që në një mënyrë tjetër ta merrnim vesh se ka ndryshuar domethënia e tij, kur dihet se kemi të bëjmë me një fenomen të heshtur dhe privat? Edhe nëse ndonjë autor ka njoftuar se mendimi i tij ka ndërruar, ne nuk do të mund të rrinim dhe të shikonim qetas, por do të na nevojitej një hetim. Prandaj, sipas kësaj, autori do të duhej të vihej në shpjegime të llojit: “Me këto fjalë kam dashur ta them këtë e këtë, por tani po e hetoj se në të vërtetë paskam menduar diçka tjetër”, ose “me anë të këtyre fjalëve e kam menduar këtë e këtë, por insistoj se këtu e tej ato marrin një domethënie tjetër”. Një ndodhi e tillë është e pazakontë, pra nuk mund të ndodhë, sepse autorët që e ndiejnë këtë zakonisht ndërmarrin rishqyrtimin, rishkrimin e teksteve të tyre, me qëllim që ato të marrin edhe domethënie të tjera, ose t’i përforcojnë ato të mëparshmet. Mirëpo edhe kjo është një dukuri që mund të ndodhë, dhe e bën të qartë edhe njëherë se e njëjta sekuencë e shenjave gjuhësore mund të përfaqësojë më shumë sesa një kompleks domethëniesh. Por, edhe nëse mendohet se autori e ka ndërruar mendjen lidhur me domethënien që ka dashur ta përçojë nëpërmjet veprës së tij, ai megjithatë nuk ka arritur ta ndryshojë mendimin e tij të mëparshëm. Kjo shumë lehtë mund të vërtetohet edhe nga njoftimet që i bën vetvetiu. Ai do të ishte në gjendje të njoftonte ndryshimin e mendimit të tij, vetëm nëse do të ishte i aftë të arrinte të krahasonte konstruksionin e mëhershëm të mendimit të tij me konstruksionin e mëvonshëm të po atij mendimi. Kjo është edhe e vetmja mënyrë për ta hetuar e kuptuar se ka ndodhur me të vërtetë një ndryshim: kur përpara e ka një mendim tjetër dhe e hedh poshtë atë që e ka pasur më parë. Por, ky mendim, i dikurshëm, në asnjë mënyrë nuk ka ndryshuar. Prandaj, një gjest i tillë, nga ndonjë autor, vetëm sa do ta shtonte forcën apo preokupimin e ndonjë interpretuesi të mundshëm, sa i përket asaj se cilin nga këto dy mendime (domethënie) do ta merrte në shqyrtim, pra cila do ta “brengoste” më shumë. Ai (interpretuesi) do të duhej të zgjidhte se cili “tekst” do t’i përgjigjej në atë moment për ta interpretuar. Mirëpo, kritiku do të binte nëpër dyshime të thella, nëse do të përziente një tekst me një tjetër, ose edhe të mendonte se dëshira autoriale është krejtësisht jorelevante sa i përket detyrës së tij. Kjo që e thamë deri këtu, lidhur me reagimin e autorit, është shumë e pamundshme. Sepse nuk njoh asnjë rast të vetëm kur një autor është bërë shumë ekscentrik duke thënë se tani teksti i tij ka marrë domethënie, të cilën nuk e ka pasur më parë. (Gënjeshtrat e qëllimshme, natyrisht, janë një çështje tjetër, por ato nuk posedojnë asnjë interes teorik). Mirëpo, u futa në këtë shembull të pamundshëm gjithnjë duke e pasur të qartë një tezë të pamundshme, pra atë se ndryshon domethënia e tekstit për autorin. Prandaj, me anë të këtyre shembujve shfaqet e kundërta, se, mendimi origjinal i autorit nuk mund të ndryshojë, edhe për vetveten e tij, me gjithë mundësinë e mohimit. Kur kritikët flasin për ndryshimet në domethënie ata zakonisht u referohen ndryshimeve në kuptime. Këto ndryshime, natyrisht se janë të pritura dhe të pashmangshme, dhe përforcohen edhe më shumë kur dihet se objekt primar i kritikës, si dalluese nga interpretimi, është vetë kuptimësia. Prandaj, mund të themi se rivlerësimi autorial i kuptimësisë së veprës së tij nuk e ndryshon domethënien e tij. Pra, argumentet që mbështeten në këta shembuj nuk mund të merren si armë efektive për ta sulmuar autoritetin normativ e ndoshta edhe të qëndrueshëm të domethënies origjinale autoriale.

----------------------------------------------------------------------------------------------

“Nuk është me rëndësi se çfarë mendon autori-ajo që e thotë teksti i tij”

Siç e theksova në pjesën A, ky parim qendror në doktrinën e autonomisë semantike është thelbësor sa i përket problemit të vlefshmërisë. Nëse ky parim do të ishte i vërtetë, atëherë çdo lexim i tekstit do të ishte “i vlefshëm”, sepse çdo lexim do të korrespondonte me atë që e “thotë” – për atë lexues. Është e padobishme që këtu të futen konceptet normative, si psh: “sensitiv”, “bindës”, “i çmuar” dhe “interesant”, kur dihet se ajo që mund “ta thotë” teksti mund të mos jetë njëra prej këtyre gjërave. Vlefshmëria e interpretimit nuk është i njëjtë sikur shpikshmëria e interpretimit. Vlefshmëria përfshin korrespondimin e një interpretimi me domethënien, e cila përfaqësohet nga teksti, dhe asnjë nga kriteret e lartpërmendura për dallim midis interpretimeve nuk do të zbatoheshin në një tekst që është bajat, i thjeshtë, josensitiv, jobindës dhe jointeresant. Një tekst të tillë nuk do t’ia vlente ta interpretosh, por kriteri i vlefshmërisë, i cili nuk mund të bashkëngjitet me një tekst të tillë nuk do të ishte e dobishme që të përkrahej.

Ithtarët e autonomisë semantike në Angli dhe Amerikë gjithmonë mund të mbështeten (mbahen) duke përmendur shembullin e T. S. Eliotit, i cili shumëherë kishte refuzuar t’i komentonte domethëniet e teksteve të veta. Refuzimet e Eliotit ishin të bazuara në pikëpamjen e tij se autori nuk ka kontroll mbi fjalët që i ka shprehur mbi botën dhe nuk posedon privilegj special si një interpretues i tyre. Prandaj, do të ishte krejtësisht e parregullt në raport me këtë pikëpamje nëse Elioti do të ishte ankuar kur dikush mund t’i kishte keqinterpretuar shkrimet e tij, dhe, me aq sa di unë, Elioti, me një pajtueshmëri stoike, kurrë nuk e ka bërë një gjë të tillë. Mirëpo, Elioti megjithatë nuk ka shkuar aq larg sa të pohojë se nuk ka menduar asgjë në veçanti me anë të shkrimeve të tij. Me sa duket ai ka menduar diçka kur i ka shkruar ato, dhe është një detyrë e lejueshme (e pranueshme) që të përpiqesh të zbulosh se çka ka dashur të thotë me anë të tyre. Një detyrë e tillë e ka një objekt të përcaktuar dhe sipas kësaj mund të përmbushet në mënyrë korrekte ose jokorrekte. Mirëpo, detyra e të hetuarit se çka thotë teksti nuk ka objekt të përcaktuar, kur dihet se teksti mund të tregojë gjëra të ndryshme për lexues të ndryshëm. Një lexim është i vlefshëm apo i pavlefshëm sa leximi tjetër. Prandaj, mohimi i prerë i teorisë së autonomisë semantike nuk bëhet si pasojë e papërshtatshmërisë së saj, pra dështimit që të sigurojë një kriter adekuat të vlefshmërisë. Mohimi i prerë duhet të shihet si një mohim brenda vetë kësaj teorie dhe në të metat e argumenteve që janë përdorur për ta përkrahur atë. Tash për tash argumenti më i njohur është i bazuar në distinksionin midis qëllimit thjesht për të bërë diçka dhe arritjes konkrete të këtij qëllimi. Dëshira e autorit ta komunikojë një domethënie partikulare nuk është domosdoshmërish e njëjtë me suksesin për ta bërë këtë gjë. Që kur performanca aktuale e tij është e prezantuar në tekstin e tij, çdo tentim special që të zbulojë qëllimin e tij në mënyrë false do ta barazojë dëshirën e tij private me arritjen e tij publike. Domethënia e tekstit është çështje publike. Përhapja e gjerë e këtij argumenti dhe pranimi i tij si një aksiomë e kritikës së tanishme letrare, mund të kërkohet në influencën e esesë së fuqishme “Gabimi i qëllimshëm” i shkruar nga Ë. K. Ëimsatt dhe Monroe Beardsley, botuar për të parën herë më 1946. Kritiku i argumenteve që gjenden në atë ese do të përballet me problemin e dallimit të vetë esesë dhe shfrytëzimit popullor të saj, i cili ka rrjedhur po nga ajo, pra për atë që është marrë si një e vërtetë e garantuar e thënë në atë ese dhe për atë që nuk është argumentuar suksesshëm në të. Megjithëse Ëimsatt dhe Beardsley me kujdes kishin bërë dallimin midis tri tipeve të evidencës së qëllimshme, duke e ditur se dy prej tyre janë të duhura dhe të lejuara, distinksionet dhe kualifikimet e tyre të kujdesshme tashmë janë shuar dhe kanë hyrë në versionin popullor, i cili konsiston në një dogmë të cekët dhe false, ku thuhet se ajo që ka menduar një autor i mundshëm është jorelevante për domethënien e tekstit të tij. Rruga më e mirë për të hetuar se çka ka të gabuar në këtë version popullor është që të fillohet me diskutimin e dimensionit në të cilin ai në mënyrë perfekte është i vlefshem - pra vlerësimi. Mirëpo, do të ishte absurde të fillohej me vlerësimin e shprehësisë stilistike të një teksti pa e bërë dallimin midis qëllimit të autorit për ta bartur një domethënie dhe, në anën tjetër, aftësisë së tij gjatë po kësaj bartjeje të kësaj domethënieje. Do të ishte njësoj absurde të gjykosh për thellësinë e një traktati lidhur me moralin pa dallimin midis qëllimit të autorit për të qenë i thellë dhe suksesit të tij për të qenë i tillë. Vlerësimi është dallim konstant midis qëllimit dhe arritjes.

Ta marrim një shembull: Poeti në një strofë katërshe dëshiron të përçojë sensin e vetmisë, por ajo që arrin ai ta përçojë te disa lexues është edhe sensi se deti është i lagësht, ndërsa për të tjerët edhe afrimin e mugëtirës. Qartë, qëllimi i tij që të përçojë vetminë nuk është identik me aftësinë dhe efikasitetin e tij stilistik për ta arritur këtë përçim, gjë që e hedhin poshtë me ngulm kritikët antiqëllimor. Por, dështimi intencional (i qëllimshëm) është ndoshta i aplikueshëm vetëm në kuadër të suksesit artistik si dhe te disa kritere të tjera normative, siç janë thellësia, konsistenca, e kështu me radhë. Anti-intencionalistët me të drejtë mbrojnë të drejtën dhe detyrën që kritiku të gjykojë lirshëm duke i përdorur kriteret e veta dhe duke ekspozuar diskrepancat ndërmjet dëshirës dhe faktit. Megjithatë, dështimi intencional nuk mund të thuhet se posedon aplikim të rregullt në çfarëdo domethënie verbale. Në shembullin e lartpërmendur e vetmja domethënie e vlefshme universale e poemës është vetëm sensi i saj i vetmisë. Nëse kritiku i mundshëm nuk ka arritur të kuptojë këtë pikë, ai nuk do të mund të arrijë te një gjykim i saktë - kryesisht sepse domethënia nuk është dhënë përshtatshëm dhe ndoshta nuk ia ka vlejtur që të thuhet në vendin e parë. Nën të ashtuquajturin gabim intencional dhe, në përgjithësi, në doktrinën e autonomisë semantike, shtrihet një supozim, i cili nëse do të ishte i saktë, së paku do të ndihmonte bindshëm pikëpamjen se domethënia e një teksti është e pavarur nga qëllimi i autorit. Këtu i referohem konceptit të konsensusit publik. Nëse një poet ka menduar që poezia e tij ta shprehë vetminë, si dhe për çdo lexues kompetent e njëjta poezi të bartë apo shprehë vetëm sensin se muzgu është duke u afruar, atëherë ky unanimitet publik do të krijonte një rast apo një shkas shumë të fortë (në këtë rast të veçantë) për irelevancën praktike të qëllimit të autorit. Por, kur mund të thuhet se ka ndodhur një unanimitet i tillë? Nëse në përgjithësi do të ketë ndodhur, atëherë nuk do të kishte probleme as me interpretimin.

Miti i konsensusit publik ka qenë thuajse vendimtar në arritjen e pranimit të gjerë dhe të hapur të doktrinës, sipas së cilës thuhet se qëllimi i autorit është irelevant në raport me atë që e thotë teksti. Ky mit lejon një besim të fshehtë se “ajo që thuhet” në tekst është një fakt publik, fakt që zotërohet krejtësisht me anë të normave publike. Por, nëse ekziston domethënia publike, atëherë pse ne, që në njëfarë mënyre jemi vetë publiku, nuk pajtohemi? A thua është një grup në mesin tonë që e konstituan publikun e vërtetë, ndërsa të tjerët janë heretikë apo të jashtëm? Me anë të së cilit standard është gjykuar se mungon qasja korrekte normave publike për të gjithë këta lexues, të cilët janë (përveç tekstit në duar) lexues kompetentë të teksteve? Ideja e domethënies publike nuk është sponsoruar nga qëllimet e autorit, por nga një konsensues publik, i cili është bazuar në një gabim fundamental të logjikës dhe vëzhgimit. Është një fakt empirik se nuk ekziston konsensues e gjithashtu është edhe gabim logjik që të tentosh të ngritësh një koncept te qendrueshem normativ (si p.sh. domethënien publike) jashtë një koncepti deskriptiv jo të qendrueshem. Domethënia publike e një teksti nuk është as më pak e as më shumë sesa ato domethënie që publiku arrin t’i konstruktojë nga teksti. Çdo domethënie që konstruktohet nga dy apo më shumë anëtarë të publikut është një fakt ipso përbrenda normave publike që e zotërojë gjuhën dhe interpretimet e saj.

Vox populi: vox populi

Nëse teksti e nënkupton vetëm atë që e thotë, atëherë thuajse ai nuk thotë asgjë. Atëherë thënia e tij nuk ka vetekzistencë, por do të jetë një e thënë e autorit apo e lexuesit. Prandaj, teksti nuk ekziston as si një sekuencë e fjalëve, përderisa ai të mos konstruktohet; deri në këtë gjendje ai më shumë është një sekuencë e shenjave. Nganjëherë fjalët mund të kenë edhe homonime (sikur që me anë të analogjisë mund të kenë homonime edhe tekstet ndërmjet tyre), por nganjëherë e njëjta fjalë mund të marrë kuptime të tjera dhe të bëhet thuajse një fjalë tjetër. Për shembull, kur ne e lexojmë “Oden” … e Ëordsëorthit në frazën “most ëeorthy to be blessed” nuk dimë se a duhet ta nënkuptojmë “most” si një superlativ, apo ta marrim si një intensifikues, pra si një “very”. Prandaj, edhe në këtë rrafsh të thjeshtë, hetojmë se shenjat mund të organizohen dhe konstruktohen në mënyra të ndryshme, dhe përderisa ato nuk konstruktojnë një tekst të caktuar nuk “thonë” asgjë.

“Domethenia e autorit është e paarritshme”

Ne të gjithë e dimë se jemi të ndryshëm nga autori, dhe kur e dimë këtë fakt ne nuk mund t’i reprodukojmë mendimet e tij në veten tonë, por edhe nëse kjo gjë do të ndodhte me anë të ndonjë aksidenti, prapseprapë nuk do të ishim të sigurt të konstatonim se e kemi arritur një gjë të tillë. Por, fundi i fundit, pse të merremi ne me këtë punë, thuajse të pamundur, kur dihet se energjinë tonë mund ta derdhim për ta realizuar një detyrë më të dobishme, siç mund të jetë për shembull bërja e një teksti relevant për brengat dhe gjykimet tona prezente. Qëllimi për të reprodukuar një të kaluar private dhe të paarritshme duhet të përjashtohet duke u cilësuar si një ndërmarrje e pavlerë. Natyrisht, është esenciale të dihen disa fakte publike për gjuhën dhe historinë me qëllim që të mos i humbim aluzionet ose ta bëjmë ndonjë gabim në raport me kuptimin modern të fjalëve, por këto detyra të parakohshme mund të themi se mbesin kryesisht në domenin publik dhe nuk kanë të bëjnë shumë me botën private, e cila thuajse e tejkalon atë që mund ta arrijë gjuha e shkruar.

Para se të fillojmë e të prekim në çështjen kryesore të këtij argumenti - pra kryesisht për atë që po themi se domethënia apo qëllimi i autorit është diçka që nuk mund të dihet - do të dëshiroja që ta filloja një vëzhgim lidhur me argumentin ndihmës për të respektuar dimensionet publike dhe private të domethënies së tekstit. Sipas këtij argumenti, do të ishte gabim që ta përziesh këtë fakt publik - kryesisht gjuhën, - me një fakt privat - kryesisht mendjen e autorit. Por, unë kurrë nuk kam ndeshur në një interpretim që ka nxjerre domethënie të pastërta private nga një tekst. Natyrisht se një interpretues mund të nxjerrë domethënie të cilat sipas gjykimit tonë mund të mos nënkuptohen domosdoshmërisht nga fjalët që i vendos autori, por në këtë rast ne do ta hidhnim poshtë këtë interpretim jo për faktin se është privat, por për faktin se do të mund ta cilësonim si të gabuar. Kjo domethënie, do të thoshim ne, nuk mund të nënkuptohet me anë të këtyre fjalëve. Nëse skepticizmit tonë do t’i bashkangjiteshin të gjithë lexuesit e interpretimit, atëherë do të ishte e arsyeshme të thuhej se interpretimi është privat. Megjithatë, janë të rralla interpretimet të cilat nuk kanë së paku disa përkrahës, dhe nëse do të kishte vetëm disa sish, atëherë edhe domethënia nuk mund të cilësohet si private; do të ishte e pamundshme.

Pa marrë parasysh se a arrin një interpretim ta bindë një person tjetër, ai në vetvete dëshmon përtej dyshimit se fjalët e autorit publikisht mund të nënkuptojnë një domethënie të tillë. Që kur domethënia e interpretuar i është bartur një personi tjetër, në fakt te dy a më shumë persona, pyetja më sinjifikative që do të bëhej me këtë rast do të ishte: ”A thua a autori më të vërtetë e ka pasur për qëllim ta arrijë këtë domethënie publike me anë të fjalëve të tij?”. Të kundërshtosh dhe ta cilësosh këtë domethënie si shumë personale dhe mosarritje e asaj që është synuar është gjykim legjitim estetik dhe moral, por kjo është jorelevante sa i përket çështjes së domethënies. Kjo domethënie - nëse autori ka dashur ta nënkuptojë atë - e ka dëshmuar vetveten duke u bërë publike, dhe nëse interpretuesi arrin që këtë punë ta bëjë bindshëm, domethënia mund të bëhet e pranuar dhe e hapur për një publik shumë më të gjerë. Thjesht do të ishte vetëmohuese nëse ndonjë anëtar i po këtij publiku të thoshte se “po, po e hetoj se autori e ka menduar këtë, por ky është një mendim privat e nuk është mendim publik”…

* Ky kapitull është marrë nga libri i E. D. Hirsch, Jr. Validity in Interpretation, Yale University Press, 1967 ku pastaj kanë vazhduar ribotime të shumta të tij (nënvizim i përkthyesit N. K.)

Nga anglishtja: N. Krasniqi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›