Një muaj muzikë turistike
Edicioni i tretë i festivalit ndërkombëtar të muzikës "Në tingujt e vendeve/ Apolonia 2008", u çel mbrëmjen e djeshme në qendër të qytetit të Fierit me pjesëmarrjen e shumtë të artistëve vendas e të huaj. Ky festival, i kthyer tashmë në traditë, do të vazhdojë për gjatë gjithë ditëve të muajit korrik. Në natën e parë të këtij festivali interpretuan artistët e bandës muzikore të qytetit, të cilët ia lanë vendin më pas Ansamblit "Myzeqeja" dhe ansamblit folklorik të rrethit të Lushnjës.
Spektatorët që kishin mbushur sheshin pranë bashkisë së Fierit duartrokitën për rreth 2 orë artistët, të cilët interpretuan në koncertin e titulluar "Myzeqeja Folk", këngë dhe valle popullore shqiptare. Drejtuesit e këtij festivali thanë se ky aktivitet do të vazhdojë gjatë gjithë muajit korrik, duke u zhvendosur sa në qendër të qytetit të Fierit, në shkollën rajonale artistike, në skenën e teatrit antik në qytetin e vjetër të Apolonisë, si dhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë.
Festivali "Në tingujt e vendeve/Apolonia 2008" do të organizohet gjatë muajve korrik-gusht në një sërë qendrash historike dhe turistike të Shqipërisë. Ai do të shoqërohet me aktivitete të shumta kulturore si koncerte, festivale të filmit dokumentar, ekspozita të artit vizual, koncerte folk dhe jazz, etj.
Sipas drejtuesve të festivalit, ai ka si qëllim promovimin e vlerave të vendeve historike-turistike të Shqipërisë. Promovimi i territorit, artit dhe historisë së Shqipërisë brenda dhe jashtë kufijve, promovimi i vendeve të njohura dhe më pak të njohura si, Finiqi, Dervicani, Leskoviku, por edhe promovimi i Apolonisë, Dyrrahut, Butrintit, Korçës, si qendra të mëdha kulturore e historike të antikitetit, janë objeksione të këtij Festivali të përvitshëm Ndërkombëtar. Festivali në planin ndërkombëtar realizohet edhe në vende të tjera si Itali, Austri, Kroaci, Slloveni, Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë . Ai ka nisur të organizohet që nga viti 2003 i pagëzuar si “Koncertet e Verës”, për të vijuar në vitet 2004-2005 me një bashkëpunim ndërkombëtar në kuadrin e Projekteve Interreg të Komunitetit Europian nën siglën “Nei Suoni dei Luoghi" (Në Tingujt e Vendeve) dhe në vitet 2006-2007 si "Nei Suoni Dei Luoghi/Apolonia Festival".
Organizues dhe realizues të tij janë UNDP ART/Reference Center for Music, Cultural Cooperation and Human Development dhe Shoqata “Progetto Musica” (Itali), ndërsa partnerë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe bashkitë e rretheve përkatëse ku priten të mbahen këto aktivitete.