E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gyl: Do të ndihmojmë njohjen e Kosovës nga vendet islamike

Presidenti turk, Abdullah Gyl, gjatë takimit
që ka zhvilluar me kryeparlamentarin e
Kosovës, Jakup Krasniqi, është shprehur i sigurt
se bashkëpunimi dhe marrëdhëniet mes Turqisë
dhe Kosovës do të thellohen dhe se komuniteti turk
në Kosovë dhe qytetarët turq
me origjinë shqiptare në Turqi,
duhet të luajnë rolin e urës
lidhëse midis dy vendeve. "Ne
do të vazhdojmë të bëjmë
punën tonë për njohjen sa më
të gjerë të Republikës së Kosovës",
ka thënë Gyl, duke premtuar
se vendi i tij do të vazhdojë
të organizojë kontakte miqësore
midis Kosovës dhe
vendeve nga të cilat kërkohet
njohja. "Fokusimi ynë do të
jenë sidomos vendet islamike",
ka premtuar Presidenti turk. Ndërkaq, Krasniqi ka
thënë se Republika e Kosovës dëshiron të thellojë
marrëdhëniet me Republikën e Turqisë në të gjitha
fushat, si partner strategjikë, në dobi të interesave
reciproke, të miqësisë midis dy popujve tanë dhe të
bashkëpunimit e të paqes në rajon. Ai po ashtu ka
kërkuar nga Presidenti turk që Turqia, si një vend i
madh dhe me kredibilitet të lartë ndërkombëtar, të
ndikojë te miqtë e saj të shumtë, sidomos në botën
islamike, për njohjen sa më të
shpejtë dhe më të gjerë të Republikës
së Kosovës, për t‘ i
bërë të mundur kështu hyrjen
e saj në familjen e madhe të Kombeve
të Bashkuara dhe në organizata
të tjera politike e financiare
ndërkombëtare.
Delegacioni nga Kosova, të
cilit i ka prirë kryeparlamentari
Krasniqi, është takuar edhe me
Kryeministrin e Turqisë, Taip
Erdogan, dhe kryetarin e Parlamentit
turk, Koksal Toptan,
nga të cilët po ashtu kanë marrë garanci se shteti
turk do të angazhohet për të ndihmuar Kosovën në
të gjitha sferat, sidomos rreth njohjes së mëtutjeshme
të saj dhe zhvillimit ekonomik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›