E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Krizën e vitit ’97 e shkaktuan enveristët, mafia, vendet e Ballkanit dhe mediet

Nga Tema

Gazeta “TemA” nis sot botimin e një intervistë të kryeministrit, Sali Berisha, dhënë për gazetarin e “Zërit të Amerikës”, A. Fetahu, në dhjetor të vitit 1997. Intervista do të përdorej nga gazetari për të shkruar një libër mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1996-1997. Sot, Berisha analizon nisjen e krizës së vitit 1997, duke vënë gishtin tek ata që ai i quan komunistë, por akuzon dhe mafien, vendet e Ballkanit dhe mediet që ndikuan në krizë. Shumë pak fjalë për përgjegjësinë e qeverisë për krizën

Cilat janë, sipas jush, shkaqet e krizës së vitit 1997?

Unë mendoj se gjatë vitit 1997 Shqipëria përjetoi një krizë të fortë financiare, si dhe një rebelim të vërtetë komunist me elementë të qartë të grushtit të shtetit me të gjitha pasojat e tij. Këtë dallim e bëra që në fillim, ndonëse ju në paketën e pyetjeve tuaja të gjitha zhvillimet e vitit 1997 i përfshini në krizën e vitit 1997, shmangni një vlerësim të tillë. Ndërsa unë mendoj se dallimi i krizës financiare nga rebelimi komunist nuk është thjesht një dallim semantik, por thelbësor, jo vetëm për të kuptuar më mirë dhe më qartë zhvillimet e vitit 1997, por edhe krizën e thellë politike, financiare, ekonomike dhe institucionale që ka ngërthyer rëndë, sot, Shqipërinë.

Kështu, sot në Shqipëri, kriza financiare e vitit 1997, jo vetëm që nuk është lehtësuar, por përkundrazi, ajo është thelluar disa herë. Që nga dita që financat shqiptare drejtohen nga socialistët, nga bankat shtetërore shqiptare, në kundërshtim me vendimet e qeverisë, janë shpërndarë jashtë kritereve rreth 120 milionë dollarë të depozituar nga kompanitë rentiere dhe që ishin ngrirë me vendim qeverie. Këto depozita iu shpërndanë huadhënësve tani, pushtetarë, ministra, deputetë, prefektë, kryetarë dhe anëtarë të komiteteve, farefisit dhe krushqive të qeveritarëve. Përveç kësaj, menaxherët, komitetet dhe bandat shkatërruan dhjetëra miliona dollarë investime të kompanive rentiere.

Kriza e sotme shqiptare ka aspekte të thella ekonomike dhe sociale. Po rikujtoj këtu se inflacioni, pas shpalljes së paketës së re fiskale u rrit rreth 40% dhe katër muajt e parë të këtij viti ka një rritje dyshifrore, eksportet janë ulur në masën 30%, krimi i organizuar, trafiqet e të gjitha llojeve, vrasjet e dhjetëra qytetarëve çdo javë janë aspekte të tjera të kësaj krize, pa u ndalur këtu në vrasjet dhe likuidimin fizik të kundërshtarëve, shkarkimin në kundërshtim të hapur me ligjet kushtetuese të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe brutalizimin e tij në zyrë nga policia, shkarkimin politik të shumë gjykatësve të tjerë, dhunimin sistematik të ligjeve kushtetuese, bllokimet institucionale, Gjykatë Kushtetuese-parlament-qeveri - Presidencë etj.

Por, me gjithë krizën e thellë dhe të shumanshme, sot në Shqipëri nuk ka rebelim dhe nuk do të ketë rebelim, për faktin e vetëm se Partia Demokratike është e vendosur të mos organizojë rebelim, siç bënë ish-komunistët për të ardhur në pushtet.

Padyshim që faktorët e krizës janë të lidhur me shumë e shumë fije me rebelimin e armatosur të ish-komunistëve që nuk arriti të shndërrohej në një kryengritje, por që ia doli të zhysë në kaos dhe anarki të plotë, të djegë, shkatërrojë dhe të vrasë e terrorizojë shumë më rëndë se gjatë Luftës së Dytë në disa nga qytetet kryesore të jugut të vendit.

Shkaqet e krizës dhe ato të rebelimit komunist në Shqipëri mendoj se janë komplekse dhe të shumëllojta, politike, ekonomike, sociale, psikologjike, të trashëguara dhe të fituara. Shkaqet më kryesore të krizës kanë qenë:

- Lejimi i skemave piramidale nga qeveria demokratike. Padyshim, ky ka qenë shkak themelor i krizës së dhimbshme financiare.

Tregu financiar informal, që filloi në vitin 1991, ishte çmimi i hapjes së vendit. Shqipëria nisi rrugën e tregut nga niveli i panjohur i tij, nga një shoqëri, që jo prona, por fjala private ishin herezi. Hapja dhe vetëm ajo bëri të mundur kapërcimin brenda një periudhe të shkurtër të disa prej pasojave kryesore të izolimit 50-vjeçar të Shqipërisë. Por, hapja në mungesë të ligjeve, mekanizmave dhe procedurave, rregullave që do të mbronin qytetarët shqiptarë nga pasojat e saj të padëshirueshme, solli ndër të tjera, jo vetëm drogën apo përdorimin e saj, por edhe tregun informal dhe epideminë e tij.

Përveç kësaj hapja e vendit, pas një izolimi gjysmëshekullor, u shoqërua me emigrime masive. Rreth 500 mijë të rinj shqiptarë emigruan vetëm 3-4 vitet e fundit, sikundër shumë milionë shqiptarë jashtë kufijve të Shqipërisë, rivendosën lirshëm lidhjet e tyre familjare dhe të gjakut me farefisin e tyre ta varfëruar skajshëm në Shqipëri. Këta faktorë, së bashku me solidaritetin e madh që i karakterizon familjet shqiptare, bënë që Shqipëria, tejet e varfër, të shndërrohet në vendin me fluks të madh të cash-it të valutave të forta. Mirëpo, në mungesë të një sistemi të zhvilluar bankar, mobilizimi i tyre në investime paraqet gjithnjë vështirësi reale. Në Shqipëri, mungonte jo vetëm sistemi bankar funksional, por mungonte deri diku edhe tradita investuese. Kështu që vështirësitë e “mobilizimit” të këtij kapitali të fjetur financiar të madh për Shqipërinë ishin serioze. Dëshiroj të rikujtoj këtu se ne, shqiptarët, kemi qenë më shumë kursimtarë sesa investitorë. Në vitin ‘47 qeveria komuniste konfiskoi rreth 260 tonelata flori, kursime të tregtarëve dhe qytetarëve shqiptarë. Prandaj dhe “super-cash”-i së bashku me tendencën e kursimit përbënin faktorë të favorshëm për zhvillimin e tregut informal.

Krahas këtyre, në historinë e zhvillimit të ekonomive liberale tregu informal ka shoqëruar ekonomitë liberale me ritme të shpejta rritjeje. Ekonomia shqiptare në vitet ‘92-‘96 shënoi edhe rritje dyshifrore. Gjithashtu, rreziqet e tregut informal deri në vitin 1996 ishin krejt të panjohura për shqiptarët. Që nga viti 1991 gjer në fillim të vitit 1996, asnjë paralajmërim publik, por as edhe privat, nuk është bërë nga asnjë forcë politike opozitare apo e koalicionit qeveritar, nga asnjë analist, ekonomist, gazetar i ndonjë institucioni shtetëror e jo-shtetëror, NGO, shqiptar apo joshqiptar.

Mungesa e traditës demokratike. Demokracia është evoluim, pra procesi i emancipimit të vërtetë njerëzor dhe kombëtar të një kombi. Rreth 7 vjet më parë një kolegu juaj më ka pyetur: “Kur mendoni ju se demokracia do të vijë në Shqipëri?” Atij, por edhe të tjerëve, duke mos pretenduar të jem profet, u jam përgjigjur se do të duhet së paku një gjeneratë, por kjo ka qenë një e vërtetë vetëm e pjesshme, sepse në këtë fundshekulli me zgjatjen e jetës nuk ekziston më raporti - një gjeneratë, një komb; ajo do të vijë së paku pas 20 vjetësh.

- Psikologjike. Shqiptarët janë njerëz të fortë. Hapja ndaj botës i gjeti ata në Evropën e pasur, me rrogat që sot ka Koreja e Veriut dhe mjerisht jo dhe aq të vetëdijshëm për mjerimin e tyre. Ata, pasi realizuan me zhgënjim të thellë dramën e mjerimit, në të cilën ishin zhytur, punuan shumë gjatë viteve të punës së lirë, por gjithashtu, për mungesë të plotë të njohurive besuan se kapitalizmi është sistemi i pasurimit të shpejtë të individit. Ky besim çuditërisht ishte përhapur në të gjitha shtresat e popullsisë. Kjo, sepse ne ishim vendi i izolimit më të thellë dhe se gjurmët e tregut të lirë, jo me konceptet e tij, ishin të shuara në mendjen e njerëzve. Etja e pasurimit të shqiptarëve ishte ndoshta ethe e fundit e floririt të atyre që humbën, të pushtuar nga dëshira e pasurimit të shpejtë dhe ndryshimit të shpejtë të jetës së tyre.

- Ritmet e ngadalta në privatizimin dhe reformimin e sistemit bankar mendoj se kanë kontribuar gjithashtu në zhvillimin e tregut informal. Por, edhe njëherë duhet të theksoj se të tjera janë shkaqet e krizës, të tjera janë shkaqet e rebelimit. Në shkaqet e rebelimit, ato më kryesoret kanë qenë:

- Papajtueshmëria me votën e lirë të pushtetit të ish-komunistëve shqiptarë, që u bë shumë më e theksuar pas rikthimit të ish-komunistëve në pushtet në shumë vende lindore, ka qenë faktori përcaktues i rebelimit komunist në Shqipëri.

Skenari i rebelimit komunist në Shqipëri u zhvillua sipas skemës klasike të puçeve dhe rebelimeve komuniste në rajon dhe vendet e tjera: Bojkot i zgjedhjeve të përgjithshme, rritje e intolerancës, shfrytëzim i pakënaqësive ekonomike për të organizuar protesta të dhunshme dhe marrjen e pushtet me dhunë.

PPSH erdhi në vitin 1990 si reparti më ortodoks i komunizmit në Evropë. Të gjitha partitë komuniste të vendeve lindore, siç thotë Gorbaçovi, përbëheshin nga dy krahë: krahu intolerant, fanatik apo siç e quan ai, krahu fondamentalist dhe krahu tjetër, krahu i majtë, i moderuar apo krahu socialdemokrat. Ndërsa në vendet e tjera ish-komuniste këto parti u shkrinë për të krijuar një parti të moderuar të majtë dhe një parti komuniste, në Shqipëri dhe në Bullgari kjo nuk ndodhi. Partia Komuniste Shqiptare, e themeluar në vitin 1941, ndërroi në qershor të vitit 1991 për të tretën herë emrin e saj. Në Kongresin e saj të datës 12 qershor të vitit 1991, Partia e Punës e Shqipërisë vendosi jo shkrirjen dhe riformimin e një partie të re, siç shpresonte rryma e moderuar e saj, por vetëm ndërrimin e emrit të saj në Parti Socialiste. Kjo parti, gjer sot, në asnjë dokument zyrtar të saj dhe as të ndonjë drejtuesi të saj kryesor, nuk ka denoncuar dhe nuk ka kërkuar ndjesë për kalvarin komunist dhe krimet kundër njerëzimit që ajo, nën emrat e mëparshëm që mbante si Partia Komuniste e Shqipërisë apo Partia e Punës e Shqipërisë, kreu ndaj popullit shqiptar gjatë 50 vjetëve të diktaturës komuniste. Madje, ditën e ndërrimit të emrit apo pagëzimit të ri si PSSH, shpalli veten trashëgimtare juridike të PPSH, duke mos dashur të humbasë as pronat që kishte krijuar jashtë çdo ligji gjatë 50 vjetëve. Mbi këtë bazë, ajo mori të gjitha selitë, miliona dollarë të depozitave bankare të PPSH dhe tani, pas kthimit në pushtet, drejtuesit e PSSH u rikthyen në vilat luksoze të ish-Byrosë Politike. Për të mundur të maskojë sadopak veten si vazhduese direkte i PPSH, ajo ndryshoi para një muaji dispozitat kushtetuese dhe urdhëroi disa aktivistë dhe deputetë të saj të formojnë Partinë Komuniste me kultin e E. Hoxhës, duke menduar se shqiptarët kanë harruar se jo më larg se në vitin 1993, Fatos Nano deklaroi në një takim me marksistë-leninistët shqiptarë në Zvicër se Enver Hoxha është “babai” ynë.

Gjatë pesë vjetëve që kaluan Partia Socialiste Shqiptare u dominua nga krahu ekstremist fondamentalist, i përfaqësuar nga Ruçi, Islami, Nano. Ky i fundit, në aparencë hiqet i moderuar, por në të vërtetë ishte i biri i të atit, siç e ka shpallur ai vetë Enver Hoxhën. Prandaj, dhe që me shpërthimin e revoltave, protestave, PS, aparatçikët e saj, oficerët e Policisë Sekrete u angazhuan në Vlorë, Lushnjë, Berat, Fier t’i shndërronin ato në protesta të dhunshme. Celulat komuniste në këto rrethe organizuan deri vjedhjen, jo vetëm të eksploziveve, por edhe të epruvetave nga laboratorët e kimisë në shkollat e mesme, të cilat i mbushnin me lëndë djegëse dhe përgatitën me to mjetet djegëse, me të cilat iu vunë zjarrin shumë institucioneve publike, duke i gjuajtur në distancë nëpërmjet dritareve të tyre.

Drejtuesit lokalë të PS në Vlorë, Fier, Berat, Lushnjë iu prinë grupeve që iu vunë zjarrin institucioneve publike të këtyre qyteteve.

Në vitin 1996 ne kaluam një paketë ligjesh antikrim, në të cilat synonim të ndëshkoheshin siç e meritojnë trafikantët, kontrabandistët, skafistët dhe kjo i shqetësoi shumë ata. Ish-komunistët vendosën një aleancë me ta në nivel lokal, por edhe shumica e tyre u përkisnin apo rridhnin nga grupe ekstremiste të majta.

Vendosmëria e ish-komunistëve shqiptarë për t'u rikthyer në pushtet gjente edhe një terren të caktuar në shoqërinë shqiptare, e cila vetëm 5-6 vjet më parë përbëhej nga njerëzit më të izoluar, më të indoktrinuar, më të keqtrajtuar, më të kequshqyer, më të ndjekur, më të persekutuar, më të përçmuar, më të përçarë që me imponim nuk i besonin më Zotit, nuk i besonin njëri-tjetrit, nuk i besonin më Shqipërisë. Ky ishte një terren që deri diku favorizonte ato që ndodhën

Ka pasur natyrisht edhe faktorë të tjerë që bënë të mundur rebelimin komunist, si brishtësia e institucioneve të reja, ndaj dhe ne kishim deklaruar si objektiv madhor konsolidimin e këtyre institucioneve, kualifikimin e punonjësve të administratës. Unë personalisht, u përkas atyre që besojnë se shkaqet e rebelimit komunist, sikundër edhe shkaqet e krizës, kanë qenë kryesisht të brendshme. Unë jam i bindur se piramidat nuk kanë qenë një fenomen shqiptar. Ato vërtet erdhën së bashku me hapjen. Ato vërtet u rritën, u organizuan edhe për motive politike, qëllime të caktuara nga të tjerë, por nuk mund të mohohet se vendosja e parave në këto skema, dhënia borxh me interes e kursimeve ishte një akt tërësisht i vullnetshëm, i vjetër sa vetë borxhi dhe njeriu borxhli.

Është e vërtetë se grupe dhe përfaqësues të nacionalizmave primitivë ballkanikë dhe mbështetës të tyre ndihmuan, nxitën, financuan rebelimin, por ishin shqiptarët, më saktë mercenarë shqiptarë ata që shkatërruan, vranë, grabitën dhe dogjën edhe njerëz të gjallë.

Por, megjithëkëtë, rebelimi komunist në Shqipëri u ndihmua aktivisht, pa diskutim dhe direkt nga qarqe ultranacionaliste ballkanike e mbështetës të tyre, nga forcat komuniste në rajon dhe më gjerë, nga mafia rajonale. Të gjithë këta investuan jo pak në njerëz të inkriminuar, mercenarë, armë, mjete financiare dhe propagandë të shumëllojtë për të organizuar rebelimin e armatosur dhe për të rikthyer në pushtet ish-komunistët në Shqipëri.

Kur i konstatuat shenjat e para të krizës dhe a ka qenë ai një konstatim i vonuar në kohë?

Fajdet, të cilat unë i kam vlerësuar si gabim historik të qeverisjes së Partisë Demokratike, kanë qenë një fenomen ndaj të cilit kisha vendosur të qëndroja.

Unë i konsideroj fajdet dhe krizën të lidhura njëra me tjetrën. Kriza financiare është krizë që nuk mund të shpërfillet dhe që nuk mund të mos ketë implikime të tjera.

Personalisht, unë jo vetëm që nuk e kam dashur, por për bindjet e mia të thella e kam urryer tregun informal. Por dëshiroj të theksoj se deri në fillim të vitit 1996 nuk ka pasur asnjë sinjal për rrezikshmërinë e tij. Është e vërtetë se këto fenomene kishin ndodhur në vende të tjera, mirëpo fakti që shumica e kompanive rentiere kishin edhe investime reale në disa sektorë, u jepte atyre një specifikë jo të parëndësishme për Shqipërinë. Kështu p.sh., kompania “Gjallica” kishte rreth 25-30 milionë dollarë investime në objekte të ndryshme dhe të një teknologjie bashkëkohore. Për Shqipërinë kjo ishte një ndër kompanitë investuese më të mëdha. Por, edhe para ngritjes së problemit të rrezikut të këtij tregu nga Fondi Monetar, në gusht të vitit 1996, unë dhe zyrtarë të tjerë kishim filluar të punonim për të gjetur zgjidhje ligjore të këtij fenomeni, sepse çdo hap tjetër do mund të bllokohej nga sistemi gjyqësor. Në Shqipëri, huadhënia-marrja ishte një veprimtari e lejuar me ligj. Mundet të ishte proceduar më me shpejtësi, po ajo që pengonte në çdo hap ishte mungesa e ligjeve dhe projektligjeve për hetimin dhe kontrollin e tyre, si dhe loja me interesat që bënin bosët e tyre dhe tendenca e përgjithshme për të mos i prekur, si veprimtari private që ishin. Mund t'ju them se asnjë ekspert, vendas apo i huaj, nga institucione financiare nuk kishte sjellë ndonjë projektligj për trajtimin e tyre. Gjithashtu, nuk mund të mohoj se kishte një rezistencë të vërtetë nga parlamentarë, disa prej të cilëve mendonin se nuk duheshin prekur, ndërsa të tjerë, në vend të ligjit që mundësonte një veprim të shpejtë, preferonin që ato të zgjidheshin nëpërmjet procedurave të falimentimit, sipas ligjit të falimentimit, pra nëpërmjet gjykatave, mirëpo gjykatave asnjë kreditor nuk pranonte t'u drejtohej, duke mbetur të bindur ose me shumë shpresë për marrjen e parave të depozituara.

Shumë vetë ju bëjnë përgjegjës se keni reaguar me vonesë për të parandaluar shkallëzimin e saj. Cili është komenti juaj?

Nuk ka dyshim se fondacionet huamarrëse mashtruese dhe kompanitë rentiere nuk duheshin lejuar të fillonin veprimtarinë që ato zhvilluan. Por, në arsyet që bënë të mundur fillimin e veprimtarisë së tyre, qëndron edhe shkaku i reagimit padyshim të vonuar ndaj tyre. Vështirë të gjendet një fenomen kaq negativ, i cili të jetë shoqëruar nga një heshtje varri nga qeveria dhe opozita, nga institucionet vendase dhe ato ndërkombëtare, nga rrethet akademike dhe gazetat e pavarura. Personalisht, për shkak të bindjeve të mia, kam qenë në mënyrë të prerë kundër tyre. Por, nga ana tjetër, fakti që ato ishin një veprimtari strikte private, e palicencuar nga shteti dhe me një bazë të përcaktuar ligjore në Kodin Civil të vendit, madje në Kodin e ri Civil, si dhe mungesa e plotë e kompetencave të presidentit në fushën ekonomike dhe financiare përbënin serinë e faktorëve që kanë përcaktuar reagimin e vonuar.

Kriza filloi si një zemërim i njerëzve për paratë e humbura në skemat piramidale, por ajo u bë shumë shpejt një krizë politike. Përse?

Po, keni shumë të drejtë. Kriza financiare zgjoi një zemërim të ligjshëm ekonomik të njerëzve. Asnjëherë dhe asnjë zyrtar i Partisë Demokratike nuk ftoi qytetarët të vendosin paratë në skemat piramidë. Asnjë opozitar nuk ftoi qytetarët të mos vendosnin paratë në këto skema, por detyra e qeverisë ishte të mbronte qytetarët. Zemërimin e ligjshëm të qytetarëve, ish-komunistët, sipas skemave tipike marksiste të revolucionit apo marrjes së pushtetit me dhunë, e shfrytëzuan për të organizuar rebelimin, djegien e institucioneve publike, vrasjet, grabitjet, shkatërrimet. Ata ia dolën të mobilizojnë elementët mafiozë, trafikantët dhe mercenarët që u liruan nga burgjet e huaja për të organizuar rebelimin dhe zhytur në kaos të vërtetë jugun e vendit. Pra, kriza që filloi si krizë financiare dhe zemërim i ligjshëm i qytetarëve për humbjen e parave, u shndërrua në rebelim nga ish-komunistët, grupet e tyre ekstremiste, oficerët enveristë të liruar nga ushtria, menaxherët e skemave piramidë, trafikantët dhe mercenarët. Të gjithë këta, së bashku me aleancën e tyre, synonin të përmbysnin rendin kushtetues, e pse jo për të krijuar në Shqipëri ndarje që nuk kanë ekzistuar që nga viti 1913.

Pra, skemat piramidale ishin terreni dhe vetëm terreni që bëri të mundur organizimin e rebelimit nga ish-komunistët. Holanda, në vitin 1997 ka pasur 60 skema piramidale, ndërsa tri vitet e fundit Britania e Madhe ka pasur 18 të tilla. Skema piramidë të mëdha ka pasur edhe në një seri vendesh perëndimore. Por, në këto vende nuk kishte parti marksiste-leniniste që të manipulonin zemërimin e njerëzve dhe të angazhonin celulat e tyre së bashku me kriminelë ordinerë, trafikantë, mercenarë për të djegur qytetet, vrarë njerëz të pafajshëm, thyer bankat etj.

Në manipulimin e zemërimit të njerëzve një rol të fuqishëm kanë luajtur mashtrimet e mëdha të ish-komunistëve dhe medieve të kontrolluara prej tyre se paratë i ka grabitur qeveria e Partisë Demokratike për të mbajtur me rroga punonjësit buxhetorë dhe se ajo mund dhe duhet të kthejë 100% paratë e humbura.

Në Shqipëri, pas 50 vjet diktature të egër është shumë, shumë e vështira të bindësh njeri që shteti i “gjithëfuqishëm” nuk mund të paguajë paratë e qytetarëve ose dhe ai nuk i ka marrë ato pará. Kjo, edhe për faktin sepse në bankat shtetërore të Shqipërisë ishin të depozituara rreth 400 milionë dollarë nga fondacione dhe kompanitë rentiere.

Këtu, mendoj se një rol të caktuar luajti edhe ngathtësia e qeverisë për t'i bërë transparente me shpejtësi të gjitha proceset e kontrollit të skemave piramidë dhe të shpërndarjes së parave të gjetura në to.

Vijon numrin e nesërm

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›