E Diel, 1 Nëntor 2026

PBDNJ ndryshon ekuilibrat, ja votat që humbet koalicioni i PS-së

SHKRUAN: Dardan Malaj 25-03-2011 14:18

Rrjedhja e votave do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në bashkitë dhe komunat në jug të vendit

Dalja e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nga koalicioni opozitar mund të ketë një kosto konkrete elektorale më 8 Maj. Në zgjedhjet e fundit, ato të 28 qershorit 2009, kjo parti grumbulloi në rang vendi në të 12 qarqet numrin prej 18 078 votash. Rrjedhja e votave do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në bashkitë dhe komunat në jug të vendit, ndërsa nuk do të ketë ndikim në pjesën e Shqipërisë veriore dhe asaj qendrore me, përjashtim të kryeqytetit.

Qarqet

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PBDNJ-ja e drejtuar nga Vangjel Dule arriti të grumbullojë numrin prej 126 votash në të gjithë qarkun e Beratit. Në qarkun e Dibrës kjo parti ka patur mundësi të fitojë në total vetëm një numër prej 206 votash, ndërsa në qarkun e Durrësit vetëm 305 vota. Teksa flitet për Elbasanin, në rang qarku kemi të bëjmë me një shumë prej 1 363 votash, por në territorin e bashkisë nuk është përqendruar numri më i madh i mbështetësve. Në zgjedhjet e vitit 2009, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut arriti të fitojë vetëm 532 vota në të gjithë qarkun e Fierit, çka nuk përbën rrezik konkret për opozitën. Në qarkun e Gjirokastrës PBDNJ-ja ka një pozitë të favorshme, pasi numëron në total një sasi prej 2 589 votash. E njëjta situatë vërehet edhe në qarkun e Korçës, ku në të gjithë territorin që përfshihet në këtë njësi administrative janë të grumbulluara 2 273 vota. Pesha e PBDNJ-së në qarkun e Kukësit është e papërfillshme, pasi ka vetëm 134 vota në total, ndërsa në qarkun e Lezhës vetëm 290 të tilla. Në qarkun e Shkodrës partia e Vangjel Dules ka arritur të grumbullojë në zgjedhjet e fundit një numër prej 1 251 votash. Në qarkun e Tiranës Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka jo pak vota por 2 941 të tilla, që pritet të kenë ndikim sidomos ato vota që janë përqendruar në territorin e Bashkisë së Tiranës. Në qarkun e Vlorës kjo parti ka grumbulluar më 28 qershorin e vitit 2009 numrin prej 6 068 votash.

Bashkitë

Duke llogaritur vetëm votat e hedhura më 28 qershor 2009 në territorin e disa prej bashkive ku janë të përqendruar mbështetësit e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, krijohet tabloja e riskut elektoral nga prishja e aleancës PS-PBDNJ. Konkretisht, në territorin e Bashkisë së Tiranës, që përfshin 11 minibashkitë, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka marrë në zgjedhjet e fundit 2 440 vota. Në territorin e Bashkisë së Himarës kjo parti ka marrë 669 vota, ndërsa në Bashkinë Gjirokastër ka marrë 508 vota. Në njësinë vendore Bashkia Vlorë PBDNJ-ja ka grumbulluar një numër prej 595 vota, në zonën e Bashkisë Korçë janë fituar 779 vota, në territorin e Sarandës 609 vota dhe në territorin e Bashkisë Elbasan 303 vota. D.Malaj

TABELA

Rezultati i PBDNJ-së në zgjedhjet e vitit 2009

Votat në rang vendi (12 qarqet)

18 078 vota

Territori i Bashkisë Tiranë

2 440 vota

Territori i Bashkisë Himarë

669 vota

Territori i Bashkisë Gjirokastër

508 vota

Territori i Bashkisë Korçë

779 vota

Territori i Bashkisë Vlorë

595 vota

Territori i Bashkisë Sarandë

609 vota

Territori i Bashkisë Elbasan

303 vota

“Mega”: Jo koalicion me PBDNJ, garojmë edhe në Himarë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›