Topi: Pas mandatit të Presidentit do t’i kthehem politikës
“Është një shprehje e vjetër që thotë “Hip se të vrava, zbrit se të vrava”! Çështja është se çdo institucion duhet të ketë koshiencën, për të qëndruar në pozicionin e tij, mbi bazën e asaj që i ka dhënë Kushtetuta. Kjo është shumë e rëndësishme”
Kreu i shtetit, Bamir Topi, në një intervistë për emisionin “Zona B”, të gazetarit Baton Haxhiu në TV ‘KlanKosova’, shprehet se do të jetë sërish politika, angazhimi i tij pas mbarimit të mandatit të Presidentit më 2012. Topi shprehet edhe kundër gjuhës së ashpër të përdorur nga Berisha pas 21 janarit.
Po ta përfundonit postin e Presidentit pas dy vitesh, do të formonit një parti politike, cili do të ishte orientimi juaj, zoti President?
Së pari, dua t’ju korrigjoj sepse më dhatë shumë, dy vjet.
Ka më pak se dy vjet…?
Në 2013 janë zgjedhjet politike.
Në vitin 2012...
Mandati i Presidentit mbaron në fundin e korrikut të vitit 2012. Kam një parim, që mundohem të realizoj detyrat e ditës.
Qëndrimi juaj pardje, në konferencën për shtyp, ishte ndoshta për herë të parë i shprehur publikisht se nuk ndiheni komod që të zgjidheni edhe një herë President, me formulat 71 plus ose 70+1?
Jo, nuk jam shprehur në këtë mënyrë. Ju e perifrazoni, por unë do jua them se në ç’kontekst është thënë.
Ju e thatë publikisht se nuk ka të bëjë me Bamir Topin.....
Sigurisht nuk ka të bëjë me mua. Bamir Topi është në detyrën e tij, duke marrë pëlqimin e Parlamentit në një vendim të vitit 2007 dhe do ta realizojë këtë detyrë deri në ditën që do të jetë në këtë zyrë. Çështja nuk shtrohet në sens personal. Këtu diskutojmë për çështje të një karakteri parimor në një zgjedhje relative. Të dyja janë legjitime: edhe zgjedhja nga Parlamenti, edhe zgjedhja nga populli. Në preferencat e mia, duke iu referuar standardeve më të larta të demokracisë, do të mendoja se zgjedhja nga populli do të ishte zgjedhje relative më e mirë...
Çështja e “21 janarit” është ndërkombëtarizuar. Ju si President e keni pasur atë qëndrim të ekuilibruar, ku njëra palë ju ka thënë që ky qëndrim i ekuilibuar nuk ju takon se je i yni, kurse pala tjetër ju ka thënë, ose ka qenë e heshtur për shkak se keni ndërtuar një marrëdhënie të tillë. Lëkura juaj prej Presidenti, si është ndierë në këtë situatë, kur dikush ju trajton si të tyren dhe tjetra është hezituese t’ju përkrah?
Po them një shprehje të vjetër, që ndoshta nuk i shkon elegancës së këtij komunikimi. Është një shprehje e vjetër që thotë “Hip se të vrava, zbrit se të vrava”! Çështja është se çdo institucion duhet të ketë koshiencën, për të qëndruar në pozicionin e tij, mbi bazën e asaj që i ka dhënë Kushtetuta. Kjo është shumë e rëndësishme. Ju e keni vënë re që sa të ndjeshëm ose sa të ndjeshme janë partitë politike, në rast se ka dyshime për devijim nga Kushtetuta. Për të tjerët edhe për këtë institucion që do të thotë që partitë politike, në momentet që zgjidhet Presidenti, nuk duhet të shkojnë më me paragjykime për këtë institucion. Duhet të dinë të respektojnë institucionin...
Ju e keni pasur gjatë asaj…?
... Ka mjaft raste kur midis institucioneve, edhe në Shqipëri, nuk ka pasur respektim edhe të etikës së komunikimit, e shikoni te partitë politike. Unë besoj që e kam ruajtur me fanatizëm mënyrën e komunikimit, sepse respektohet personi, respektohet dhe institucioni. Natyrisht personi mund të jetë jashtë institucionit dhe kjo nuk do të thotë që mund ta fyesh, sepse të jesh politikan, të jesh në një pozicion shumë të rëndësishëm në një institucion të shtetit, vjen nga një predispozitë, vjen nga një demonstrim qytetar të etikës së komunikimit. Një gjë mund ta thuash fort dhe me një term të butë, por edhe duke qenë agresiv. E rëndësishme është që të përdorësh argument dhe unë jam partizan i komunikimit, me një etikë të plotë pa fyerje, pa sharje ku të mbizotërojë argumenti dhe pastaj i takon qytetarit për të diferencuar artikulimet e arsyeshme nga ato pak të arsyeshme. Besoj se e kam ruajtur dhe do vazhdoj të ruaj gjithë këtë ekuilibër.
Por megjithatë, politika në Shqipëri nuk e ka ruajtur komunikimin Brenda “fairplay-it”. Gjuha është e ashpër. Gjuha ka urrejtje brenda, ndoshta dhe një mungesë etike.
...Një qëndrim i juaji do të ishte i rëndësishëm edhe në këto zgjedhje në Shqipëri, sidomos në Tiranë, jeni shumë i adhuruar dhe i votuar nga tiranasit. Si do ta përdorë zoti Topi qetësinë e tij në këto zgjedhje dhe kur e do një Tiranë me “Unazë”, një Tiranë me ato afinitete europiane, si do ta përdorë influencën, ose si s’do ta përdorë influencën në këto zgjedhje?
Do vazhdoj të kërkoj nga qytetarët, tashmë që zgjedhjet e 8 majit janë të fiksuara dhe të padiskutuara, në kohën kur partitë politike janë regjistruar, do ta përdor si një mesazh frekuent që qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje. Do ta përdor për të dhënë mesazhin që këto zgjedhje të jenë korrekte, të administrohen mirë, sepse fati i korrektësisë së këtyre zgjedhjeve patjetër do të influencojë, edhe për qëndrimin që do të ketë Bashkimi Europian ndaj Shqipërisë. Do të luftojë natyrisht me të gjithë potencialet e mia, që të jap këto mesazhe jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë.
A do ta ruani qetësinë që ish-bashkëpartiakëve tuaj mos t’u thoni asgjë, për arsye se vota juaj do të jetë ndoshta decisive?
Unë jam jashtëzakonisht korrekt. Ju mendoni që mua më mungon virtyti, për të vlerësuar gjithçka që ka të bëjë me karrierën time? Absolutisht jo!
Më falni që thashë pyetja e fundit, por keni obligim ndaj atyre votuesve, të cilët realisht ju rendisin shumë lart?
Besoj, se në përgjithësi jo vetëm në Shqipëri, ndodh që kur fillon një profesion i ri, dhe unë do ta konsideroja përtej angazhimit tim akademik – një nostalgji tashmë, e cila nuk rikthehet dhe të bëhet reale, – patjetër për të vazhduar një lloj vazhdimësie dhe koherence me interesat, besoj që politika do të jetë profesioni ku unë do të jem i angazhuar.