E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, Berisha: Problemi me listat qëndron brenda opozitës

TIRANË Për Kryeministrin Sali Berisha, problemi me listat paraprake të zgjedhësve qëndron vetëm brenda opozitës. Pas pjesëmarrjes në punimet e samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, pjesëtarë të grupit të Partive Popullore Europiane, kryeministri Sali Berisha është pyetur nga përfaqësues të medias, lidhur me problemin kryesor të ngritur nga opozita, listat paraprake të zgjedhësve. Në deklarimin e tij, Berisha tha se Rama po akuzon në këtë rast qeveritarët e tij vendorë. Megjithatë, Kryeministri nuk i dha përgjigje faktit se opozita po akuzon pikërisht në ato njësi, që në fakt drejtohen nga përfaqësues të djathtë dhe LSI-së. “Në të gjitha qytetet e mëdha, qeveris opozita. Me sa shoh unë, opozita po ankohet drejt vetes së vet. Unë nuk mund t’i nxjerr atij kurrë dyshimin. Njëherë akuzoi 20 000 komisionerë, tani akuzon qeveritarët e tij vendorë. Këto janë probleme të brendshme të opozitës. Ajo çka unë mund t’u garantoj ju është përkushtimi i plotë dhe total, një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”, - tha Berisha nga Brukseli. Berisha u shpreh se gjatë takimeve, që kishte zhvilluar me liderë europianë në këtë samit, ai kishte garantuar përkushtimin e qeverisë, për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Në ketë Samit, pata rastin të njihja të pranishmit mbi zhvillimet dhe situatën në Shqipëri, të ftoj dhe të kërkoj mbështetjen e tyre me vëzhgues, që zgjedhjet e 8 majit të jenë të vëzhguara dhe plotësisht transparente. Dhashë të gjitha garancitë e mia, për përkushtimin e qeverisë për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”, - tha ai. Kryeministri foli edhe për ftesën që i është bërë Parlamentit Europian, për të vëzhguar zgjedhjet lokale të 8 majit. ”Presidenti Buzek po shqyrton kërkesën që i ka bërë znj. Topalli. Duhet kuptuar një gjë, që normalisht Parlamenti Europian nuk vëzhgon zgjedhje lokale. Zgjedhjet lokale kanë një status më të veçantë dhe ato vëzhgohen nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, por përpjekjet po bëhen serioze për të pasur edhe një delegacion të PE, për të qenë të pranishëm në formën që e gjykon Parlamenti më të arsyeshme”, - tha ai. Berisha foli edhe për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve.”... cdo zgjedhje është e rëndësishme. Por pata kënaqësinë e madhe ti njihja në mënyrën më të plotë për sistemin e numërimit të Shqipërisë, të cilin Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së e vlerësoi si më të saktin në botë. Kjo ishte deklarata që bëri. Një sistem i mrekullueshëm për vende që kanë pretendime”, - shtoi ai.

N.Perndoj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›