E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBDNJ thyen bojkotin e PS, hyn në zgjedhjet e pjesshme

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të zëvendësojë komisionerët e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 15 nëntorit. Sakaq, selisë rozë i është dhënë e drejta të dorëzojë anëtarët e saj në KQZ deri ditën e hënë. Sekretari i përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis, tha dje se kjo parti është për respektimin e institucioneve, ndërkohë që do u bëjë thirrje zgjedhësve për të marrë pjesë në zgjedhje. "Zgjedhjet për pushtetin lokal nuk janë një pikë e nxehtë për PBDNJ-në. Ne mendojmë të marrim pjesë brenda të gjitha rregullave dhe do u bëjmë thirrje njerëzve të marrin pjesë në zgjedhje", u shpreh Solis. Ai kujtoi se edhe PBDNJ-ja kërkon hapjen e kutive të votimit. "Gjithnjë kemi thënë se këto zgjedhje nuk arritën starndardet dhe tjetërsuan vullnetin e popullit. Jemi në të njëjtën bindje për faktin se bashkëfajtori për këtë devijim të rezultatit është edhe PS dhe kryetari i saj. Jemi për hapjen e kutive dhe respektimin e institucioneve, për marrjen pjesë në Parlament dhe të mos bëhen këto kapriçio duke sabotuar institucionet", tha ai. Po dje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar sërish Partisë Socialiste të sjellë komisionerët e saj për zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Kreu i këtij institucioni Arben Ristani, ka lënë si afat përfundimtar për një reagim, ditën e hënë, pas të cilës KQZ mund dhe të penalizojë selinë rozë. "Sot është nisur shkresa e dytë nga unë, si kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku iu kujtohet në radhë të parë detyrimi ligjor, dhe iu kërkohet zbatimi i tij dhe deri tani nuk ka përgjigje me shkrim. Sigurisht dhe institucionet ndërkombëtare që kanë impakt në zgjedhje kanë marrë dijeni për këto shkresa. Besoj që të hënën do kemi një reagim ndryshe pastaj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve", tha Ristani. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t‘u dërgojë një letër misioneve ndërkombëtare për zgjedhjet, duke i vënë në dijeni për shkeljet e partive në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Edhe në këtë proces zgjedhor, mosrespektimi i afateve të Kodit do të jetë ankesa kryesore që KQZ-ja do të raportojë te të gjitha organizmat ndërkombëtare të pranishme në vend. "Vihet re i njëjti problem me këtë mungesë korrektësie në të gjitha zgjedhjet. Gjithsesi, do të përgatitet një shkresë tjetër për dijeni të organizatave ndërkombëtare", tha Ristani, kryetar i KQZ-së. Deri më tani, në këto zgjedhje, janë regjistruar tri parti, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia e Punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›