E Diel, 1 Nëntor 2026

"Pakti me Greqinë", opozita çon ankimimin në Kushtetuese

Parti të majta e të djathta firmosën dje një draft për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e ndarjes së ujërave midis Shqipërisë dhe Greqisë. Dorëzimi mësohet se do të bëhet ditën e sotme nga përfaqësuesit e grupimit opozitar. Pas paralajmërimit për të ankimuar këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese, kreu i selisë rozë, Edi Rama, hodhi hapa konkrete duke zhvilluar një takim me krerët e partive të majta, por edhe dy parti të djathta. Në tryezë ishin të pranishëm, Skënder Gjinushi, Erjon Veliaj, Nard Ndoka, e Spartak Ngjela. Pritet që ankimimi të firmoset sot nga kreu i PDS-së, Paskal Milo, dhe ai i LZHK-së, Dashamir Shehi. Më pas do të dorëzohet në sekretarinë e kësaj Gjykate Kushtetuese. Kryetari i selisë rozë tha se krerët ranë dakord mes tyre që të bashkohen në kërkesën ankimore që do të dorëzohet në Kushtetuese duke kërkuar rinegocim. "Ramë dakord që të nënshkruanim ankimimin për ta paraqitur në Gjykatë. Kjo marrëveshje është krejtësisht e pavend dhe e padenjë, ndaj duhet të zmbrapset për të krijuar kushtet që të ketë një rinegocim, ku ata që përfaqësojnë vendin ta bëjnë këtë denjësisht dhe në respekt të plotë të fqinjësisë së mirë", tha Rama. Ai u bëri thirrje krerëve të qeverisë të përfaqësojnë vendin si të barabartë me fqinjët, në respekt të asaj që ai e quajti respekt të ardhmërisë së vendit dhe fqinjësisë së mirë. Kreu i G99, Erjon Veliaj, deklaroi se u arrit konsensus i plotë i të gjithë të pranishmëve për të ankimuar marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese. Veliaj e konsideroi shtyrjen e datës së ratifikimit të marrëveshjes vetëm si shtyrje të datës së shitjes së kufijve të Shqipërisë. Ndërkaq, kreu i G99 i ftoi qytetarët në dy protesta që do të organizohen ditën e mërkurë, përpara Parlamentit dhe përpara Ministrisë së Jashtme, në shenjë kundërshtimi ndaj indiferencës në lidhje me këtë çështje. Sakaq, kryetari i PLD-së, Spartak Ngjela, kërkoi nga Presidenti i Republikës të reagojë, pasi situata po degradon. "Është themelore çështja e lirisë dhe demokracisë, sepse në Shqipëri ka një grup njerëzish të predispozuar të shesin gjithçka", tha Ngjela. Rama reagoi për akuzat e ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, se PS po nxit ksenofobinë. "Unë i refuzoj me neveri ato akuza që ju përmendni lidhur me një pozicion të ashtuquajtur ekstremist timin dhe Partisë Socialiste në raport me dokumentin skandaloz të kësaj marrëveshjeje, aq më tepër pastaj kur akuza të tilla vijnë nga vartësi i Sali Berishës në Ministrinë e Jashtme", deklaroi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›