E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBKD: Të ngrihet Instituti i Dënimit të Krimeve të Komunizmit

Tiranë, 20 Dhjetor, 12:47, NOA - “Ndarja e shoqërisë shqiptare nga krimet e regjimit komunist, e nisur në dhjetor 1990, nuk ka mbaruar ende”, tha sot në një konferencë për shtyp, Artur Roshi, kryetar i Ballit Kombëtar Demokrat.

“Ky proces do të përfundojë kur të plotësohen tre kushte: ndarja nga veprimi, dënimi juridik i krimeve dhe refleksioni moral i shoqërisë ndaj kësaj të shkuare të hidhur.

Ndarja nga veprimi, heqja dorë nga krimet në emër të shtetit u realizua në vitet 90-91.

Qëndrimi juridik ndaj krimeve të regjimit komunist nuk ka nisur ende.

Krimet e komunizmit duhet të ishin zbardhur nga Prokuroria dhe të ishin dënuar nga gjykata”, tha ai.

Sipas tij, “kriminelët janë kriminelë vetëm kur për ta ka një vendim juridik, ndryshe gjithçka mbetet e diskutueshme.

Mos-hedhja e këtij hapi e mban shoqërinë tonë në situatën e tanishme, ku bashkekzistojnë me të njëjtin status si viktima dhe krimineli.

Reflektimi moral i shoqërisë varet shumë nga qëndrimi juridik ndaj krimit.

Partia e Ballit Kombëtar Demokrat ka kërkuar prej kohësh që fillimisht duhet të krijohej Instituti i Dënimit të Krimeve të Komunizmit. Sigurisht, mund të emërtohet edhe ndryshe, i rëndësishëm është ndërtimi i këtij institucioni.

“Ne inkurajojmë Kryeministrin e vendit për ndërtimin e këtij institucioni. Nga ky institucion duhet të dalin projektligjet e nevojshme për dekomunistizimin e shoqërisë.

PBKD gjykon se ligji për pastërtinë e figurës së zyrtarëve është i paplotë për gamën e përfshirjes së nomenklaturës komuniste. Megjithatë, projektligjin aktual e vlerësojmë si hap pozitiv për ngritjen e sistemit të dekomunistizimit të shoqërisë.

Nëse ky proces nuk fillon tani do të jetë një problem i hapur pafundësisht, njëlloj si problemi i rikthimit të pronave, dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve, rishkrimi i historisë etj”, përfundoi kreu i PBKD-së, Artur Roshi.

c.a/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›