E Diel, 1 Nëntor 2026

PBKD-ja rikthen Mithat Frashrin në vendlindje

Partia e Ballit Kombëtar Demokrat ka organizuar dje një sesion shkencor me rastin e 59-vjetorit të vdekjes së një prej figurave kombëtare, Mithat Frashrit, në vendlindjen e tij, Përmet, ku u shpall dhe qytetar nderi i qytetit. Sesioni i titulluar “Mithat Abdyl Frashri, apostulli i vëllazërimit kombëtar” mblodhi në bashkinë e qytetit mjaft historianë dhe përfaqësues të shoqërisë të cilët vlerësuan veprën e Frashrit. Në këtë konferencë ishin të pranishëm kryetari i Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, historiani Uran Butka, prof. dr. Muharrem Dezhgiu si dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Mitro Çela. Kryetari i PBKD-së, Artur Rroshi, tha në fjalën e tij se puna e Mithat Frashrit ende nuk është vlerësuar. “Falë diturisë së tij, ai u bë i aftë të mbronte çështjen shqiptare në kohët më të vështira të kombit, kur fqinjët e shikonin si tortë për të ngulur dhëmbët. Armiqtë e Mithat Frashrit i ngritën vetes statuja të larta, ndërsa monumenti i tij është ngritur në zemrën e çdo shqiptari dhe të jeni të sigurt që do të lartësohet edhe në të ardhmen”, - tha Roshi. Kryetari i Bashkisë së Përmetit, Edmond Komino, u shpreh në këtë sesion se qyteti i lindjes po nderon veprën e Mithatit. “Ky kolos i politikës dhe i diplomacisë e rrit shumë vlerën e Përmetit. Me lartësimin e kësaj figure, nëpërmjet këtij sesioni shkencor, plotësojmë edhe një boshllëk që ekziston në historinë e popullit shqiptar”, - tha Komino.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›