Reformat, ministrat raportojnë në Bruksel
• Ministrat e kabinetit qeveritar kanë raportuar në Bruksel lidhur me ecurinë e reformave të Shqipërisë, kryesisht në atë të sistemit të drejtësisë dhe reformën zgjedhore.Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ai i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, janë në Bruksel ku do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë të BE-së lidhur me reformat. Takimi i parë ka qenë me Drejtorin e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Majkëll Li, i cili nga ana e tij ka dhënë mbështetje për kartat e identitetit. Në përfundim të këtij takimi, ministri i Drejtësisë, Alibeaj, tha në një prononcim për mediat se, “psikoza e një reforme duhet të jetë krijimi i një procesi bashkëpunimi mes palëve. Nëse do të kemi një bashkëpunim të tillë, kjo reformë do të ketë një fillim. Deri në momentin e ardhshëm do të mundësohet që të arrihen standardet evropiane”. Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha se “fundi i vitit 2008 do të thotë një progres-raport tjetër që të vlerësojë reformat e ndërmarra. Nëse do të ketë një përmirësim të dukshëm në sistemin zgjedhor dhe atë elektoral, BE-ja do të jetë gati për të hedhur hapin e parë”.