PD, Erla Mëhilli: Rama, një rrezik i madh për të drejtën e informimit Zëdhënsja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, deklaroi se dje truprojat e Partisë Socialiste, në nderim të ditës ndërkombëtare të lirisë së mediave, keqtrajtuan dhe nxorën me forcë jashtë konferencës së tyre për shtyp gazetarin e Radio Televizionit Publik Shqiptar, si një dëshmi e qëndrimit brutal ndaj mediave që u thonë qytetarëve të vërtetën. Në një komunikim për mediat, ajo tha se PD nuk habitet aspak me këtë qëndrim të zotit Rama por fton mediat të ngrenë zërin e protestës ndaj këtij qëndrimi të Edi Ramës si një rrezik i madh për të sotmen dhe të ardhmen e tyre. “Hakmarrja primitive e Edi Ramës ndaj Radio Televizionit Publik Kombëtar, për fajin e vetëm se ky i fundit ka sjellë në ekranin dhe valët e tij zërin e protestës së qytetarëve të Tiranës për vuajtjen që zoti Rama u shkakton atyre me bllokimin e trafikut çdo ditë, dëshmon faktin që Edvin Kristaq Rama është një armik i egër i lirisë së shtypit dhe një rrezik i madh për të drejtën e informimit”, reagoi Mëhilli.