Topalli: Përmbytjet në Dajc, situata emergjente
SHKODER- Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka inspektuar nga afër komunën më të dëmtuar nga përmbytjet, Dajcin. Ajo e ka cilësuar situatën emergjente por edhe të përballueshme “është një situatë emergjente dhe kritike, por e manaxhueshme. Janë marrë të gjitha masat që kjo situatë të jetë nën kontroll”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në qendër të komunës Dajç të rrethit të Shkodrës, një zonë në veriperendim të vendit që rezulton më e dëmtuara nga vërshimi i ujërave të lumit Bunë, për shkak të reshjeve të dendura të shiut të ditëve të fundit. E shoqëruar nga Gjeneral Brigade, Maksim Malaj, prefekti i Shkodrës, Maxhit Cungu, kryetari i komunës Dajç, Arben Gjurja, znj. Topalli falenderoi në mënyrë të veçantë ushtrinë, policinë, të gjithë përfaqësuesit e pushtetit vendor, të cilët prej ditësh kanë punuar 24 orë në ndihmë të banorëve, si për shpërndarjen e ushqimeve, shpëtimin e gjësë se gjallë, ashtu dhe për vendosjen e barrierave të ujit. Ajo falenderoi gjithashtu punonjësit e ujësjellësit dhe veçanërisht të KESH-it, të cilët prej javësh kanë filluar derdhjen e ujërave të hidrocentralit në mënyrë graduale, jo siç ka ndodhur vitet e tjera, kur përmbytja ka ardhur e mënjëhershme.(m.a/BalkanWeb)