E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Gati të shqyrtojmë kushtet e PS

 

Aristir Lumezi

“Jemi të hapur të bashkëpunojmë me opozitën brenda kuadrit ligjor”. Partia Demokratike ftoi dje zyrtarisht Partinë Socialiste të negociojë për kërkesat e opozitës, me qëllim rikthimin e deputetëve të saj në Parlament. Në një komunikim me mediat, kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, tha se selia blu është e gatshme të bashkëpunojë me socialistët dhe kërkesat e tyre, me të vetmin kusht që ato të jenë brenda kuadrit ligjor. “Unë jam këtu sot për të garantuar dhe siguruar Partinë Socialiste, se ftesa jonë për rikthimin e tyre në Parlament është shumë e sinqertë dhe shumë serioze. Ne e duam opozitën në Parlament për të zhvilluar një debat normal politik në aulën e institucionit më të rëndësishëm të shtetit. Ne duam opozitën në Kuvend për të vijuar pa u ndalur reformat e mëdha integruese, për të cilat vendi ka nevojë jetike. Por mbi të gjitha, ne duam që bashkë me opozitën të shqyrtojmë dhe trajtojmë me shumë seriozitet të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e raportit të OSBE/ODIHR-it. Kjo ka qenë një praktikë që është aplikuar me shumë sukses në legjislaturën e kaluar, kur ne miratuam ndryshimet kushtetuese dhe Kodin Elektoral, që na çoi drejt zgjedhjeve të 28 qershorit. Por ndërkohë ky bashkëpunim është tashmë një traditë e konsoliduar prej vitesh në politikën shqiptare. Nga ana tjetër, ne jemi plotësisht të gatshëm dhe të hapur për të shqyrtuar të gjitha pretendimet dhe kërkesat e tjera të Partisë Socialiste, me kushtin e vetëm, që ato të jenë në respekt dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, tha Patozi. Kryetari i grupit parlamentar demokrat tha se është për të ardhur keq që opozita do të mungojë të enjten në Parlament, ndërsa aty do të diskutohet projektligji për ndryshimin e buxhetit të vitit 2009.
Reagimi i PS
I menjëhershëm ishte reagimi i ardhur nga selia rozë ndaj ftesës së demokratëve. Partia Socialiste e konsideroi përpjekje tinzare pretendimin e maxhorancës, se hapja e kutive të votimit nuk është kushtetuese. Deputeti Damian Gjiknuri tha se, PS-ja nuk kërkon që nëpërmjet komisionit hetimor të rishikojë vendimet për rezultatin e zgjedhjeve, por vetëm të zbardhë materialet zgjedhore që janë në kuti, të cilat nuk përbëjnë sekret shtetëror. “Alibia se kutitë e votimit nuk mund të hapen, pasi ka vendim gjykate, është një përpjekje tinzare për të fshehur të vërtetën që ndodhet në këto kuti. Partia Socialiste nuk po kërkon rinumërimin apo rishikimin e vendimeve administrative apo gjyqësore për rezultatin e zgjedhjeve. Këto vendime kanë marrë formën e prerë dhe komisioni hetimor nuk është rruga ligjore për t’i shfuqizuar, sepse komisioni nuk do të zëvendësojë gjykatën, pasi nuk mund të marrë vendime për rezultatin e zgjedhjeve. Politika duhet të kuptojë se nëse lipset nevoja për një reformë ligjore në lidhje me zgjedhjet, apo qoftë dhe korrigjim të pjesshëm të praktikës së deritanishme, ajo duhet të fillojë me analizën e procesit të kaluar, përfshirë edhe hetimin parlamentar për shkeljet e pretenduara”, deklaroi Gjiknuri. Deputeti socialist sqaroi dje se, “ajo që ne kërkojmë është të hedhim dritë, të hetojmë, që do të thotë të administrojmë të gjitha materialet zgjedhore që janë në kuti, si lista zgjedhësish, procesverbale apo edhe fletët e votimit, të cilat janë dokumente zyrtare dhe që nuk mbrohen më me ndonjë ligj si sekret shtetëror. Si rrjedhim, nuk ka asnjë rrethanë ligjore që të pengojë marrjen e çdo informacioni që do të kërkojë Kuvendi, qoftë ky i mbyllur edhe në kutitë e votimit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›