MPJ: Synohet të destabilizohet Kosova
16/03/2005 Menjëherë pas sulmit, paraditen e djeshme ndaj Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, ka reaguar dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Në emër të qeverisë shqiptare, ministria ka dënuar ashpër sulmin ndaj autokolonës së Presidentit Rugova. Sipas një njoftimi të kësaj ministrie, theksohej se "këto veprime të dhunshme janë të papranueshme jo vetëm se cënojnë figurën e Presidentit dhe institucionin që ai përfaqëson, por edhe se synonjë të destabilizojnë gjendjen e sigurisë në Kosovë". Gjithashtu, sipas njoftimit të Minstrisë së Punëve të Jashmte, i bëhej thirrje dhe popullit kosovar që të përcjellë me gjakftohtësi këtë akt ekstrem. "Populli i Kosovës do ta përcjellë këtë akt ekstremist me gjakftohtësinë që e karakterizon, duke krijuar të gjitha kushtet e mundshme autoriteteve kompetente për gjetjen dhe dënimin e autorëve të këtij krimi". Shpërthimi në qendër të Prishtinës, mëngjesin e djeshëm, është cilësuar atentat ndaj Rugovës. Presidenti Rugova ndodhej në makinë në momentin e shpërthimit, ndërkohë që një person është plagosur, anëtar i grupit të shoqërimit.